Dëshironi të shpëtoni një jetë? Dhuroni mëlçinë, mos kufizoni abortin

2125-XL

Partia ekstremiste e Popullit – Sllovakia jonë (ĽS NS) po përpiqet të kufizojë qasjen në abort, por si gjinekologët ashtu edhe ekspertët nuk shohin asnjë arsye për të zbatuar një ligj të tillë.

Në Sllovaki, nuk janë as doktorët dhe as gratë që kërkojnë ligj më të rreptë për abortin. Janë katër burra që i përkasin një partie ekstremiste, të cilët hartuan një projektligj që synon të kufizojë qasjen në abort, pavarësisht faktit që normat e abortit në vend janë aktualisht në rënie. Shkalla aktuale e abortit është më e ulta në historinë e Sllovakisë. Shumica e aborteve u kryen në vitet 1980 dhe 1990.

Ligji aktual i mundëson grave që të kryejnë abort me kërkesë deri në 12 javë. Ato gjithashtu mund të kryejnë abort kur u rrezikohet jeta, shëndeti ose në rast të defekteve të fetusit deri në 24 javë.

Drafti ngriti diskutim nga të dyja palët. Shumë ekspertë e vënë në dyshim vlefshmërinë e argumentit që kufizimi i abortit do të “shpëtojë jetë”. Votimi mbi projekt-ligjin do të mbahet në qershor.

“Pse nuk japin mëlçinë e tyre për dikë? Ata mund të shpëtojnë një jetë edhe duke e bërë këtë,” thotë gjinekologia Denisa Marcišová. “Askush nuk po e detyron Kotlebën [udhëheqësin e partisë ekstremiste] të dhurojë mëlçinë e tij, pra pse duhet dikush të më detyrojë mua që të vë mitrën time në dispozicion?”

Partia e Kotlebës e konsideron pjellshmërinë e grave sllovake si një thesar kombëtar që mund të zgjidhë krizën demografike. Në vend të hapjes së kufijve për emigrantët që dëshirojnë të vijnë në Sllovaki, ata i ka zënë meraku me gratë “egoiste” Sllovake që nuk duan të bëjnë më shumë fëmijë – një qëndrim shqetësues i ngjashëm me The Handmaid’s Tale…

Gjinekologu Jozef Záhumenský thotë se kufizimet nuk mund të ulin numrin e aborteve: “Cilësia e edukimit seksual dhe kontracepsionet e përballueshëm janë metodat kryesore për parandalimin e aborteve”./A.A.

/newsmavens.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest