Torturat çnjerëzore të kampit të Tepelenës dhe njerëzit që i kujtojnë ende ato

20180823_172037

Dje në Ditën Evropiane të Viktimave të Sistemeve Totalitare, në kampin e internimit të Bënçës në Tepelenë, u organizua një event për të përkujtuar të tëra viktimat e sistemit brutal komunist, dhe në veçanti ata që e kanë vuajtur dënimin e tyre pikërisht në këtë kamp. Përveç organizimit artistik, pati edhe shumë të ftuar nga fusha e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.

Autoriteti i Dosjeve ka një projekt për kthimin në muze të ish-kampit, me çka synon mbështetjen e përkujtimit të vuajtjeve të mijëra grave, fëmijëve dhe të moshuarve nëpër kampet e punës së detyruar në komunizëm. Projekti u iniciua nga AIDSSH në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, të mbijetuar dhe familjaret e tyre.

Sipas Institutit të Historisë, të Akademisë së Studimeve Albanologjike, historia famëkeqe e këtij kampi fillon në maj të vitit 1949, ku u dërguan të gjithë të internuarit e Beratit. Gjatë viteve 1949 – 1953 në këtë kamp u vendosën rreth 1500 familje. Ky kamp ishte më famëkeqi për shkak të kushteve shumë të këqija të jetesës, për mungesën e theksuar të ushqimit dhe higjienës, për shkak të punës shumë të rëndë që ishin të detyruar të kryenin, si dhe për vdekshmërinë e lartë, sidomos të fëmijëve. Nga tetori i vitit 1950 e deri në dhjetor të po atij viti, numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë. Kjo ishte një vdekshmëri shumë e lartë e krahasuar edhe me kampe të tjera internimi.

This slideshow requires JavaScript.

Kur mori fjalën Zoti Simon Mirakaj, një i mbijetuar i këtij kampi, tregoi për fëmijërinë e tij të vuajtur dhe gjithashtu tha se përdorimi i atij kampi ushtarak si kamp internimi, i përndjek qytetarët e Tepelenës edhe sot e kësaj dite si bashkëpunëtorë të krimeve të ndodhura atje. Por tha ai, “ata nuk janë fajtorë, ata na kanë ndihmuar edhe pse ishin vetë të skamur”. Ai shprehu pezmatimin që edhe sot e kësaj dite, nuk ka asnjë të dënuar për krimet e ndodhura në kampin e Tepelenës dhe në kampe të tjera.

Para se të fillonte aktiviteti, mund të shihje se si burra e gra, disa më të rinj e disa më të vjetër, takoheshin me përzemërsi me njëri- tjetrin edhe pse midis lotëve.

Pashk Nikoll Ndreu, një i mbijetuar i kampit të Tepelenës, aty ku pa ti pushkatohej vëllai dhe më pas ti vdiste i ati, edhe pse mes lotëve, thotë: “Pashë sërish pamjet e dhimbshme që kam kaluar, por jeta do vazhdojë dhe duhet ti japim vetes kurajë dhe të jemi të kënaqur mes shoqërisë dhe njerëzve që kemi afër.”

Pavarësisht gjithë vuajtjeve që kanë parë e kanë përjetuar, këta njerëz të mëdhenj na mësojnë ta duam jetën dhe njëri – tjetrin si dhe të falim, sepse vetëm duke falur mund të ecim përpara./A.A.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest