Ellen DeGeneres i bën studentit ekselent gej të refuzuar nga prindërit një surprizë të ngrohtë

Studenti i universitetit të Georgetown, Seth Owen, tha se ai ndiqte programin e Ellen në momentin kur vendosi të dilte hapur.

Studenti i universitetit të Georgetown, Seth Owen, mbeti pa fjalë gjatë një prej shfaqjeje të “The Ellen DeGeneres Show”, kur atij iu bë një surprizë e papritur nga prezantuesja.

Owen, i cili vjen nga Florida, u bë me famë virale në korrik, pasi një nga mësuesit e tij nisi një mbledhje fondesh për të ndihmuar atë të mbulonte shkollimin e kolegjit. 18-vjeçari u diplomua si një student ekselent në First Coast High School në Jacksonville, por ai nuk ishte në gjendje të përballonte faturën prej 20,000 dollarësh për universitetin Georgetown pasi prindërit e tij baptistë jugperëndimorë ia mohuan këtë ndihmë sepse ai identifikohej si gej.

Fushata për mbledhjen e fondeve kishte një target relativisht modest prej $ 20,000. Ajo përfundoi duke mbledhur $ 141,636 në vetëm dy muaj.

Në bisedën e tij me DeGeneres, Owen tha se babai i tij zbuloi se ai ishte gej në vitit të tij të dytë të gjimnazit. Në atë kohë, tregon ai, atë e dërguan në terapi kuruese ose konvertuese, që synonte “shërimin” e tij për tërheqjen ndaj të njëjtit seks.

“Pjesa e rrezikshme në lidhje me këtë fakt është se, si pacient besoja se këta profesionistë të kujdesit shëndetësor po bënin atë që ishte më e mira për mua”, tregon Owen. Por gjatë vitit të tij të fundit të shkollës së mesme pati një krisje, kur një pastor i ri në kishën ku ai shkonte filloi predikimin kundër personave LGBTQ.

“Kërkova të shkoja në një kishë tjetër, dhe ata më thanë se ose do të qëndroja me ta ose do më duhej të largohesha. Dhe kështu që atë ditë unë vendosa të largohesha,” thotë ai. Megjithëse marrëdhënia me prindërit e tij mbetet ende “e vështirë”, ai ka vendosur të mbajë kontaktet.

“Në fund të ditës, ata janë ende prindërit e mi”, thotë ai.

Kur situata e Owen u bë e njohur gjerësisht, universiteti Georgetown u përgjigj duke i ofruar atij një bursë të plotë. Tani, tregon ai, ka në plan të përdorë paratë nga fondi për të nisur fondin e tij të bursave “për njerëzit në situata të ngjashme”.

Në këtë pikë, DeGeneres i ofroi studentit një çek prej $ 25,000 për fondin e tij.

Ky momenti prekës u parapri nga fjalët e Owen për DeGeneres si një ikonë e të drejtave të njerëzve LGBTQ.

“Kur përgatisja punët me shkrim në 2 të mëngjesit, shpesh më është dashur të shoh videot tuaja për t’u frymëzuar”, thotë ai. “Ka pasur shumë raste që me të vërtetë më ke ngritur moralin, kështu që e vlerësoj shumë këtë fakt.”/R.M

/huffingtonpost

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest