The Breadwinner i Angelina Jolie nxjerr në pah gjendjen e vështirë të vajzave afgane

_101729504_bw_image1

The Breadwinner, i prodhuar nga regjisorja irlandeze Nora Twomey, është një animacion i shkruar, prodhuar dhe drejtuar vetëm nga gra, dhe është përshtatur nga bestselleri kanadez i autores Deborah Ellis.

Ajo përmban zërin e aktores adoleshente kanadeze Saara Chaudry si Parvana, një 11-vjeçare që rritet nën regjimin Taleban në Afganistanin e vitit 2001.

Kur babai i saj arrestohet gabimisht, Parvana maskohet si djalë për të shpëtuar nënën dhe motrat e saj nga uria, pasi gratë nuk mund të largohen nga shtëpia pa një të afërm mashkull.

Megjithëse është një histori për fëmijë, filmi nuk fsheh detajet e jetës nën regjimin Taleban – duke përfshirë atë që ndodh kur një grua kapet në rrugë pa patur të veshur burkan.

Pas premierës së saj në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Torontos, filmi u nominua për Animacionin më të Mirë në Oscarët e këtij viti, ku producentja ekzekutive Jolie, i bëri thirrje brezit të ri të ndjekin festivalin dhe të promovonin tolerancën duke u “njohur me njerëz në lagjen tuaj të cilët kanë prejardhje të ndryshme”.

“Diversiteti është pjesa më e mrekullueshme e botës sonë”, tha ajo.

Twomey ishte emëruar dy herë për Oscar, për punën e saj në animacionin irlandez Song of the Sea dhe Secret of Kells, kur iu ofrua të drejtonte The Breadwinner.

“Ideja e Parvanës filloi të rritet brenda meje,” thotë ajo.

“Nuk ka shumë histori si kjo për ekranin, veçanërisht të animuara, dhe Deborah Ellis ka një mënyrë të shkruari që është shumë unike – ajo nuk flet me fëmijët, ajo shkruan në një mënyrë shumë praktike dhe historitë e saj janë të bazuara në përvojat e saj në kampet e refugjatëve në Pakistan gjatë epokës Talebane.”

Ndihma tjetër e madhe, sipas Twomey, ishte Jolie, e cila erdhi shumë herët kur shkrimtarja, Anita Doron, po punonte për një draft të historisë.

“Ajo kishte më shumë se një dekadë eksperiencë me Afganistanin. Ajo mbështet edukimin e vajzave atje dhe gjithashtu më inkurajoi të punësoja sa më shumë aktore afgane për zërat dhe gjithashtu më ndihmoi të kuptoj mënyrën në të cilën bota ka ndryshuar që nga viti 2001 dhe si ne në Perëndim i shohim këto pjesë të globit,” thotë Twomey.

Prodhuesit e filmave gjithashtu punësuan artistë dhe muzikantë afganë. Dhe filmi është përkthyer në Dari dhe Pashto, gjuhët e Afganistanit. Filmi u shfaq në Kabul përpara Oscarëve.

“Por unë nuk dua që të rinjve tu përsëritet vazhdimisht me një film ‘mesazh’ se me çfarë u duhet vajzave të përballen në disa shoqëri. Në shumë mënyra shpresoj se karakteri i Parvanës ta tejkalojë gjininë”, thotë Twomey.

“Ajo po shqyrton një situatë shumë serioze në një mënyrë shumë fëminore dhe unë mendoj se këtu mund ta gjejnë veten si vajzat ashtu dhe djemtë. Është një film universal- madje edhe unë si një grua irlandeze, konflikti në Irlandën e Veriut kur isha duke u rritur më dha një botëkuptim për kompleksitetin e luftës dhe cenueshmërinë e paqes, dhe se si duhet ta çmojmë kur e kemi.”

Saara Chaudry, e cila nuk ishte shumë më e madhe se karakteri i Parvanës që ajo dubloi, thotë se The Breadwinner “më hapi sytë mbi privilegjet e mia”.

“Unë kam ushqim, ujë, arsim dhe kujdes shëndetësor që i marr si të mirëqëna ndërsa vajza të tjera anembanë botës nuk kanë qasje. Kam qenë nëntë vjeç kur e kam lexuar për herë të parë Parvanën dhe e doja Parvanën për vendosmërinë dhe optimizmin e saj. Doja vetëm të kisha shpirtin e saj.

“Që kur e kam luajtur atë, kam qenë e pasionuar në përpjekjen për të ndihmuar vajzat e tjera në mbarë botën, edhe nëse kjo është vetëm duke dhuruar online nëpër bamirësi ose duke përhapur vetëdijen, në çfarëdo mënyre të vogël që vajzat në moshën time mund të ndihmojnë. Është shumë e vështirë të dëgjosh për vajza të tjera të përballen me probleme që unë as nuk do ti ëndërroja.”

Por Twomey thotë: “Unë nuk mendoj se The Breadwinner ofron ndonjë përgjigje të lehtë për situatën e grave në Afganistan, dhe as nuk duhet ta bëjë këtë.

“Historia është një simptomë e një situate e cila është rrënjosur në atë shoqëri dhe është nga gjenerata të tëra dhimbjesh. Nuk mund thjesht të shkoni dhe të impononi atë që mendoni, ju duhet t’i fuqizoni ato gra të reja për të transformuar shoqërinë e tyre.

“Tani për tani, duke u ngritur kundër atyre kufizimeve shoqërore, po i kërkon një numri të madh grash, familjesh dhe baballarësh që i duan bijat e tyre, të cilët nuk do donin që ato të humbisnin jetën e tyre për një parim.

“Këto janë gjëra që nuk i marrim lehtësisht. Ne vetëm japim një karakter në film që është mishërim i shpresës dhe shpresa është ajo tek e cila duhet të kapemi.”/A.A.

/bbc.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest