Historia Ime

Switch to desktop

Bilisht, nuk i jep para per te luajtur bixhoz, burri rreh gruan ne sy te femijeve

Rate this item
(0 votes)

Dhuna në familje nuk ka të ndalur. Një ngjarje e rëndë është shënuar në Bilisht. Bashkëshorti ka rrahur gruan dhe ka djegur në fytyrë kunatën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi gruaja nuk i ka dhënë para bashkëshortit për të luajtur bixhoz.

Policia ka bërë të ditur se çifti Ilia dhe Brunilda Kordalli prej tre muajsh jetonin të ndarë për shkak të dhunës sistematike prej 13 vitesh, që 44-vjeçari ushtronte ndaj bashkëshortes, por që për hir të opinionit “mbytës” nëna e dy fëmijëve nuk e denoncoi kurrë.

Ilia Kordalli ka shitur gjithçka në shtëpinë e tij dhe me paratë e fituara ka luajtur bixhoz. 44-vjeçari mbrëmjen e së mërkurës ka shkuar në shtëpinë e kunatës (motra e gruas), ku strehohej bashkëshortja dhe dy vajzat e mitura, për të kërkuar të tjera para.

Përgjigjja “Jo” e gruas ka qenë e papranueshme për burrin, i cili e ka rrahur me grushte dhe shkelma në sy të 2 vajzave, 8 dhe 12-vjeçare, që mes britmash janë përpjekur të ndalojnë babanë e tyre.

Në të tilla kushte kunata Nexhmie R. ka ndërhyrë, por është sulmuar edhe ajo.

Sipas policisë, dhëndri agresor i ka derdhur një tenxhere me gjellë në fytyrë, duke i shkaktuar djegie në një pjesë të fytyrës dhe qafë.

“Më dridhet trupi kur kujtoj ngjarjen e djeshme. Gjithçka e ka zanafillën tek ndarja e motrës sime. Ajo prej vitesh dhunohej nga bashkëshorti i saj, pasi ai i kërkonte vazhdimisht para për të pirë alkool dhe luajtur bixhoz. Kur ajo nuk i jepte para, ai e rrihte me grushte dhe shkelma. Ajo iku dhe erdhi tek unë. Kunati erdhi në mbrëmje për të kërkuar para që të luante bixhoz. Motra kundërshtoi dhe ai nisi ta rrihte me grushte. Shikoja vajzën e tyre 8-vjeçare, e cila mes lotësh përpiqej të ndalte babanë e saj. Më pas u afrova vetë që ta ndalja, por ai e rrëmbeu një tenxhere të madhe me gjellë që ishte në sobë dhe ma hodhi të gjithën në fytyrë. Fatmirësisht më kapi vetëm anën e djathtë dhe më shpëtuan sytë. Mbaj mend që djegia e madhe më detyroi të bërtisja dhe ai u largua nga shtëpia. Vajzat ishin fshehur prapa dollapit në dhomë nga frika ndërsa ne njoftuam policinë.

Që kur është martuar, afro 13 vjet. Asnjëherë nuk ka parë një ditë të bardhë. Ai vetëm e ka rrahur dhe lotët nuk i janë ndarë kurrë nga sytë. Nuk e ka denoncuar asnjëherë. Ne jetojmë në një qytet të vogël dhe kemi frikë nga opinioni. Edhe unë që po flas, kam frikë tani. Ndaj ajo ka qenë e detyruar të heshtë”, ka thënë Nexhmie R. për ‘Gazetën Shqiptare’.

Ato kërkojnë mbrojtje nga policia, pasi kanë frikë se nëse lirohet, edhe mund t’i vrasë. (A.H)

Leave a comment

Sigurohuni që të plotësoni të gjithë fushat e shënuara me (*)

Copyright: Historiaime.com, 2012

Top Desktop version