Kavanaugh drejt Gjykatës Supreme, por të mbijetuarit e sulmeve seksuale do të vazhdojnë me këmbënguljen e tyre

“Ata mendojnë se po fitojnë,” thotë një përkrahës, “por në thelb ata kanë nisur një lëvizje që nuk do të shuhet kurrë”.

Javët e protestave kundër kandidatit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh kanë lënë të mbijetuarit seksualë të ndihen moralisht dobët, të frustruar dhe krejtësisht të lodhur. Por nuk i ka ndaluar shumë prej tyre që të vazhdojnë protestën kundër një qeverie që duket e vendosur t’i heshtë ata.

“Unë nuk mendoj se ka ndonjë prej nesh që dëshiron të heshtë në këtë pikë, dhe mendoj se asnjëri prej nesh nuk po planifikon të mbyllë gojën edhe pas konfirmimit të tij,” tregoi të premten për HuffPost Robyn Swirling, një e mbijetuar përdhunimi, e cila u përball publikisht me Senatoren Lindsey Graham (RS.C.) javën e kaluar.

“Gjykata e Lartë është një institucion i vërtetë i rëndësishëm për demokracinë tonë”, tha ajo. “Zërat tanë duhen të dëgjohen çdo minutë, sepse legjitimiteti i këtij institucioni është në rrezik”.

Shumë të mbijetuar që folën me HuffPost shprehën shqetësime të ngjashme, se legjitimiteti i gjykatës më të lartë në vend është në rrezik. Kjo është arsyeja pse ata refuzojnë të tërhiqen.

“Ne do të luftojmë deri në fund – sepse ne besojmë se mund të kemi një ndikim në këtë proces dhe besojmë se është e rëndësishme që senatorët të kuptojnë traumën dhe ndikimin e sulmit seksual”, tha Jess Davidson, një e mbijetuar dhe drejtore ekzekutive e organizatës së advokimit End Rape në kampus.

Që kur presidenti Donald Trump propozoi emrin e Kavanaugh në korrik, muajt pasardhës kanë qenë historikë. Tre gra kanë akuzuar gjyqtarin për sulme seksuale ose sjellje të pahijshme, njëra prej të cilave, Dr. Christine Blasey Ford, dha një dëshmi emocionale para gjithë Amerikës lidhur me akuzën e saj se Kavanaugh u përpoq ta përdhunonte kur të dy ishin në shkollë të mesme.

Në ditët që nga dëshmia e Fordit, mijëra protestues kanë mbushur rrugët e Uashington D.C dhe qyteteve të tjera. Qindra vetë u arrestuan të enjten për “demonstrim të paligjshëm” para zyrave të Senatit. Dhe dhjetra të tjerë kanë okupuar zyrat e senatorëve, duke përsëritur historitë e tyre të përjetimit të dhunës seksuale derisa ligjvënësit u detyruan t’i dëgjonin.

Që nga pasditja e së premtes, Kavanaugh duket se ka votat që ai ka nevojë të marrë për të siguruar një konfirmim. Një votim i fundit i Senatit pritet të shtunën. Por të mbijetuarit e dinë se lëvizja që kanë nisur është përhapur tashmë në të gjithë vendin.

“Pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë me çështjen Kavanaugh, ne tashmë kemi fituar kauzën tonë”, tha Thenmozhi Soundararajan, drejtoreshë ekzekutive e organizatës së drejtësisë sociale të Azisë Jugore, Equality Labs.

Soundararajan tha se manipulimi i masës së të mbijetuarve dhe komuniteteve me ngjyra nga politikanët do të mbahet mend. Mbështetësit e Kavanaugh mund të kenë fuqi politike, tha ajo, por “ata nuk kanë fuqi njerëzore”.

“Ata mendojnë se po fitojnë, por në thelb kanë nisur një lëvizje që kurrë nuk do të shuhet”, tha ajo. “Ne të gjithë do ta kujtojmë mënyrën se si Orrin Hatch u tha të mbijetuarve të rriteshin. Të gjithë do ta kujtojmë Mitch McConnell duke mbrojtur autorin e krimit. Ne të gjithë do të kujtojmë se si republikanët zgjodhën të dërgonin një prokuror për të intervistuar Fordin, por në momentin që prokurori u përpoq t’i bënte të njëjtat pyetje Kavanaugh, ata e larguan Fordin dhe aty u fol se ç’djalë i mirë ishte ai. Nuk ka dëshmi më të madhe patriarkati sesa kaq.”

Edhe pse plot shpresë për ndryshim, të mbijetuarit ende vuajnë nga efektet e pashmangshme të detyrimit për të mbrojtur humanitetin e tyre kohë pas kohe. Intensiteti i kësaj dhimbjeje u rrit vetëm kur Trumpi, i cili ka qenë i akuzuar për sulme seksuale nga më shumë se 20 gra, u tall dhe njollosi viktimat e sulmeve seksuale dy herë gjatë javës së fundit.

“Duke parë diskreditimin, talljen dhe turpërimin e Dr. Ford, m’u ringjallën kujtimet e mia, ashtu siç edhe ndodhi për mijëra njerëz të tjerë në të gjithë vendin”, tha Morgan McCaul, një studente i Universitetit të Michiganit dhe e mbijetuar e sulmit seksual të Larry Nassar, ish-trajneri I gjimnastikës dheb Universitetit të Shtetit Michiganit. “Nuk është e lehtë të shohësh dhimbjen e kolegëve të tu, dhimbja tuaj, që konsiderohet të jetë më pak e vlefshme sesa një takim politik”.

Protestuesit tubuan kundër Kavanaugh në atriumin e godinës së zyrave të Senatit, në Capitol Hill më 4 tetor 2018.

Sëirling tregon se si ajo ka parë të mbijetuar të të gjitha gjinive, por veçanërisht gratë, “në mënyrë aktive të ritraumatizuara” nga i gjithë ky proces.

“Është vërtetë dekurajuese dhe sinqerisht shumë vështirë teksa shoh se si qeveria ime merakoset aq pak për përvojat e të mbijetuarve të sulmeve seksuale”, thotë ajo.

Si një përkrahëse dhe e mbijetuar e përdhunimeve të shumta, Alison Turkos tha se ajo po lufton literalisht për jetesën e saj.

“Si një e mbijetuar më është dashur të luftoj edhe më parë. Kjo nuk është një gjë e re për mua,” thotë ajo. “Nuk pranoj të rri e qetë, sikur zëri im të mos kishte rëndësi”.

Amanda Nguyen, themeluese e organizatës jofitimprurëse kombëtare për të drejtat civile Rise dhe krijuese e organizatës së të mbijetuarve të krimeve seksuale Bill of Rights, tregoi një elasticitet të ngjashëm të premten.

“Shumë të mbijetuar dhe aleatë ndoshta sot ndihen të dekurajuar, por kam parë realisht se çfarë mund të bëjë këmbëngulja e patundur përballë padrejtësisë”, tha Nguyen për HuffPost, një e mbijetuar përdhunimi. “Ne do të vazhdojmë punën tonë, në mënyrë që askush tjetër të mos përjetojë të njëjtën betejë me të cilën unë jam përballur”.

Soundararajan i tha HuffPost se pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë me çshtjen e Kavanaugh, të mbijetuarit do të vazhdojnë betejën e tyre.

“Nëse kjo është beteja që ata duan të zgjedhin,” tha ajo, “ata do ta humbasin këtë luftë.”/R.M

/huffingtonpost

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest