E mbijetuara e përdhunimit, e cila ktheu aktivizmin e saj në një nominim për çmimin Nobel të Paqes

5b51f0661900002b00c6725c

Amanda Nguyen nuk është si shumica e njerëzve të moshës së saj.

Aktivistja 26-vjeçare po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si sistemi i drejtësisë penale amerikane i qaset dhunës seksuale dhe të mbijetuarve të krimeve të tilla. Në vitin 2014 – në moshën 23 vjeçare – Nguyen themeloi Rise, një organizatë jofitimprurëse kombëtare për të drejtat civile, që fokusohet në mbrojtjen e lirive të viktimave të sulmeve seksuale. Disa vite më vonë, ajo krijoi “Projektligjin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale”, një legjislacion që u siguron të drejtat themelore qytetare viktimave, në momentin kur ata raportojnë përdhunimet dhe gjatë përvojave mjekësore dhe ligjore që pasojnë.

Muajin e kaluar, Nguyen u propozua për Çmimin Nobel të Paqes për punën e saj të palodhshme.

“Isha e tronditur, e lumtur dhe krenare”, tha Nguyen në një email për HuffPost, duke kujtuar momentin që ajo përjetoi për nominimin e saj. “Sepse e dija që ky nominim nuk ishte vetëm për mua, ishte për miliona të mbijetuar që kanë parë të drejtat e tyre civile të ligjëruara”.

Udhëtimi i Nguyen nisi në vitin 2013, kur ajo u përdhunua gjatë vitit të saj të fundit në Universitetin e Harvardit. Pas ekzaminimit për përdhunim, policia e njoftoi atë se provat materiale të këtij ekzaminimi do të shkatërroheshin pas gjashtë muajsh, nëse ajo nuk do të paraqiste një kërkesë – edhe pse statuti për ndjekjen penale të përdhunimit në shtetin e Masaçusetsit zgjat 15 vjet.

Testimi i ekzaminimeve të përdhunimit është i rëndësishëm për disa arsye: ai mund të identifikojë një kriminel të panjohur, mund të konfirmojë praninë e një të dyshuari të njohur, mund të konfirmojë një të mbijetuar të një sulmi, mund të ndihmojë në zgjidhjen e rasteve të tjera që mund të mos përfshijnë dhunën seksuale si dhe mund të shfajësojë njerëz të pafajshëm. Por dhjetëra mijëra ekzaminime përdhunimi të patestuara gjenden aktualisht të magazinuara në komisariatet  e policisë në të gjithë vendin për shkak të mungesës së fondeve, burimeve dhe vullnetit politik.

Çdo gjashtë muaj, Nguyen duhej të depozitonte një kërkesë të re për të siguruar që ekzaminimi i përdhunimit të saj nuk do të shkatërrohej, me shpresën se mund të testohej për ADN-në e sulmuesit të saj.

“Në thelb, ky sistem më detyron ta jetoj jetën në bazë të datës së përdhunimit tim”, tha Nguyen për The Guardian në vitin 2016.

Ishte përmes përvojës së saj si një e mbijetuar që Nguyen kuptoi se diçka duhej të ndryshonte.

“Jetët e grave shpesh nuk vlerësohen me dinjitet të plotë njerëzor,” tha ajo për HuffPost, duke shtuar se si një grua aziatike-amerikane, ajo e di shumë mirë se si ndërthuren raca dhe dhuna seksuale.

“Gratë aziatike amerikane janë subjekt i hiper-seksualizimit, i cili kontribuon në dhunën seksuale”, shtoi ajo. “Objektivizimi i trupave femërorë aziatikë dhe stereotipi se gratë aziatike janë të nënshtruara, është një shembull konkret i këtij rasti. Portretizimi ekzotik i trupave tanë na dehumanizon dhe ky dehumanizim i jep një mundësi më tepër dhunës seksuale “.

Në vitin 2014, Nguyen themeloi Rise dhe filloi të punonte mbi Projektligjin e të Drejtave të të Mbijetuarve të Sulmeve Seksuale. (E gjithë kjo ndërsa punonte si një ndërmjetëse në Departamentin e Shtetit në Shtëpinë e Bardhë dhe trajnimit për t’u bërë astronaute. Jua thashë, ajo nuk është si shumica e njerëzve në të 20-at e tyre.)

Projektligji i të drejtave ka garantuar mbrojtje të caktuara ligjore për të mbijetuarit, duke përfshirë informimin e të drejtave të tyre nga zbatuesit e ligjit, të paturin e një këshilltari dhe ekzaminimin e përdhunimit, njoftimin për rezultatet e mjekësisë ligjore përpara se sa ekzaminimi të shkatërrohet, dhe ruajtjen e ekzaminimit të përdhunimit për kohëzgjatjen e statutit të kufizimeve, që ishte 15 vjet, ose deri sa të gjenden burimet për ta testuar atë. Më pas, Presidenti Barak Obama e nënshkroi këtë projektligj në nivel federal, në vitin 2016.

“E shkruam këtë projektligj jo vetëm për të ndihmuar të mbijetuarit, por për të ndihmuar punonjësit e policisë, prokurorët dhe sistemin gjyqësor që të bëjnë më mirë punën e tyre, dhe si rezultat, si të mbijetuarit ashtu dhe sistemi ynë i drejtësisë penale mund të kërkojnë drejtësinë që meritojnë “, tha ajo për HuffPost.

Tani, Nguyen po bën fushatë për të miratimin e këtij projektligji në të 50 shtetet. Misioni i saj është më i rëndësishëm se kurrë sidomos në epokën #Me Too.

“Që prej lëvizjes #Me Too, ne kemi patur më shumë ligjvënës dhe vullnetarë që na janë drejtuar, më shumë të mbijetuar që flasin për eksperiencat e tyre, si dhe më shumë thirrje për veprim për të rregulluar sistemin tonë të drejtësisë penale”, tha ajo. “Kjo i ka bërë njerëzit shumë më të vetëdijshëm për punën që kemi ende përpara.”

Është jetësore që të ketë një legjislacion për të mbështetur të mbijetuarit, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz dalin e tregojnë historitë e tyre, shtoi ajo.

“Nëse njerëzit ndjehen sikur duan të bëjnë diçka, Rise ka një element veprimi të prekshëm për ligjvënësit dhe qytetarët – miratimin e projektligjit të të Drejtave të Mbijetuarëve”, tha Nguyen.

Nguyen thotë se mbështetet nga miliona të mbijetuar, të cilët janë ndihmuar nga Rise dhe Projektligji i të Drejtave të të Mbijetuarve të Sulmeve Seksuale.

“Asgjë nuk më shtyn më shumë sesa të di që kemi ndikuar në jetët e 32 milionë të mbijetuarve në mbarë vendin dhe se ky është vetëm fillimi”, thotë ajo. “Unë e shikoj këtë si një metaforë – sa herë që një i mbijetuar më tregon historinë e tij ose të saj, është një peshë që unë e mbaj, por gjithashtu ajo mban zjarrin tim ndezur për të luftuar më tej.”/R.M

/huffingtonpost.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest