Tirana Gay Pride 7, dashuria triumfoi sërish

IMG_2933

Sot në Tiranë u mbajt parada e shtatë e krenarisë. Komuniteti LGBT, familjarë, mbështetës dhe aleatë të tyre dolën sot për të pedaluar dhe marshuar në emër të dashurisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që vazhdoi deri në bulevardin”Zogu i Parë” dhe u mbyll me koncert në sheshin “Skënderbe”.

Këtë vit binte në sy përveç pjesëmarrjes së përhershme të ambasadorit amerikan Donald Lu, ambasadorit suedez Johan Ndisi, ambasadores hollandeze Dewi Van de Weerd, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatat për të drejtat e njeriut të cilët kanë qenë mbështetës besnikë të kauzës LGBT edhe pjesëmarrja për herë të parë e ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirliu si dhe për habinë tonë dhe ndoshta edhe shumë të tjerëve, pjesëmarrja e ish-ministrit të drejtësisë, zotit Ylli Manjani.

Gjithashtu mbi 60 të rinj e të reja të komunitetit dhe mbështetës nga Kosova dhe Maqedonia, marshuan sot krahas miqve të tyre për tu treguar se dashuria nuk njeh kufij. Mesazhi kryesor këtë vit iu drejtua bullizmit në shkolla për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Me thirrjet e fuqishme #kurajomedashuru dhe #krenarmeqenvetja, kërkohet të përçohet mesazhi se dashuria është përgjigja më e mirë e mundshme ndaj urrejtjes e diskriminimit.

Xheni Karaj falenderoi gjatë paradës personat e komunitetit që morën guximin të dilnin hapur sot. “Sot ju falënderoj të gjithë ju, persona të komunitetit pasi treguat guximin të dilnit hapur, ti jepni shpresë, kurajo qindra të rinjve që vuajnë çdo ditë me frikë, atyre që nuk mund të dashurojnë të lirë. Kjo është një ditë për tju dhënë mesazh njerëzve, dashuroni dhe mos urreni”.

Aktivistet transgjinore Lola dhe Serafina që i kanë dhënë zë komunitetit transgjinor vitet e fundit, u shprehën publikisht për bullizmin në shkolla.

Lola: Të qenurit sot përpara jush, do të thotë shumë për mua, jo vetëm për t’i dhënë zë problemit të bullizmit në shkolla për personat LGBT, por sidomos për të sjellë në vëmendje të gjithë personat trans në Shqipëri. Ne gëzojmë të drejta të barabarta si të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe nuk pranojmë që këto të drejta të na mohohen! Ndaj, nuk do të fshihemi më, as do të heshtim deri sa këto të drejta dhe liri të na garantohen realisht!

Serafina: Unë nuk doja ta lija gjimnazin! Doja ta vazhdoja atë normalisht si të gjitha shoqet dhe shokët e mi. Dhe më pas, të vazhdoja studimet e larta, të zgjidhja një fushë ku mund të kontribuoja dhe të bëhesha dikush brenda asaj fushe PA E FSHEHUR IDENTITETIN TIM SI GRUA! Unë dua të jetoj në një shoqëri ku s’ka vend për urrejtjen dhe ku të gjithë e respektojnë njëri-tjetrin pasi bota na përket të gjithëve dhe kam besimin se bashkë mund t’ia dalim që shoqëria jonë më tolerante dhe e drejtë!”

Aktivistët Lendi Mustafa nga Kosova, Bekim Hasani nga Maqedonia dhe Marko Mihailovic nga Serbia ndanë gjithashtu me pjesëmarrësit mesazhet e tyre inkurajuese për komunitetin LGBTI dhe shoqërinë shqiptare.

Lendi Mustafa: Sot kam nderin të jem i rrethuar midis këtyre personave të guximshëm që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për komunitetin LGBT. Këtë mesazh ia dedikoj të gjithë atyre personave që nuk janë ndjerë rehat të dalin në Paradë. E kam një mesazh për të gjithë ju: kur e ndjeni se nuk jeni rehat në shoqëri kthehuni nga vetja dhe jepini dashuri vetes.

Marko Mihailovic nga “Belgrade Pride”: Për shkak të punës suaj të palodhur, një ditë ky shesh do të mbushet me njerëz që gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta.

Menjëherë pas paradës, u zhvillua një koncert në sheshin “Skënderbe”, i organizuar nga Bojken Lako në mbështetje të kauzës dhe personave LGBT.

Tirana Gay Pride 7 u organizua nga Aleanca LGBT dhe Pro LGBT me mbështetjen e CoE/Eu Asisstance nëpërmjet iniciativës “Preventing and combating discrimination on grounds of sexual orientation and gender identity in Albania”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest