Monitorim i Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI, fushat ku duhet punuar më shumë

32786581_10214378182801947_2589795172736827392_n

Në kuadër të 17 Majit dhe javës që shoqëron këtë datë, Ambasada Pink në Shqipëri me mbështetjen e Këshillit të Europës dhe në praninë e përfaqësuesve të OKB, Këshillit të Evropës, Qeverisë Shqiptare dhe shoqërisë civile zhvilloi aktivitetin prezantues të monitorimit mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Republikën e Shqipërisë 2016 – 2020.

Në aspektin politik, një ndër zhvillimet pozitive ka qenë edhe miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri i Qeverisë shqiptare. Ky plan parashikon zbatimin e një sërë masash për përmirësimin e legjislacionit, politikave sociale, administratës publike, arsimimit, shërbimeve etj. Që prej miratimit të Planit kanë kaluar tashmë dy vjet, ndaj ka dalë si domosdoshmëri monitorimi i tij për të parë se si e sa është zbatuar.

Në këtë aktivitet Ambasada Pink prezantoi ato fusha në të cilat qeveria Shqiptare së bashku me shoqërinë civile duhet të punojnë më shumë për të përmirësuar jetesën e komunitetit LGBTI. Sipas monitorimit disa nga objektivat që duhet të arriheshin, ishin:

Të rritet ndërgjegjësimi i punonjësve mbi të drejtat e komunitetit LGBTI dhe mbrojtjen e tyre ligjore duke:

  • Trajnuar dhe ndërgjegjësuar punonjësit civilë
  • Trajnuar avokatë dhe prokurorë
  • Zhvilluar dhe shpërndarë infromacion nëpërmjet udhëzuesve informues “Njih të drejtat e tua” dhe “Njih përgjegjësitë e tua”
  • Krahasimi i niveleve të gjobave dhe rritja kundrejt rezultateve

Të fuqizohet shoqëria civile në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTI duke:

  • Siguruar financim të mjaftueshëm për OJF-të dhe sidomos për shërbimin jashtë territorit të Tiranës
  • Zhvilluar grupe të organizatave LGBTI në rajon
  • Zhvilluar mekanizma mbështetës on-line dhe virtualë midis OJF-ve, duke përfshirë masa parandaluese për shëndetin dhe këshillimin
  • Bërë studime për të identifikuar dhe dokumentuar nevojat e mbrojtësve të të drejtave të njeriut, boshllëqet në mbrojtje dhe incidentet e shkeljeve.

Të reduktohet diskriminimi mbi LGBTI në arsim nëpërmjet rishikimit të kurrikulave në të gjitha nivelet e arsimit dhe trajnimit të punonjësve arsimorë. Ky reduktim arrihet duke:

  • Krijimit të një grupi vlerësimi multidisiplinar për vlerësimin e kurrikulave dhe teksteve të fushës egzistuese përkatëse
  • Vlerësimit të përmbajtjes së të gjithë kurrikulave dhe teksteve shkollore egzistuese përkatëse
  • Diskutimit dhe negocimit të ndryshimeve, rishikimeve dhe shtesave të tjera.
  • Përgatitjes së kurrikulës së trajnimit për mësuesit e arsimit parauniversitar

Të përmirësohet situata e strehimit të personave LGBTI nëpërmjet krijimit të programeve lehtësuese të strehimit dhe shërbimeve të standartizuara të strehimit të sigurtë nëpërmjet:

  • Zhvillimit të një studimi vlerësues mbi çështjet e strehimit dhe nivelin e riskut për të mbetur të pastrehë për arsye të orientimit seksual dhe identitetit gjinor
  • Zhvillimit të protokolleve administrative për të siguruar shmangien e diskriminimit dhe përfshirjen e personave LGBTI në programet e strehimit social.
  • Zhvillimit të trajnimeve dhe ndërgjegjësimi për ofruesit e programeve sociale të strehimit në nivel qëndror, rajonal e vendor.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest