12 KURIOZITETE PER PARADEN E TIRANES

31239439_10155287486170880_3086968584747763201_n

Disa fakte interesante për Tirana (P)Ride të kujtuara nga aktivisti Kristi Pinderi në pritje të fillimit të paradës së shtatë të krenarisë LGBT.

Ai thotë:” Në pritje që aty të zbardhet dhe për faktin që ky është viti i parë që nuk do të jem fizikisht, më mbetet vetëm të kujtoj dhe të risjell në vëmendje disa fakte interesante për atë që quhet tani Tirana (P)Ride. :) Gjëra që kanë ndodhur në mënyrë shumë spontane por janë vërtet të bukura tani që po i mendoj dhe po i rendis:

  1. Ideja ka ardhur ose nga Xheni ose nga unë. Por për një ironi shumë të drejtë tani është harruar dhe nuk e di më njeri se kush, në fakt, e pati idenë fillestare. Dihet vetëm që idenë për të patur në paradë bicikleta e ka dhënë Enedi.
  2. Ka qenë një ditë me një shi të rrëmbyeshëm aq sa deri 30 minuta para se të fillonte asnjëri nga ne nuk ishte i sigurt nëse do e bënim apo jo. Kemi thënë me njëri – tjetrin në telefon: nuk ka rëndësi nëse vijnë apo jo njerëz të tjerë, do e bëjmë për veten tonë.
  3. Vitin e parë (14 maj, ishte pasdite, në mos gaboj ora 4 e pasdites) ishin 10 bicikleta dhe një motorr. Nga këto një bicikletë ishte e gazetarit të Reuters Benetit, i cili e ka bërë pedalimin të plotë bashkë me ne dhe intervistat i ka bërë pikërisht teksa ishim duke pedaluar ne dhe ai bashkë 
  4. Një tjetër person në ato biçikleta ishte Cindy, një prokurore amerikane. Ka disa gjëra që nuk thuhen gjithmonë por gjithmonë kam menduar se ishte pikerisht ajo arsyeja pse dy të rinj që na hodhën shashka atë ditë, jo vetëm që u kapen nga policia por di që ata kanë qenë ndër të parët shqiptarë ndaj të cilëve u testua nga sistemi i drejtësisë dënimi alternativ: orë pune në komunitet 
  5. Deri në momentin kur ishim ndërkohë në bulevard duke pedaluar nuk e kishim vendosur nëse vërtet do e bënim rrugën e plotë, pra do ta përshkonim apo jo te gjithë bulevardin. Adrenalina ishte aq e lartë sa dikush propozoi që te sheshi Skenderbej të vazhdonim për të zyrat e Aleancës e të mos ktheheshim më aty ku u nisëm. Policët në makina që kishin dalë për të siguruar rendin na pyesnin rrugës çdo 50-100 metra: cili është itinerari?
  6. Ai event ishte arsyeja e organizimit për herë të parë në Opinion të një emisioni me temë LGBT. Është një ndër emisionet më të ndjekura në historinë e Opinion-it. Thuhet se ish kryeministri në atë kohë kërkoi të nesërmen kasetën, pasi nuk e kishte parë një natë më parë.
  7. Nuk kaluan as tre vjet dhe parada shqiptare me bicikleta u kopjua nga të paktën 5 vende te tjera. Një paradë të tillë me biçikleta të kopjuar nga Shqipëria zhvillon edhe sot kryeqyteti i Vietnamit Hanoi edhe Delhi ne Indi, sa për të përmendur dy më kryesoret.
  8. Edhe pse një event relativisht jo masiv deri me sot, Parada me biçikleta është pikasur edhe nga The Economist që e ka cilësuar “a smart solution”.
  9. Takimet për organizimin e eventit u zhvilluan për herë te parë në bar Noel tek teatri Kombetar 
  10. Propozimi më i çuditshëm ishte gjate diskutimit për logon dhe aspektin viziv. Në mënyrë që të evitoheshin zgjedhje qe mund te dukeshin si nacionaliste (si psh një imazh identifikues me flamur a me Skenderbe) u propozua që parada e Tiranës të kishte si imazh nje maçok të zi. Google ose racën Bombay ose Korat, ashtu ngjante. Në fund u zgjodh imazhi/poster më poshtë i bërë nga Erjon Tela (i cili nuk kishte bërë kurrë më parë asnjë punë në dizajn). I njëjti imazh u përdor edhe për bluzat.

32332328_10155325697425880_8966065438119165952_o

  1. Për një arsye të çuditshme ka alternim të kohës vit pas viti: një vit është shi, një vit diell.
  2. I pari person që e ka nënvlerësuar këtë aktivitet, në fakt, ka qenë kryeministri aktual. Kur e takuam para se të fitonte zgjedhjet na tha shprehimisht: “Ça është ajo gjëja që bëni ju me biçikleta?! Do bëjmë një gjë më të madhe se ajo”. Në fakt ky ngazëllim rezultoi të ishte i përkohshëm. Por edhe një budallallëk me brirë i tipit premtim fushate, se fundja ç’pune ka kryeministri të mendojë se si do e bëjnë aktivistët paradën?! Jo vetëm që s’ka bërë asgjë, por as te eventi me biçileta nuk ka ardhur dot asnjëherë. Që pas vitit 2013 deri momentin e fundit ka gjithmonë një punonjëse të qeverisë që na thotë: “Ministri është duke ardhur”, “presim edhe pak se ministrja po vjen”. Kanë kaluar disa ministra e ministresha dhe, sigurisht, asnjëri dhe asnjëra nuk kanë mundur dot të ngrihen në një nivel më të lartë se frika që mund të kenë ndaj paragjykimeve.”

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest