Heshtja = Përdhunim

msh
Deklaratë e një grupi joformal feminist që shoqëron aksionin e grafiteve (në foto) bërë sot (e Enjte) në Tiranë.

“Edhe po të ketë ndodhur, vetë e ka patur fajin” është një koment tipik , të cilin mund ta lexosh kudo ku raportohet krimi i radhës ndaj gruas.

“Unë e shijova mbas faktit sepse edhe një femër kur përdhunohet e ka nje moment kenaqësie.” lexon në brendësi të një artikulli tjetër, kësaj radhe referuar nga “artisti” i radhës.

This slideshow requires JavaScript.

E teksa raportohet një përdhunim, shoqëria hesht. Në vend që te flitet për përdhunimin si një nga aktet më të urryera kriminale, vëmendja zhvendoset gjetkë.

Patriarkalizmi i rrënjosur thellë në psikën e secilit prej nesh, e konsideron ende krimin ndaj gruas si diçka krejt normale, e kur flitet për përdhunim jo rrallëherë dëgjojmë të thuhet se faji ka qenë i vetë gruas e cila e ka provokuar aktin të ndodhë.

Ndërkohë strukturat të cilat duhet të shërbejnë për të mbrojtur qytetarët, si dhe mediat që duhet t’i informojnë ato drejtësisht, duket sikur kthehen në marioneta të politikës që rëndomë na tregojnë se sa lehtësisht të manipulueshme janë, duke e kthyer herë viktimën në dhunues e herë dhunuesin në viktimë.

Ne duhet të kërkojmë që rasti i Xhisielës të mos shuhet pa u vertetuar nëse vërtetë dikush ka bërë presion që ajo të tërheqë dëshminë e saj;  gazetaria investigative, organizatat jo qeveritare, qytetarët e thjeshtë, intelektualët e mbetur të këtij vendi, gratë, burrat, të gjithë kanë përgjegjësinë të mos marrin pjesë në krijimin e një gjendje frike kolektive sa herë që flitet për përdhunim, e sidomos kur të akuzuarit janë të veshur me pushtet, cilido qoftë ai.

Klima e frikës nuk do të mund të ndihmojë kurrë viktimat por do të mbrojë dhunuesit.

Ne kërkojmë hetim për rastin e Xhisielës.

Edhe sa herë do duhet të shikojmë se si grate rrihen, dhunohen e përdhunohen duke ju treguar në çdo rast se ato janë te paafta për të vepruar, se ato jane të dobëta, se nëse ato nuk kanë një burrë në jetën e tyre çdo gjë mund t’ju ndodhë, e askush nuk i mbron dot.

Heshtja jonë na bën bashkfajtorë e në të njejtën kohë heshtja jonë na përdhunon në vazhdimësi.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest