Intervistë me aktivisten Myrvete Bajrami: “Nuk jam larguar nga vendlindja për shkak të homofobisë”

Myrvete
Foto: Myrvete Bajrami/ Facebook

*Ky artikull është pjesë e një cikli intervistash me aktivistë që kanë dhënë kontribut për kauzën LGBT në rajonin e Ballkanit.

Myrvete Bajrami është një nga aktivistet më në zë për të drejtat LGBT në Kosovë. Në një intervistë për “Historia Ime” ajo rrëfen për aktivizmin e saj 10 vjeçar në Kosovë si dhe për shpërnguljen në Suedi për një edukim më të mirë.

Një përmbledhje të shkurtër të arritjeve që ju keni bërë në aktivizmin për çështjet LGBTI në Kosovë.

 Është shumë e vështirë që të bëhet një përmbledhje e gjithë punës që kam bërë për 10 vite. Por ndoshta mund të filloj me një prezantim të shkurtër. Unë jam aktiviste që prej 2005 për të drejtat LGBT si dhe jam themeluese e OJQ “Qendra për Emancipim Shoqëror”, shkurtimisht QESh. Objektivat kryesore të QESh përfshinin, advokimin dhe lobimin, ngritjen e vetëdijes të popullatës së gjerë dhe ofrimi i shërbimeve ligjore dhe psikologjike të komunitetit LGBT në Kosovë.

Përmes QESh-it kam advokuar që orientimi seksual dhe identiteti gjinor të përfshihet në strukturat ligjore në Kosovë duke përfshirë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera. Në kohën kur kemi themeluar QESh komuniteti LGBT në Kosovë ka numëruar vetëm 30 persona dhe sot numri i tyre është mbi 5000.

 

 Cilat kanë qenë arsyet qe ju kanë detyruar të largoheni nga vendi juaj?

Unë për momentin jetoj në Malmö, në Suedi dhe kam ardhur këtu që të përfundoj studimet master, por po ashtu partnerja ime jeton në Suedi. Jam larguar nga Kosova në 2015 pasi arrita të fitoj një bursë studimore. Dega e Magjistraturës nuk ishte e zhvilluar në Kosovë ndaj vendosa të shoh për një mundësi jashtë shteti. Pra nuk jam larguar nga vendlindja për shkak të diskriminimit apo homofobisë. Pasi përfundova fakultetin nisa të punoj në Suedi me fëmijë refugjatë.

 

A do të jepnit sërisht te njëjtin kontribut nëse do ju jepej mundësia?

Po sigurisht që po, të drejtat e njeriut janë pasioni im. 

 

Po në shtetin e ri ku jeni shpërngulur, a vijoni të merreni me aktivizëm? 

Po ende vazhdoj të kontriboj, edhe pse kontributi im nuk është i nevojshëm siç ka qenë në Kosovë. Momentalisht punoj me fëmijë refugjatë, të cilët vijnë nga vende ku komuniteti LGBT shtypet më shumë se në vendet e Ballkanit. Forma e aktivizmit këtu në vendet skandinave ndryshon nga ajo e Ballkanit pasi këtu përshembull nuk ka vend për të propozuar e shkruar projekte për trajnimin e policëve, psikologëve për përqasjen ndaj komunitetit LGBT, siç ekziston nevoja në Ballkan.

Aktivizmi ka nisur që në vitet 70′ në Suedi, ndaj dhe të drejtat LGBT janë më të konsoliduara por edhe sot e kësaj dite punohet për efektshmërinë e ligjit në respektimin e këtyre të drejtave. Përshembull në Suedi një nga çështjet më të nxehta është adoptimi i fëmijëve nga prindër të çifteve brenda gjinisë së njëjtë. 

Qëllim kam që në të ardhmen të punoj për organizata për të drejtat e komunitetit LGBT në Suedi, edhe pse për momentin ende nuk jam diku e angazhuar. Eksperienca të mëparshme kam pasur si vullnetare në organizimin e paradës në qytetin  e Malmö.

/k.m/
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest