Aborti krahasohet me krimet naziste – a do ta thyejë kjo mitin e Papës revolucionar?

Pope-Francis-620x330

Që kur foli për herë të parë Papa Françesku në mbrëmjen e zgjedhjes së tij, 13 mars 2013, kur filloi me një “mirëmbrëma” informale, shtypi filloi ta lavdërojë duke e konsideruar çdo fjalë, gjest, veprim apo vendim të tij si “revolucionar.”

Nuk mund ta mohojmë se ky papë ka bërë disa hapa në drejtimin e duhur, veçanërisht kur krahasohet me paraardhësit e tij Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, por ai duket se ka vetëm fjalë të bukura dhe qëllime të mira. Ai krijoi një komision kardinalësh për reformën e kurisë – duke zgjedhur disa zyrtarë të lartë të dyshimtë në këtë proces – por kjo nuk ka prodhuar asgjë thelbësore për shumë vite. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Komisionin e tij për Mbrojtjen e të Miturve, e themeluar në vitin 2014. Sipas Marie Collins, një viktimë abuzimi dhe ish-anëtare e Komisionit, asnjë nga masat e propozuara për të luftuar pedofilinë në kler nuk është zbatuar deri tani.

Për ta thënë më qartë, veprimet e tij nuk përkojnë me fjalët e tij.

Për të dhënë edhe një shembull tjetër: Fraza e tij e famshme “Nëse një person është gej dhe kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë që ta gjykoj?” ka marrë dhenë nëpër botë dhe ka ngritur shpresat e katolikëve të panumërt gej, por kjo nuk ka sjellë asnjë ndryshim konkret.

Dhe sigurisht, nëse ka një çështje ku askush nuk pret ndonjë progres, është pozita e Kishës mbi të drejtat riprodhuese të grave.

Megjithatë, mbetet pyetja nëse Papa Françesk do të quhet ende “revolucionar” pas krahasimit të tij të abortit me krimet naziste, siç bëri me 16 qershor. Por ndoshta dikush mund të thotë çdo gjë për të drejtat e grave pa e minuar këtë figurë “Pape progresiv”.

Më 16 qershor 2018, në një fjalim të delegatëve të Forumit Familjar, Papa Françesku dha mendimin e tij për një seri çështjesh delikate, duke krijuar shumë polemika.

Ai përsëriti se një familje mund të jetë vetëm midis një burri dhe një gruaje.

Ai vlerësoi durimin e grave që falin burrat e tyre tradhëtarë.

Krahasoi abortin e kryer për shkak të anomalive ose keqformimeve të fetusit me atë që nazistët kanë bërë për të “ruajtur pastërtinë e racës”.

Fjalët e tij të sakta ishin: “Kam dëgjuar se është në modë, ose të paktën e zakonshme, që kur në muajt e parë të shtatzënisë bëhen studime për të parë nëse fëmija është i shëndetshëm ose ka diçka që nuk shkon, oferta e parë është: le ta heqim. Këtë e them me dhimbje. Në shekullin e fundit, e gjithë bota është skandalizuar me atë që bënë nazistët për të pastruar racën. Sot ne bëjmë të njëjtën gjë, por tani e bëjmë me doreza të bardha”./A.A.

/newsmavens.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest