“Nata e parë në pushtet”

tirana

*Nga Kristi Pinderi

Kur dita e zgjedhjeve po afronte në verën e vitit 2009 nisa të dëgjoj për herë të parë në mbledhjet e G99 të flitej për zëvendësimet në administratë.

Në rastin më realist partia do të zgjidhte një deputet. Në një skenar më të mirë do të zgjidhte dy deputetë, një në Berat dhe një në Tiranë. Andej nga fundi i fushatës optimizmi ishte aq i madh sa shpresa se ndoshta mund të kishte edhe një kandidat të tretë në Elbasan ose ndoshta një në Vlorë që do të zgjidhej deputet u shndërrua gati në një bindje të cilën nuk e vinte në diskutim askush. Bindja ishte e tillë që jo vetëm do zgjidhnim 3 deputetë, por G99 do ishte faktori kryesor për ndërtimin e qeverisë, pra do merrte rolin e “King Maker”.

Në një nga këto ditë kur bëheshin llogaritë më optimiste në parti, dëgjova për herë të parë kryetarin të artikulonte diçka konkrete: “Do të na duhen”, tha, “që natën e parë 1000, 1500 vetë për të ndërtuar skuadrën në qeveri”. Dhe akoma më shumë njerëz, mendoja unë, natën e dytë, pastaj natën e tretë, e kështu me rradhë.

Kur u bë e qartë se jo vetëm nuk do të kishte 3 deputetë, por G99 nuk do të ishte fare në Kuvend ngaqë votuesit nuk kishin mundur të bënin dot dallimin mes saj dhe PS e për pasojë edhe ata votues të identifikuar si potencialisht të G99 kishin votuar, në fakt, Partinë Socialiste, mua nuk më shqitej nga mendja jo vetëm shifra e mijëra njerëzve të cilët kishin filluar të mos e vinin në dyshim se që javën e parë pas zgjedhjeve do drejtonin administratën e për pasojë edhe Shqipërinë, por sidomos lehtësia e një proçesi që në fakt, do të duhej të ishte pak më i komplikuar, më transparent, më përfshirës, e për pasojë më i vështirë. “1000, 1500 brenda natës së parë”, më kumbon akoma edhe sot e kësaj dite në vesh.

Lehtësia për të mbledhur pranë vetes një grup që mund ta kontrollosh, është e kundërta e përpjekjes për të ndërtuar komunitete. Të zëvendësosh brenda natës mijëra vetë të administratës së një vendi të vogël nuk do të thotë të marrësh pranë vetes skuadrat politike me të cilat do qeverisësh. Në fakt, më shumë se kjo, do të thotë të shpërblesh një grup besnik në kurriz të një grupi tjetër, të përjashtosh disa në mënyrë që të privilegjosh disa të tjerë, t’ua ndalosh mundësitë një grupi në mënyrë që t’i hapësh mundësi të reja një grupi tjetër. Aftësia për të patur këtë rol kaq vendimtar në jetët e njerëzve, të jep mundësinë t’i kontrollosh shumë më mirë ata.

M’u kujtua kjo kur pashë videon e një leksioni të arkitektit dhe urbanistit Winy Maas. Që të jemi të qartë, planifikimi urban nuk është vetëm një çështje e estetikës, por është mbi të gjitha një proces përfaqësimi. Planifikimi dhe zhvillimi urban, nuk është vetëm fushë e debateve të aftësive inxhinierike, as çështje e ngjyrave të fasadave, por është një mundësi për të diskutuar mbi mirëqënien e qytetarëve, mbi hapësirat e përbashkëta urbane, mbi shëndetin publik, mbi mjedisin.

Planifikimi dhe zhvillimi urban, të paktën ashtu si unë e kam kuptuar nga përvoja e gërmimeve arkeologjike si ish student në disa qytete romake apo dhe ilire, është një proces që lartëson komunitetin, jo detyrimisht ndërtesën; që e vendos bukurinë e gjeometrisë, të ngjyrave dhe të natyrës në funksion të komunitetit (në këtë rast të qytetit) dhe jo anasjelltas; që kujdeset për mirëqënien psikosociale sepse në një qytet nuk kanë rëndësi vetëm vendet e punës, arkitektura apo infrasktruktura, por edhe përvoja e jetuar. Sepse qyteti nuk është vetëm beton, xham, fasada, tulla e ngjyra, por edhe kujtesë e diçkaje të jetuar (studiuesit e quajnë këtë nëndarje të re psikologjia urbane, shumë e rëndësishme në fushën e psikologjisë por dhe e studimeve të shëndetit mendor).

Ka një tentativë në rradhët e pushtetit për të deklaruar se njerëzit e vet janë njerëz me shije dhe se ndryshojnë në këtë drejtim nga ata që dikur përbënin enturazhin e Partisë Demokratike. Ka thuajse një bindje të shprehur me zë të lartë se shijet e këtyre janë më të holla se shijet e atyre. Mund edhe të jetë e vërtetë por shijet në këtë rast, nuk hyjnë në punë për asgjë. Qyteti është një mundësi për të ndërtuar komunitete të shëndetshme e jo një fushë-hapësirë-telajo ku një piktor të derdhë ngjyrat që e pushtojnë dhe e mundojnë në nënndërgjegjen e vet e kështu i duhet ti nxjerrë nga vetja sepse përndryshe asfiksohet.

E për pasojë, duke qenë një fushë ndërdisiplinare dhe një temë për pjesëmarrje, planifikimi urban kthehet kështu në një çështje politike! Ku vendimet diskutohen me komunitetin, jo me klientin. Ku vendimarrja është transparente, e hapur, gjithpërfshirëse, demokratike, ndonjëherë edhe me demokraci të drejtpërdrejtë përmes referendumeve, e jo mes një piktori dhe një arkitekti pas një darke larg syve të publikut. E si çdo gjë tjetër në demokraci, nuk ka rëndësi vetëm dizajni, as kombinimi i ngjyrave e as estetika që në thelb mbetet gjithnjë subjektive. Më shumë se çdo gjë tjetër ka rëndësi procesi.

Përndryshe nuk kanë çfarë na duhen zgjedhjet, as këshillat, as përfaqësuesit në nivel qëndror e lokal, as ligjet, as Kuvendi (ai që përfaqëson jo ai që legalizon vendimet e kryeministrit), as media, as kontrollet, as rregullatorët, as gjykatat, asgjë e askush nga këta që garantojnë procesin.

Ashtu, do të na mjaftonin 1000-1500 njerëzit e kryetarit, i cili i gjen aq lehtësisht.

Brenda natës së parë në pushtet…

*Autori ka punuar, ndër të tjëra, Drejtor i Komunikimit në Lëvizjen MJAFT e më pas në zyrën e shtypit të G99  

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest