Masat kundër emigrantëve në SHBA, fëmijët mbahen në kafaze të ndarë nga prindërit

1403120782000-phxdc5-6fse5sangjbm29vhjh3-original

Rreth 2000 fëmijë emigrantësh në SHBA mbahen në kampe në formën e kafazeve për javë të tëra apo për muaj. Ata janë fëmijët e familjeve të emigrantëve që ndalohen nga patrullat amerikane, prindërit e të cilëve ndiqen penalisht për shkelje të paligjshme të kufirit.

“Nëse kaloni kufirin në mënyrë të paligjshme, do të ndiqeni penalisht”, ka thënë Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions në maj të këtij viti. “Nëse trafikoni fëmijë përtej kufirit, do të ndiqeni penalisht. Dhe fëmija do të ndahet nga ju, sipas ligjit.”

Përfaqësues të qeverisë Trump thonë se më përpara, shumë azilkërkues që hynin në Amerikë në mënyrë të paligjshme e me fëmijë të vegjël, nuk mbaheshin të mbyllur në qendra ndalimi, në pritje sa t’u shqyrtohej kërkesa për azil. Ata liheshin të lirë për shkak të fëmijëve deri ditën që duhej të paraqiteshin për vendimin, por në shumicën e rasteve nuk paraqiteshin fare dhe vazhdonin jetën e paligjshme në Amerikë.

Sipas administratës, kjo ishte kthyer në metodë për të përfituar nga boshllëqet e sistemit dhe kishte shtuar ndjeshëm numrin e emigrantëve të paligjshëm. Për këtë arsye, qeveria vendosi të mos i  lirojë prindërit me fëmijë dhe as t’i mbyllin bashkë në burgje. Ata vendosën t’ua mbajnë fëmijët të ndarë, në kampe të posaçme, ndërkohë që prindërit gjykohen për krimin e shkeljes së kufirit. Kjo procedurë zgjat disa javë e deri në disa muaj.

Një numër i madh reagimesh dhe artikujsh mbi këtë çështje janë shpërndarë ne mediat ndërkombëtare pas publikimit të këtij regjistrimi zanor, ku fëmijët e rrethuar nga gardhet e hekurit qajnë dhe kërkojnë prindërit.

Gjatë administratës së Obamës dhe të presidentit Bush, ky ligj zbatohej vetëm me emigrantët e paligjshëm që riktheheshin në SHBA për herë të tretë ose të katërt.  Por administrata e presidentit Trump vendosi t’i ndjekë penalisht që me herën e parë ata që shkelin kufirin, me idenë që të shkurajojnë të tjerët që mendojnë të nisen. Kjo gjë ka krijuar situatën e tanishme. Më parë kishte rreth 20-30 raste të tilla në ditë. Tani janë 200, sipas Miguel Nogueras, avokat në McAllen, Teksas.
/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest