Referendumi mbi martesën në Rumani dështon për shkak të pjesëmarrjes së ulët

Votimi kërkoi të kufizonte përkufizimin e martesës vetëm midis një burri dhe një gruaje.

BISTRIŢA, Rumani – Një referendum në Rumani që kërkonte të kufizonte përkufizimin e martesës vetëm midis një burri dhe një gruaje dështoi të dielën, pasi pjesëmarrja e votuesve ishte tepër e ulët që votimi të quhej i vlefshëm.

Pas dy ditësh votimi, vetëm 20.41% e elektoratit hodhën fletëvotimin – shumë më poshtë se 30%, që nevojitet për një referendum të vlefshëm.

Rezultatet godasin Partinë Social Demokrate (PSD) në pushtet dhe i japin një fitore kundërshtarëve, të cilët inkurajuan njerëzit që të bojkotonin sondazhet për të shfuqizuar rezultatin përmes pjesëmarrjes së ulët.

Sekretari i përgjithshëm i PSD, Codrin Ştefănescu, akuzoi kundërshtarët për përhapje keqinformimi përpara referendumit. Ai vlerësoi pjesëmarrjen e gati 4 milionë njerëzve që u paraqitën në votim, por i quajti rezultatet një “dështim i rumunëve dhe i Rumanisë në përgjithësi”.

Rumania nuk i njeh martesat e të njëjtit seks dhe referendumi, i cili kushtoi rreth 40 milionë euro, nuk do të kishte ndikuar në këtë ligj. Në fakt, ai advokoi një ndryshim kushtetues që në fund të fundit do të parandalonte çiftet gej nga marrja e kësaj të drejte në të ardhmen.

Përkrahësit e këtij ndryshimi kushtetues, megjithatë, thanë se lëvizja nuk synonte njerëzit gej, por ishte menduar të përforconte të drejtat që çiftet gej kanë patur deri tani.

Referendumi buroi nga një peticion që kishte mbledhur 3 milion nënshkrime në vitin 2016. Ky peticion kishte mbështetjen e Kishës Ortodokse dhe të Koalicionit për Familjen, një shoqatë gjithëpërfshirëse me mbi 40 grupe fetare, konservatore dhe joqeveritare.

Por, ndonëse referendumi nuk ka origjinën nga PSD, kritikët akuzuan partinë për organizimin e një votimi të tillë si një dredhi për të ruajtur mbështetjen e saj tashmë të zvogëluar dhe për të larguar vëmendjen nga kritikat, në vend dhe jashtë tij, në lidhje me ligjvënien dhe korrupsionin.

Ştefănescu të dielën mohoi se referendumi ishte politik.

Ky votimi e kishte vënë partinë në debate me politikanët e tjerë socialë demokratë në Europë dhe ushqeu frikën mes kritikëve se Rumania po përqafon idenë e “demokracisë illiberale” të përkrahur nga qeveritë hungareze dhe polake.

Kreu i PSD Liviu Dragnea u përpoq të përdorte retorikën nacionaliste për të mobilizuar njerëzit për të votuar gjatë fundjavës, tha Paul Ivan, analist i lartë në Qendrën e Politikave Europiane, në Bruksel.

“Unë votova për atë çka miliona rumunë po kërkojnë, për atë çka unë mendoj se na përkufizon si një shoqëri dhe si një komb”, tha Dragnea pasi votoi të shtunën. “Të gjithë e dimë se për vite me radhë na është thënë se të tjerët e dinë më mirë se si duhet të jetojmë, se si duhet të veprojmë; se të tjerët e dinë më mirë se çfarë është e mirë për ne. Mendoj se është koha që ne të vendosim se çfarë shoqërie dhe çfarë vendi dëshirojmë të jemi.”

Ludovic Orban, kreu i Partisë Nacional Liberale të opozitës, tha se njerëzit nuk dolën për të votuar për të mbështetur Dragnea.

“Shumë rumunë, të cilët do të ishin të favorshëm për subjektin e këtij referendumi, nuk erdhën për të votuar, sepse donin të godisnin Dragnea-n në fytyrë”, tha ai, duke shtuar se “njerëzit sanksionuan PSD-në pasi ishte e qartë se PSD promovoi referendumin dhe u përpoq ta përdorë atë në avantazhin e saj politik “.

Ivan nga Qendra e Politikave Europiane tha se shumë njerëz e konsideruan si një referendum të panevojshëm, pasi ai nuk do të ndryshonte asgjë lidhur me të drejtat e çifteve të të njëjtit seks.

Dan Barna, kreu i grupit opozitar Save Rumania Union, i cili kishte bërë thirrje për një bojkot, tha se rumunët treguan se janë më shumë europianë sesa udhëheqësit e tyre.

“Rumania e ditës së hënë do të jetë pikërisht e njëjta me Rumaninë e të premtes, përpara referendumit”, tha ai. “Rumania është një komb europian. Rumania është një komb tolerant dhe modern, që refuzoi këto dy ditët e fundit të kthehej prapa në kohë.”/R.M

/politico

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest