Raporti: Diskriminimi dhe margjinalizimi bëjnë që romët të jenë më vulnerabël ndaj rrezikut të pashtetësisë

roma belong

Sipas një raporti të ri të lëshuar sot nga Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve (ERRC),  Rrjeti Europian i Pashtetësisë (ENS) dhe Shërbimi Ligjor Falas Tiranë  (TLAS), stereotipet  negative, margjinalizimi dhe diskriminimi bëjnë që romët të jenë më vulnerabël ndaj rrezikut të  pashtetësisë në Shqipëri.

Raporti tregon sesi pashtetësia shton llojet e ndryshme të diskriminimit që romët hasin në  Shqipëri.

Pashtetësia shpesh kalon nga prindi te fëmija, të cilët duhet të rriten pa një shtetësi duke  ndeshur pengesa për aksesin në shërbime bazë, si edukimi, shëndetësia dhe strehimi.

“Kam humbur shpresat pasi kam vite e vite që pres të regjistroj veten dhe fëmijët. Nuk arrij të kuptoj pse ky proçes është kaq i vështirë për mua dhe për të tjerë si unë në Shqipëri”- ka thënë Sonila, një grua rome 27 vjeçare në aktivitetin hapës.

Gjetjet nga ky kërkim tregojnë që kuadri ligjor në Shqipëri, megjithëse nuk është diskriminues në vetvete, nuk është hartuar si duhet për të adresuar llojet e ndryshme të diskriminimit të cilët romët pritet t’i hasin.

Komuniteti rom gjithashtu përballet me vështirësi të mëdha lidhur me aksesin në drejtësi në  Shqipëri, pjesërisht për shkak të dështimeve burokrative nga ana e autoriteteve. Romëve që iu mohohet shtetësia dhe dokumentacioni përkatës shpesh nuk janë në gjendje të kërkojnë mbrojtje  ligjore pasi iu mungojnë dokumentat e kërkuar për të provuar të drejtën e tyre për të kërkuar ndihmë ligjore.

Nicole Garbin, avokate në Qendrën Europiane për të Drejtat e Romëve, shprehu shqetësimin e saj lidhur me rëndësinë që nuk i jepet çështjes së pashtetësisë.

“Shqipëria ka detyrime që rrjedhin nga legjislacioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar për mosdiskriminimin, regjistrimin e lindjeve dhe të drejtën e një shtetësie, por këto nuk implementohen në praktikë” – tha  Garbin.

Drejtoresha e Shërbimit Ligjor Falas Tiranë, Raimonda Bozo u shpreh se Shërbimi Ligjor Falas (TLAS) ka  ofruar  shërbime  të  ndihmës  ligjore për  personat  e margjinalizuar  në  rrezik  pashtetësie, por tani është koha e autoriteteve përgjegjëse shqiptare të veprojnë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest