Gjykata e Lartë e Indisë legalizon seksin gej me një vendim historik

_103319443_5b10e737-b5c7-4d2c-b1c9-8a1ca2c22bb7

Me një vendim historik, Gjykata e Lartë e Indisë vendosi se seksi gej nuk është më një vepër penale.

Ky vendim shfuqizon vendimin e vitit 2013, që mbështeste një ligj të epokës koloniale të njohur si seksioni 377, sipas të cilit seksi gej kategorizohej si një “vepër e panatyrshme”.

Gjykata tani ka vendosur që diskriminimi në bazë të orientimit seksual është një shkelje thelbësore e të drejtave të njeriut.

Aktivistët jashtë gjykatës brohorisnin dhe disa prej tyre shpërthyen në lot ndërsa u shpall vendimi.

Edhe pse opinioni publik në qytetet më të mëdha të Indisë ka qenë në favor të heqjes së ligjit, ka një kundërshtim të fortë mes grupeve fetare dhe komuniteteve rurale konservatore.

Por ky vendim nga Gjykata e Lartë është verdikti përfundimtar për këtë çështje dhe përfaqëson një fitore të madhe për komunitetin LGBT të Indisë.

Një aktivist jashtë gjykatës tha për BBC: “Unë nuk kam dalë hapur te prindërit e mi deri tani, por sot mendoj se e kam bërë”.

 

Çfarë thanë gjykatësit?

Vendimi i së enjtes u mor nga një trup gjykues prej pesë gjyqtarësh të kryesuar nga Gjykatësi i Lartë i Indisë, Dipak Misra, dhe ishte unanim.

Duke lexuar vendimin, ai tha: “Kriminalizimi i marrëdhënieve trupore është joracional, arbitrar dhe dukshëm jokushtetues”.

Një tjetër gjyqtar, Indu Malhotra, tha se besonte se “historia i detyrohet një falje” personave LGBT për diskriminim që u është bërë.

Gjykatësi DY Chandrachud tha se shteti nuk kishte të drejtë të kontrollonte jetën private të anëtarëve të komunitetit LGBT dhe se mohimi i së drejtës për orientim seksual ishte i njëjtë sikur mohimi i së drejtës për privatësi.

Ky vendim i ri lejon seksin gej mes të rriturve në privatësi.

 

Çfarë është seksioni 377?

Është një ligj 157-vjeçar i epokës koloniale që kriminalizon disa veprime seksuale si “vepra të panatyrshme”, që dënohen me një afat dhjetëvjeçar burgu.

Ligji ndëshkon, me fjalët e veta, “marrëdhëniet trupore kundër rendit të natyrës me ndonjë burrë, grua apo kafshë”.

Ndërsa statuti penalizon seksin anal dhe oral, që prek kryesisht marrëdhëniet me të njëjtit seks.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se policia ka përdorur statutin për të ngacmuar dhe abuzuar me anëtarët e komunitetit LGBT.

 

‘Njohja e të drejtës së të gjithëve për të dashuruar’

Geeta Pandey, BBC News, Delhi

Edhe pse miratimi i të rriturve është kërkuar rrallë, seksioni 377 ndonjëherë është përdorur si mjet për ngacmime seksuale. Nuk është për t’u habitur pse aktivistët e përshkruajnë këtë vendim si një “agim të ri për lirinë personale”.

Në një Indi kryesisht konservatore, ku udhëheqësit e të gjitha feve kanë kundërshtuar vazhdimisht seksin gej, do të dojë ende kohë para se të ndryshojnë qëndrimet dhe komuniteti të ketë pranimin e plotë të shoqërisë.

Por ligjet pothuajse gjithmonë luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e mentalitetit dhe duke njohur të drejtën e komunitetit për të dashuruar, Gjykata e Lartë ka rivendosur dinjitetin e mohuar për një kohë shumë të gjatë.

 

Si arritëm në këtë pikë?

Ka qenë një rrugëtim torturues. Përpjekja për të shfuqizuar nenin 377 inicioi në vitin 2001 dhe u “sorollat” mes gjykatave dhe qeverisë deri në vitin 2009, kur Gjykata e Lartë e Delhit mori vendimin në favor të dekriminalizimit.

Më pas, disa grupe politike, shoqërore dhe fetare u mobilizuan për të rivendosur ligjin dhe në vitin 2013 Gjykata Supreme hodhi poshtë vendimin e Gjykatës së Lartë.

Aktivistët kundër seksionit 377 paraqitën më pas një “peticion kurativ” – një kërkesë zyrtare për të shqyrtuar një urdhër të mëparshëm të gjykatës të perceptuar si një “gabim të drejtësisë” – dhe në vitin 2016 Gjykata Supreme vendosi të rishqyrtojë vendimin e saj.

 

Cili ka qenë reagimi i komunitetit LGBT ndaj vendimit të fundit?

Një nga gëzimet është se komuniteti ka luftuar fuqishëm për të hedhur poshtë ligjin.

Aktivistët e të drejtave të barabarta kishin argumentuar se vetë ekzistenca e një ligji të tillë ishte dëshmi e diskriminit të bazuar në orientimin seksual.

Aktivistja LGBT Harish Iyer, tha për BBC: “Jam absolutisht e ngazëllyer. Është si një betejë e dytë e lirisë, ku më në fund kemi hedhur poshtë një ligj britanik nga ky vend. Mendoj se hapi tjetër do të ishte vendosja e ligjeve kundër diskriminimit ose ligjeve anti-bulling”.

Mesazhe mbështetjeje u postuan në Twitter, duke përfshirë edhe regjisorin Karan Johar.

 

Si reaguan partitë politike?

Partia qeverisëse BJP ka thënë se do t’ia lërë vendimin Gjykatës Supreme.

Megjithatë, një nga anëtarët e saj tha se ishte i zhgënjyer me verdiktin.

Subramanian Swamy, i njohur për komentet e tij provokative, tha: “Kjo mund të shkaktojë rritjen e numrit të rasteve me HIV.”

Ndërkohë, partia kryesore e Kongresit të opozitës e ka mirëpritur vendimin duke thënë se ata “shpresojnë se ky është fillimi i një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse”.

OKB ka mirëpritur gjithashtu vendimin, duke thënë se “orientimi seksual dhe shprehia gjinore përbëjnë një pjesë integrale të identitetit të një individi në të gjithë botën”.

 

Çfarë u tha tjetër në këtë vendim?

Gjykata tha se aspekte të tjera të seksionit 377, që kanë të bëjnë me seksin e panatyrshëm me kafshët dhe fëmijët, do të mbeten ende në fuqi.

Gjykatësit shprehimisht thanë se ata morën vendime mbi vlefshmërinë kushtetuese të nenit 377 dhe nuk shqyrtuan aspektin e të drejtave të tjera si ato që lidhen me martesën ose trashëgiminë.

Është ende shumë herët për të thënë se si ky vendim do të përkthehet në një të ardhme afatgjatë.

Autori dhe komentatori Sandip Roy i tha BBC-së se ndonëse vendimi ishte një shkak konkret për të festuar, ka ende pengesa për të kapërcyer dhe një nevojë për ligje kundër diskriminimit.

“Mendoj se do të ishim të marrë nëse do të mendonim se ky është fundi i betejës”, tha ai.

 

Ku është homoseksualiteti i paligjshëm?

Raporti i vitit 2017 nga “International Lesbian, Gay, Bisexual, Trans and Intersex Association (Ilga)” liston 72 vende dhe territore ku marrëdhëniet mes gjinisë së njëjtë janë ende të penalizuara, megjithëse kjo përfshinte edhe Indinë deri para vendimit të fundit.

Shumica e këtyre vendeve janë në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe pjesë të tjera të Azisë jugore.

Raporti thotë se homoseksualiteti rezulton në dënim me vdekje në tetë vende të botës./R.M

/bbc

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest