Intervistë me aktivistin maqedonas LGBT: “Aktivizmi më ndihmoi të shërohem nga e kaluara”

Antonij_Karadzoski_Headshot
Foto nga “International Queer Migrant Film Festival”

*Ky artikull është pjesë e një cikli intervistash me aktivistë që kanë dhënë kontribut për kauzën LGBT në rajonin e Ballkanit.

 Aktivisti maqedonas Antonij Karadzoski rrëfen në një intervistë për “Historia Ime” vështirësitë që kaloi duke jetuar si person gej në një qytet të vogël të Maqedonisë si dhe episodin e frikshëm të përdhunimit që ndikoi rrënjësisht në jetën e tij. Sot ai punon me refugjatët LGBT në Holandë si dhe me organizimin e aktiviteteve kulturore që kanë si synim ndërgjegjësimin për parandalimin e bullizmit me bazë orientimin seksual dhe diversitetin gjinor.

Një përmbledhje të shkurtër të arritjeve që ju keni bërë në aktivizmin për çështjet LGBTI në Maqedoni.

Kurrë nuk e prisja se do të kthehesha në një aktivist për të drejtat e njeriut dhe specifikisht aktivist për LGBT, me qenë se formimi im akademik është arkitektura dhe inxhinieria. Pasi u arratisa prej Maqedonisë, udhëtimi im nisi në Slloveni, ku jetova për një vit përpara se të vija në Amsterdam. Ishte një mundim i madh të integroheshe në një kulturë të re, teksa e kaluara më mbante peng nga pas, por të jetuarit në një vend ku situata për të drejtat LGBT është shumë e mirë, më në fund ndihesha i sigurtë. Ndaj vendosa të flisja hapur dhe të ndaja historinë time përmes artit dhe me fokus të veçantë komunitetin LGBT në Maqedoni.

Vendosa të krijoj një fushatë ndërgjegjësuese me postera të titulluar “culture of humilation” e cila përbën një formë artistike aktivizmi të frymëzuar prej të kaluarës sime pasi unë jam rritur si gej në në një qytet të vogël në Maqedoni, ku në moshën 13 vjeçare u përdhunova nga katër djem për shkak se jam gej, kurse në shkollë ndeshja bullizëm gjatë gjithë kohës, kurse më vonë nëpërmjet internetit edhe në rrjetet sociale me gjuhë urrejtje të drejtuar ndaj meje. Fushata ka për qëllim të parandalojë bullizmin online dhe offline të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Dëshiroja ta ndaja këtë histori me të gjithë dhe ti ndihmoja të tjerët të cilët po kalojnë të njëjtën situatë të vështirë që ata ta shohin se nuk janë vetëm. Pas hapjes së ekspozitës, fushata u shndërrua në një sukses të madh, tanimë posterat përdoren në shkolla në Slloveni dhe Maqedoni, ku fëmijët mësohen çfarë është bullizmi bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, si dhe si ta parandalojnë atë.

Pasi fushata rezultoi e suksesshme, unë u ftova në Amsterdam për ta ekspozuar punën për festivalin “International Queer&Migrant Film Festival Amsterdam” në 2016. Atje u takova me drejtorin e festivalit Chris Belloni dhe mora ofertën për të punuar për festivalin si dhe për organizimin e “Stitching art 1”. Me qenë se festivali dhe kjo e fundit përdorin artin pra: filma, ekspozita arti, si metodë për të hedhur poshtë stereotipe dhe diskriminimin bazuar në diversitetin seksual dhe identitetin gjinor, kjo mundësi ishte perfekte për mua, ndaj u zhvendosa në Amsterdam për të vijuar me aktivizmin tim. Tani me qenë se jam producent i “International Queer&Migrant Film Festival Amsterdam” si dhe menaxhues projekti për organizatën “Stitching art 1”, ne po implementojmë shumë projekte në rajonin e Ballkanit si përshembull të organizuarit të festivaleve të para LGBT në këtë zonë, si dhe të punuarit me organizata lokale për të drejtat LGBT/ të drejtat e njeriut në tërësi.

 

 Cilat kanë qenë arsyet qe ju kanë detyruar të largoheni nga vendi juaj?

Kanë kaluar tre vite që kur unë jam larguar prej Maqedonisë. Pika kulminante kur unë vendosa të lë çdo gjë mbrapa e të nis nga fillimi diku tjetër ishte një ndodhi. Unë u sulmova në rrugët e qytetit ku kam lindur, Prilep. Një grup djemsh po prisnin për mua në rrugë dhe nisën të më gjuanin me shishe si dhe u përpoqën të më shtypnin me makinë. E dija se gjërat duhet të ndryshonin shumë shpejt, se nuk do vazhdoja të jetoja me frikë. Më duhet të mbroja veten dhe nëse do doja të ndihmoja komunitetin LGBT në Maqedoni, e dija se do më duhej të lija vendin dhe të shkoja diku tjetër ku mund të ndihesha i sigurtë dhe të ndihmoja komunitetin nga jashtë vendit tim.

 

A do të jepnit sërisht te njëjtin kontribut nëse do ju jepej mundësia?

Shumë njerëz më bëjnë të njëjtën pyetje dhe përgjigja ime është po, do doja të ndryshoja shumë gjëra. Por tani që jam në Amsterdam dhe kur kthehem mbrapa në kohë do ti përgjigjesha me jo kësaj pyetjeje.

Nëse s’do të ishte për ato kohët e vështira që kalova atëhere, unë s’do të isha këtu në pozicionin që gëzoj sot.

 

Po në shtetin e ri ku jeni shpërngulur, a vijoni të merreni me aktivizëm? 

Puna ime është në mënyrë konstante e lidhur me refugjatët LGBT dhe azilantët këtu në Holandë, ku dëgjoj shpeshherë histori shumë të dhimbshme. Të punuarit me ta dhe ti ndihmosh është gjëja më e bukur që më mban gjallë, si dhe më ndihmon njëkohësisht të shërohem nga e kaluara.

/k.m/  /l.k/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest