Historia e pazakontë e transgjinores shqiptare “Jetova si murgeshë për 7 vite”

LILI img
*Identiteti i personit të intervistuar në këtë video nuk është bërë publik për të respektuar anonimitetin

Emri i saj është Lili, ajo është një transgjinore nga Shqipëria dhe ka vendosur të ndajë me Historia Ime rrëfimin e jetës së saj.

Historia e Lilit është e pazakontë, rrëfimi nis që prej kujtimeve nga adoleshenca ku Lili nisi të ndiejë se kishte lindur në trupin e gabuar (gender dysphoria), largimin nga familja në moshën 17 vjeçare, kthesën që pësoi jeta e saj një ditë të zakonshme kur hyri në kishë dhe se si arriti të bëhej pjesë e konviktit të murgeshave duke udhëhequr një jetë të dyfishtë, jetën e një murgeshe.

Sot Lili hedh një vështrim pas në të kaluarën , duke reflektuar mbi peripecirat që kaloi për të fituar në fund atë që gjithëkush nga komuniteti trans dëshiron më shumë: mbështetjen e familjarëve.

Kisha Katolike nuk iu përgjigj kërkesës zyrtare për koment, të dërguar nga redaksia e “Historia Ime”, deri në momentit e publikimit të këtij artikulli.

Ndiqni videon më poshtë për të dëgjuar rrëfimin e Lilit:

Intervista e plotë:

Si ka qenë fëmijëria jote?

Fëmijëria ime ka qenë e vështirë, babai më urrente ndërsa vëllezërit më shikonin ndryshe.

Që kur isha 14-15 vjeç, shoqërohesha më së shumti me vajza sesa djem. Në moshën 16 vjeçare ndjeva një zhvillim të gjoksit dhe nisa të konsultohem me mamanë. Më pas mamaja ia komunikon babait këtë gjë. Babai më sjell menjëherë në spitalin e Tiranës për të më bërë një kontroll.

Pastaj nisi grindja në familje për mua. Kjo pasi për ta unë isha një fëmijë që nuk do të martohej, një fëmijë që nuk do të krijonte dot familje.

Pavarësisht grindjeve, mamanë e kam pasur gjithnjë afër kurse babi ishte pakëz i sertë. Me babanë kisha mungesë komunikimi, ndieja se më urrente. Kjo situatë më bëri të merrja vendimin për tu larguar.

 

Po raportet në shkollë me shokët dhe shoqet e klasës, mësuesit, si kanë qenë?

Në shkollë nuk më ofendonte njeri, gjërat kanë shkuar shumë mirë. Kam pasur shumë shoqëri e konsiderohesha si më e dashura.

 

Kur ka qenë hera e parë që je veshur si vajzë?

Për herë të parë jam veshur me rroba vajzash kur jam larguar nga familja.

 

Kur je larguar nga familja dhe si re në kontakt me Kishën?

Kam qenë 17 vjeç kur u largova nga familja. Kur u largova nuk e dija ku do të shkoja. Nuk e njihja mirë Tiranën dhe po vërdallisesha në rrugë. Për momentin isha duke ecur tek Rruga e Kavajës, ku ishin mbledhur një tufë njerëzish tek Kisha Katolike “Zemra e Krishtit”. Unë vendosa të futem brenda.

Ishte hera ime e parë në një kishë. Pasi përfundoi mesha e të dielës, besimtarët u larguan dhe unë mbeta vetëm duke parë ikonat e shenjtorëve. Më pas prifti mu afrua dhe më pyeti nëse isha besimtare. Unë iu përgjigja se isha myslimane. Ai nuk më mori për djalë, por mendoi se isha vajzë.

Më pas ai më ftoi në katin e dytë të Kishës Katolike, ku zhvilloheshin mësimet e katekizmit. Atje ishte një murgeshë e cila iu jepte mësim disa vajzave dhe djemve. Pasi përfundoi katekizmi, ata u larguan dhe unë mbeta vetëm me murgeshën. Ajo më pyeti “Nga je?”. Unë i tregova se ishte hera ime e parë në një kishë.

Më pas vijova ti tregoj se jam larguar nga shtëpia për shkak të urrejtjes së babait ndaj meje dhe se isha pa një shtëpi. I kërkova të më ndihmonte, përndryshe do të përfundoja mes 4 rrugëve.

Ajo më pas më mori me vete tek zyrat pranë “Zoja e Këshillit të mirë”, ku rrinin dhe shumë murgesha të tjera. Atje më dha për të ngrënë dhe më premtoi se do të më ndihmonte. Ajo njësoj si prifti më mori për vajzë.

 

Çfarë ndodhi më pas?

Meqenëse ajo u zotua për të më ndihmuar unë nuk mund ti thoja se në të vërtetë isha mashkull. Atë natë murgesha rezervoi një dhomë në hotel për mua. Të nesërmen në mëngjes unë shkova tek konvikti. Atje takova motrat e “Nënë Terezës” të cilat ishin lajmëruar nga murgesha. Ato kishin siguruar një vend-strehim për mua.

Atje u prezantova me një superiore, e cila ishte nga Afrika, por e lindur në Amerikë. Ajo më ndihmoi shumë për tu bërë pjesë e konviktit të tyre. Aty mund të mësoje në fusha të ndryshme: shkenca kompjuterike, italisht, bamirësi etj.

Ajo më sugjeroi që nëse kisha dëshirë të bëhesha një motër ose murgeshë, mund të nisja shkollën tek konvikti. Unë vendosa të regjistrohesha në konviktin e murgeshave, edhe pse më përndiqte frika se prindërit do të më gjurmonin një ditë. Mendjen e kisha tek mamaja, pasi e dija që një ditë ajo do të vinte e do të më kërkonte.

Sa kohë qëndrove tek konvikti?

Në konvikt qëndrova diku tek 7 vite. Në këto vite nuk kam pasur asnjë lloj komunikimi me familjen time.

Gjatë këtij rrugëtimi unë nisa shkollën për bamirësi e më pas dhe u pagëzova nga Kisha, ku më vunë emrin Katerina. Konvikti kishte 32 vajza, murgesha. Unë e ndaja dhomën me 3 murgesha të tjera. Ato nuk e kuptuan asnjëherë se unë isha në të vërtet mashkull. Më pas nisa shkollën për italisht.

Gjatë kësaj kohe prindërit e mi kishin nisur të shqetësoheshin e të më kërkonin pas vitesh të tëra mungese. Një ditë babai kishte shkuar me foton time në komisariatin numër 4 në Tiranë. Edhe në rrugë ai i pyeste kalimtarët nëse dikush më kishte parë vërdallë.

 

A arriti babai të të gjente?

Mënyra se si  më gjeti ishte përmes një djali. Ai më kishte parë një të diel kur unë shpërndaja ushqim falas për të varfërit bashkë me motrat e tjera, pjesë e çdo të diele. Të njëjtin person babai im e kishte pyetur një ditë në rrugë duke i treguar foton time. Aty ai arrin të bëjë korrespondencën dhe e pyet babain “Është djali yt apo vajza jote, pasi unë e kam parë të dielave dhe shërben tek murgeshat?”.

Babai në mënyrë që të më gjente e pohon menjëherë dhe vjen më viziton tek konvikti të dielën e ardhshme. Unë isha në kat të tretë duke pastruar mensën dhe për momentin pashë nga ballkoni babanë dhe mamanë, jashtë porte.

Teksa zbrita për të hapur portën, atje u ballafaqova me një motër shqiptare, e cila më pyeti “Katerina ku po shkon?”. Unë ia ktheva se po takoj mamin dhe babin, e u nisa për të hapur portën pa lejen e saj. Më pas ajo lajmëroi motrën superiore se unë do të takoja prindërit.

 

Si ishte ballafaqimi me babain?

Pasi e pashë babain, e tërhoqa mbrapa pallatit në mënyrë që mos të na shihte motra superiore. Ndërkohë motra superiore erdhi zbathur me një vrap të madh dhe thërriti me zë të lartë “ Katerina ndalo aty”. Unë ndalova menjëherë.

U afrua dhe i tha: “Prindërit e Katerinës jeni ju?” Babai për momentin heshti dhe u trishtua shumë. Unë i fola në italisht motrës superiore “Të lutem , mos më thërrit me emrin Katerina apo Lili, pasi prindërit nuk e dijnë për këtë gjë”.

Ndërsa babai ia ktheu: “Ky është djali im”. Motra superiore ia kthen e shokuar: “Ky është djali yt??”. Pas disa momentesh shoku, i kërkova motrës ta merrte babain në zyrë e të diskutonim atje.

Ajo më pas më tha “Katerina ngjitu lart e më pas do të diskutoj me ty”.

Nuk e dij çfarë ka diskutuar aty me babin në zyrë pasi nuk më la murgesha. Babai pas takimit me të u largua, ndërsa murgesha i kishte premtuar se do të kujdesej për mua. Pasi babai largohet dhe kalon portën, ajo menjëherë bërtet me të madhe emrin tim.

Eja këtu menjëherë në zyrën time!!!”.

 

Si rrodhi jeta jote pas kësaj ngjarjeje?

I thashë motrës superiore se e kam pranuar veten dhe jam pagëzuar kështu siç jam. 

Më pas i tregova për historinë e babait tim se pse ishte kundër meje. Të them të drejtën motra superiore ishte shumë e dashur. Më pas ajo më çoi tek një spital tek medreseja për një kontroll.

Por motra më tha se nuk do të rrija më këtu në konvikt por do të shkoja tek priftërinjtë në Bushat, në Shkodër. Ajo në të vërtetë më ndihmoi shumë. Atje nisa shkollën për bamirësi dhe takove një Padër Leon, i cili vinte po ashtu nga Afrika. Kur shkova në Shkodër iu prezantova si djalë, pasi i kishe thënë dhe murgesha.

 

Si ishte jeta jote kur shkove në Kuvendin në Shkodër?

Në kuvendin e Shkodrës qëndrova vetëm 6 muaj. Pas kësaj kohe, unë u ktheva në Tiranë teksa prifti më dha një letër për murgeshat. Unë nuk e dija se çfarë përmbante ai zarf. Kur arrita në Tiranë fola me motrat dhe ato lexuan zarfin.

Njerëzit e pyesnin vazhdimisht priftin “Po kjo çfarë është? Nga ka ardhur?”. Prifti nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër vetëm të më sillte mua mbrapsht në Tiranë.

Motrat më morën dhe më treguan se kishin gjetur një shtëpi me qera. Këtë shtëpinë ma paguan për një vit ato si dhe më siguruan ushqim përditë, të cilin e merrja tek azili i pleqve.

Edhe pse vija veshur me rroba djali, ato më thërrisnin Katerina pasi pamjen e kisha femërore. Përpos kësaj ndihme ato më jepnin dhe një sasi parash për të mbuluar shpenzime të vogla si kafe etj. Pas një viti, motrat nuk mundën të më ndihmonin më financiarisht.

Atëhere unë nisa rrugën e terrenit.

 

Ti vetë, gjatë kohës që ke qëndruar në konvikt, e ke marrë guximin ti thuash motrave në kishë që ke lindur në trupin e gabuar, pra në trupin e një djali?

Guximin do ta merrja, në pozicionin që isha nuk mundja dot. Por do vinte një ditë që do të thoja të vërtetën.

 

Po me familjarët a je takuar më që prej ballafaqimit në konviktin e Kishës?

Kontaktova mamanë në telefon duke i thënë se ndodhesha në Tiranë. Më pas mamaja më kaloi babain, i cili më tha se mund të shkoja në shtëpi. Aty u lumturova pa masë.

Kur shkova në shtëpi babit iu mbushën sytë me lot dhe më puthi në të dyja faqet. Gjithashtu edhe mamaja u përlot, kurse vëllezërit më shihnin me një sy ndryshe. Babai më tha: “Unë të kam pranuar kështu siç je. Por duhet të bëhesh i zoti i vetes e të punosh, pais unë nuk të mbaj dot”.

Që atëhere e deri më sot unë kam lidhje me familjen, shkoj dhe vij në familje duke mos pasur asnjë problem. Babai më në fund më pranoi ashtu siç jam.

Jam shumë krenare për familjen time dhe e dua. Kjo është e gjitha për mua. Jam e lumtur dhe askush prej familjarëve nuk më përbuz.

 

A përballesh me urrejtje apo ofendime në jetën e përditshme?

Shumë, jo pak. Por përpiqem mos ti vë veshin askujt. Por mua nuk më bën përshtypje që ai personi më shan, më ofendon sepse një person që shan sot, nesër… do vij një moment që do lodhet dhe nuk do të merret më me mua.

 

A ke një mesazh për persona të tjerë nga komuniteti trans që mund të hasin të njëjtën vështirësi?

Mesazhi im për çdo person trans është që mos të ketë frikë nga vetvetja por ta shprehi lirshëm veten, mos të ketë frikë nga paragjykimet e personave të tjerë por të eci gjithnjë përpara.

 

*Nga Kristina Millona

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest