Protestë kundër “dashurisë” vrastare

IMG-20180616-WA0003

Në një protestë të lajmëruar prej disa ditësh nëpër rrjete sociale kundër dhunës ndaj gruas dhe indiferencës së treguar nga politika dhe policia e shtetit ndaj këtij fenomeni, të rinj dhe të reja, qytetarë dhe qytetare u mblodhën para Drejtorisë së Policisë Tiranë. Edhe pse hasën kundërshtim nga punonjës të policisë për vendin e zgjedhur, protesta u mbajt dhe vazhdoi paqësisht.

Gresa Hasa, një nga organizatoret e protestës tha: “Ne jemi këtu sot për ti kërkuar llogari këtij shteti se pse nuk i merr parasysh rastet e qindra vajzave që kanë ardhur ta denoncojnë dhunën dhe kanë përfunduar të vdekura. Ato kanë ardhur me dhjetëra herë që ju ti mbroni, dhe ju i keni dërguar në duart e vrasësve.  Dhuna mund ti ndodhë secilës prej nesh. Dhuna nuk ndodh diku në periferi apo njerëzve për të cilët dëgjojmë në lajme. Vrasja mund të prekë secilën prej nesh, kur dalim nga shtëpia, kur kthehemi në shtëpi, kur shkojmë në shkollë, kur dalim nga lokali, sepse dikujt i është ngrehur të të fusë duart, të të prekë, të të përdhunojë ose thjesht të të heqë qafe. A mban njeri përgjegjësi për këtë gjë?”

Ajo denoncoi edhe mënyrën se si mediat e trajtojnë çështjen e vrasjes së grave dhe vajzave duke e romantizuar dhe duke justifikuar krimin në emër të dashurisë. “Të thoni, atë e vrau dashuria, do të thotë që ju nuk ia keni haberin as dashurisë, as paqes dhe as tolerancës, sepse dashuria jep jetë dhe nuk merr jetë,” tha ajo.

Pas saj, fjalën e morën edhe qytetarë të tjerë të indinjuar ndaj këtij fenomeni. Një prej tyre ishte një qytetar që vinte nga Norvegjia, i cili dënoi rëndë fenomenin e femicidit në Shqipëri si dhe indiferencën e politikaneve shqipëtare ndaj këtij fenomeni.

This slideshow requires JavaScript.

Një protestues tha: “Kam qenë në shumë protesta, por kjo është ajo më kuptimplota. Më vjen shumë keq që shoh kaq pak pjesëmarrës në një protestë për një plagë kaq të rëndë të shoqërisë tonë, dhe aq shumë pjesëmarrës kur vjen puna për karriget e disa dhjetra politikanëve,” ndërsa një aktiviste për të drejtat e njeriut tha se duhet të jemi solidare me njëra- tjetrën dhe edhe pse policia nuk di apo nuk e bën punën e saj, ne duhet të raportojmë dhe denoncojmë rastet e dhunës dhe të bëjmë detyrën tonë si qytetarë të këtij vendi.

Shtetasja Australiane, historia e të cilës është publikuar edhe tek emisioni “Stop”, shumë e prekur dhe midis ngashërimave, gjeti forcën për të bërë publike edhe një herë atë që asaj i kishte ndodhur, si dhe mënyrën se si policia e kishte trajtuar çështjen e saj. Edhe pse atë vetë e kishin mbajtur në rajon të policisë për 11 orë, ndërsa dhunuesin e saj vetëm tre orë dhe i cili nuk kishte bërë asnjë ditë burg për krimin ekryer, ajo çfarë e kishte tronditur më shumë ishte kur një nga policët e kishte “ftuar për jetë nate.” Ajo tha që dhuna ndodh kudo, por në këtë mënyrë nuk trajtohet askund.

Një tjetër qytetare foli me keqardhje për mentalitetin e vetë grave kur tregoi se si po bisedonte me një shoqen e saj, e cila i kishte thënë që nuk kishte nevojë të dilte në protestë, sepse burri e lejonte të dilte për kafe apo të shkonte tek mamaja. “Ky është mentaliteti që duam të luftojmë,”tha ajo./A.A.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest