Maskarada për të gjetur fajtorin jashtë partisë

hf

Nga Kristi Pinderi

Foto ilustruese nga aksioni i një grupimi feminist ditën e djeshme

Dje vazhdoi për të dytën ditë një maskaradë e maxhorancës, që duhet ndjekur me kujdes, jo për të demaskuar Rilindjen, – sepse ajo e demaskon vetë, pa e kuptuar veten, – por për të  dalluar qartë një proces vetshkatërrues që i ndodh çdo pushteti të zhytur në korrupsion.

Si fillim, të kapur në befasi nga rasti Xhisiela, nxituan të prodhojnë një intervistë në një media që është në konflikt me interesin publik siç janë, në fakt, të gjitha ato media që pasi marrin fonde nga buxheti i shtetit për projekte të ndryshme (projekte edhe me vlerë qofshin), e kanë të pamundur të zgjedhin pastaj objektivisht se kë anë duhet të mbajnë, anën e interesit publik, apo anën e qeverisë që i mban me lekë.

Intervista surreale që viktima e dhunës seksuale dha në atë televizion mund të tymnonte ngjarjen vetëm për pak orë. As për një ditë të plotë!

Duke qënë se jetojmë sot në një epokë kur është e vështirë të atakosh një viktimë të dhunës seksuale, përçartja e Rilindjes ndërroi objektiv: ditën e dytë nuk mund ti mëshohej më një alibie sipas së cilës ngjarja nuk kishte ndodhur, ndaj e vetmja gjë që mbetej ishte të gjendeshin fajtorë të tjerë.

Si fillim për sulme të përqëndruara ad-hominem shërben gazeta TemA dhe botuesi i saj. Në editorialin e datës 26 Mero Baze shkruante se kemi të bëjmë me një histori që nuk ka ndodhur, por është prodhuar në zyrat e PD. Ndërsa në përçartjen e datës 27 shtator Baze, pavarësisht cfarë kishte shkruar vetëm një ditë më parë, e gjen fajtorin te polici që e bëri publike historinë.

Në një argumentim pabesueshmërisht të pacipë, ai e konsideron madje normale pafuqinë e viktimës brenda ambienteve të policisë.

Shkruan në mënyrë të pashpirt ai: “Historia e parë është historia e vajzës së dhunuar, që normal është gjendur e pafuqishme deri në një farë mase brenda institucioneve të policisë. Por në fund ajo ja ka dalë, edhe pa u bërë kaq zhurmë. Është e qartë që ish- i dashuri i saj ka tentuar të përdorë pushtetin e babait për t’i shpëtuar ndëshkimit, por kur nuk ka mundur, ka tentuar të bëjë paqe me vajzën”.

Kaq flet për viktimën e po kaq për njërin prej fajtorëve. Gjithë pjesën tjetër të editorialit ia dedikon Lulzim Bashës (në pamundësi logjike për të vazhduar të thotë “Gjithë fajin e ka Berisha”) si edhe policit denoncues duke vjellë vrer për të dy. Pas tij, burra të tjerë të xhindosur e të mllefosur zhurmuan hapësirën publike. Rilindjes, dikur e vëmendshme për fasadën, nuk i bëhet më vonë se sa kontrast i shëmtuar duket kur vendos të nxjerrësh ca burra me pushtet politik të flasin për një ngjarje që ka në qëndër një grua të përdhunuar e nëpërkëmbur nga djali i një burri tjetër me pushtet!

Nga fundi i ditës së dytë haluçinacionet ishin edhe më të pabesueshme: një gazetar pranë qeverisë në po të njëjtin television në konflikt të hapur me interesin publik botonte komunikime të nipit të deputetit Rrahman Rrahja me ish oficerin Emiljano Nuhu, biseda që nuk thoshin asgjë por që tregonin se të dy këta njiheshin, ishin miqësorë me njëri tjetrin, e për pasojë, – sipas logjikës së gazetarit, – nuk mundet që policit t’i kenë vendosur pistoletën në kokë!

Ndërsa qershia mbi tortën surreale të përpëlitjeve të pushtetit për t’u përballur me të vërtetën erdhi në darkë kur i akuzuari Taulant Balla e gjeti një fajtor tjetër në këtë histori, e ky ishte gazetari që kishte intervistuar ish oficerin e policisë që bëri publike historinë.

Nuk ka më asnjë dyshim se maskarada do të vazhdojë me të njëjtin intensitet deri në fund e do të nxjerrë zbuluar ditë pas dite imoralitetin e kësaj maxhorance. Të cilës po i vjen fundi në sytë e qytetarëve të tejlodhur.

Njësoj siç ndodhi me Berishën në janar të vitit 2011.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest