Fund dhunës ndaj vajzave dhe grave

IMG_3625

Në kuadër të Javës së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, sot në House of Europe, në Tiranë, u zhvillua seminari mbi raport vlerësimin “Dhuna ndaj grave e vajzave nga komunitete të pafavorizuara – Një vështrim mbi fenomenin e dhunës ndaj grave e vajzave nga komunitetet Rom/Egjiptian, LGBTI dhe atyre me aftësi të kufizuara”. Këto organizata po zbatojnë projektin “Promovimi i të drejtave të grave nga grupet e pafavorizuara, për informim mbi shërbimet e ofruara për gratë e dhunuara dhe për akses në këto shërbime”, që prej janarit 2018. Ky projekt është pjesë e programit rajonal kundër dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, financuar nga Komisioni Europian dhe zbatuar nga UN Women.

Për realizimin e këtij raport vlerësimi u intervistuan 91 pjesëmarrës, në katër bashki të Shqipërisë: në bashkinë e Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Elbasanit. Përmes intervistave dhanë mendimin e tyre edhe 26 gra e vajza me aftësi të kufizuara, 26 anëtarë të komunitetit rom, prej të cilëve 5 burra, si dhe 12 anëtarë të komunitetit LGBT. Objektivi i projektit në fjalë është fuqizimi i grave dhe vajzave në 4 bashkitë/rajonet e lartpërmendura, të cilat kanë përjetuar apo janë në rrezik të përjetojnë diskriminim dhe dhunë, në mënyrë që të kenë akses në shërbime cilësore për gratë e mbijetuara ndaj dhunës.

Në panelin e diskutimit të këtij raporti ishin ftuar përfaqësueset zyrtare të secilit grup përkatës, të cilat analizuan raportin e vlerësimit, diskutuan pikat kyçe të problematikave si dhe sugjeruan se ç’përmirësime mund të bëhen në të ardhmen.

Grupi i ekspertëve të këtij raporti përbëhej nga Av. Entila Zyba, Dr. Blerta Çani, Manjola Veizi dhe Xheni Karaj.

Të ftuara gjithashtu për të folur mbi hapat që shteti ka ndërmarrë kundrejt kërkesave të këtyre organizatave ishte përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, znj. Etleva Sheshi, si dhe znj. Aurela Anastasi, pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë, e cila foli mbi aktet ligjore që ndihmojnë eliminimin e dhunës në këto komunitete.

Znj. Manjola Veizi raportoi të dhënat e komunitetit rom dhe egjiptian, duke theksuar se ende ka diskriminim, pabarazi dhe dhunë të ushtruar ndaj grave të këtij komuniteti. Çka ajo vlerësoi dhe sugjeroi ishte ofrimi i gjuhës rome në rajonet e policisë, kur gratë shkojnë për të bërë denoncimet e dhunës ndaj tyre. Pra shteti të ketë shërbime më integruese për to.

Znj. Blerta Çali bëri një përmbledhje të raportit mbi grupin e personave me aftësi të kufizuara. Ajo u ndal në disa pika nevralgjike ku sigurisht ka vend për përmirësime ligjore në ofrimin e shërbimeve ndaj këtyre personave.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, znj. Etleva Sheshi diskutoi mbi politikat specifike për secilin grup, dhe sidomos për strehimin social të grave të dhunuara. Ajo foli mbi planin e veprimit për komunitetin LGBT, që tashmë është në zbatim nga qeveria. Çfarë u fol tjetër ishte edhe nisja e trajnimeve me punonjësit e shëndetësisë dhe mjekët e familjes në lidhje me personat e këtij komuniteti.

Ministria do të mbështesë të 3 organizatat në fjalë për të trajnuar grupet në nevojë.

Prof. Dr. Aurela Anastasi diskutoi mbi ligjin për masat e dhunës në marrëdhëniet familjare, i cili ka hyrë në fuqi në 2007, por që janë bërë ndryshime të qenësishme në 2018.

Znj. Xheni Karaj, Drejtore Ekzekutive e Aleancës LGBTI, foli se si për herë të parë gratë e komunitetit LGBT përfshihen në një studim të tillë. “Ekzistenca e këtyre grave në këtë mënyrë legjitimohet. Sfida e grave LGBTI është një sfidë që shtrihet në disa rrafshe, jo vetëm në rrafshin e popullsisë në përgjithësi, por edhe në vetë legjitimimin e shoqërinë civile. Qofshim gra të komunitetit gej, qofshim gra me aftësi të kufizuara, qofshim gra të komuniteti rom/egjiptian, ne kemi një armik të përbashkët dhe ky armik i përbashkët është patriarkati dhe seksizmi, i cili gjatë gjithë kohës tenton të na shtypë dhe të na shfrytëzojë.”

This slideshow requires JavaScript.

Seminari kundër dhunës ndaj grave u mbyll me një diskutim tepër me vlerë me publikun./R.M

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest