Mendimet në zonën time gri

Nicolas_Monin-Baroille
Foto Ilustruese: © Endless Thoughts, by Nicolas Monin-Baroille

*Blue Warmth

Unë jam ajo që nuk e di se çfarë dua: një vajzë, një djalë, një grua a një burrë. Për shumë kohë gjithë qenien time seksuale ua kam dedikuar djemve e burrave, kam provuar me ta thuajse gjithçka. E megjithatë, ndër gjithë këto eksperienca të shumta, kurrë nuk kam pasur kontakt seksual me një vajzë. Me gjasa shumë që më njohin mendojnë se jam tërësisht e hapur dhe e lexuar ndaj gjithçkaje lidhet me seksualitetin, e prapëseprapë e gjeta veten duke kërkuar në Google: “Signs you might be a bisexual”.

Të qënit kështu, siç unë ndjej se jam tani në mënyrë të vetëdijshme, është e kushtueshme emocionalisht. Kompulsivisht këto javë jam rropatur të kuptoj nëse dua femrat a meshkujt. Bota e portretizon orientimin seksual si diçka të palëkundshme, solide, si e bardha në të zezë. Jo për mua, unë gjendem në zonën gri sot teksa shkruaj.

E madje jam tërësisht ndryshe nga ajo figura seksi e dy vajzave që puthen në videot porno, nuk jam as ajo vajza që sheh vetëm porno mes femrave apo vetëm mes meshkujve. Unë jam ajo që nuk shoh pothuajse fare porno; Ajo që i pëlqen të fantazojë vetë në vend të të parit vizualisht të standardeve të shumëfishta të industrisë.
Mendoj që gjatë jetës sime ka pasur disa momente (kryesisht nën efektin e disa/shumë gotave alkool) që kam pasur dëshirën e papërmbajtshme për të qenë me dikë të gjinisë sime, deri më tani nuk e kam bërë. Mendoja gjithmonë kur zgjohesha hangover se ishte vetëm alkooli dhe në mënyrë të vazhdueshme jam përpjekur t`i mbush mendjen vetes me sloganin sarkastik të rrjeteve sociale “I love di*k”, derisa para disa javësh më ndodhi të takoja rastësisht disa aktivistë të komunitetit LGBT+.

Që prej ditës rastësore, e gjeja veten duke parë dhe duke gërmuar në rrjetet sociale për komunitetin. Jo se më parë nuk kisha dijeni për këtë komunitet, po ishte pikërisht tani që u preka nga diçka që shkonte përtej kauzës së të drejtave të njeriut. Një ndër netët që s`kisha gjumë, nisa të fantazoja për të qenë me një aktiviste të komunitetit. Mendova fillimisht se ishte thjesht pjesë e krizave ekzistenciale që njeriu kalon në jetë, e mendova si një fantazi kalimtare, si diçka të cilën shumë shpejt do ta kuptoja se ishte arratisje nga mungesa e qëllimeve të rëndësishme të së përditshmes. E megjithatë, thellë brenda vetes e dija se ky interpretim nuk më bënte kuptim në terma të asaj që emocionalisht po përjetoja.

Tani që kujtoj, gjithnjë kam pasur kureshtje e admirim si për djemtë ashtu edhe për vajzat e gratë me të cilat vendosesha në kontakt, diçka që shkonte përtej asaj që mund të tingëllojë “normale”, ndonëse nuk jam dakord as me këtë term. Kureshtja ime ka qenë e ndrydhur prej vitesh, jo se kisha frikë të isha ajo që ndjeja të isha, por sepse kisha frikë të pranoja që isha e humbur: isha në zonën gri. Të qenit në këtë zonë duhet të ketë qenë konfuzuese për mua, ndaj dhe e pata më të lehtë të përpiqesha ta shkatërroja me diçka të pranueshme shoqërisht.

Unë ende nuk e di ç ‘jam, në cilën kategori do të mund të përkufizohesha. Jam ende në zonën gri dhe besoj se do të jem këtu gjatë gjithë jetës sime. Kam dashuruar djem/burra, por tanimë dashuroj një vajzë. Jam e bindur për këtë ndonëse me frikë e shkruaj, frikë se nuk di ende si ta përballojë zonën në të cilën ndodhem. Ama nga tërësia e kësaj që ndjej tani, më në fund e shoh veten pranuese të faktit që nuk dua të kategorizohem, ndoshta për statistika e studime do të ishte mirë ta bëja, por me ndjenjat e mia refuzoj të luaj brenda mureve kornizuese: Unë dashuroj njeriun. Atë që është përtej organit seksual me të cilin ka lindur.

*Shkrimi i ndarë me redaksinë e Historia Ime nga autorja  me pseudonimin”Blue Warmth”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest