Saga e ilaçeve të rimbursueshme

barnat e rimbursueshme

Duket se lista e re e barnave të rimbursueshme këtë vit po përballet me shumë situata kontraversale të cilat kanë prekur si shëndetin e pacientëve po ashtu dhe interesat e farmacive.

Më 1 maj lista e re e barnave të rimbursueshme hyri në fuqi. Në një mbledhje të qeverisë u tha se janë shtuar 36 barna të reja, por në fakt vetëm 16 prej tyre janë principe aktive dhe 20 të tjera janë alternative. Për më tepër, situata aktuale tregon se 9 prej këtyre barnave, disa prej të cilave janë alternative të vetme dhe të para mungojnë nëpër farmaci.

Përveç shtimit të 36 barnave alternative dhe principeve aktive, përfshirë dhe herceptinën (medikamenti për kancerin e gjirit) që ishte risi, kjo listë ka ndikuar negativisht për disa pacientë.

Rreth 300 pacientë që vuajnë nga artriti, psoriasis apo sëmundje të tjera dermatologjike dhe reumatologjike, medikamentet e të cilëve ishin të përfshira më parë në listen e rimbursimit, tanimë do të duhet të ndërpresin trajtimin e tyre pasi ata janë përjashtuar nga lista dhe këto medikamente shpesh kanë kosto të lartë e të paperballueshme për ta.

Për më tepër këtë vit ndryshe nga herët e tjera, nuk është marrë mendimi i shefave të shërbimeve në QSUT për barnat që duheshin shtuar, kur në fakt janë ata që përcaktojnë se cilat barna janë më efektive për kurimin e sëmundjeve të caktuara dhe për përdorim më të shpeshtë.

Nga ana tjetër farmacistët deklarojnë se janë njoftuar nëpërmjet një e-maili mesnatën e së premtes dhe janë telefonuar ditën e shtunë (vetëm dy ditë përpara) për të vënë në zbatim listën e re të barnave.

Por ndërkohë duhej të kishin nënshkruar më parë kontratat që lidh Fondi i Sigurimeve me ta për tregtimin e barnave të rimbursueshme, gjë e cila nuk ka ndodhur.

E njëjta gjë edhe me depot farmaceutike që furnizojnë farmacitë me kontratë të cilët nuk dinë marzhin e fitimit me të cilin do të tregtojnë, marzhi që përcaktohet në kontratë.

I pyetur nga Top Channel në lidhje me futjen e listës së barnave të rimbursueshme pa lidhur më parë kontratën, e cila sipas farmacistëve ishte e njëanshme, Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Eduart Ahmetaj e mohoi.

“Unë jam i hapur dhe pres përfaqësinë e tyre dhe këdo tjetër për çdo shqetësim që kanë. Atyre u është kërkuar mendimi para se të lidheshin kontratat. Janë njoftuar para se Këshilli Administrativ i Fondit të vendoste të miratonte kushtet e kontratave”, sqaroi ai.

Lista e re e barnave të rimbursueshme si dhe kontratat e reja të farmacive që tregtojnë barna me rimbursim do të luftohen në gjykatë nga Urdhri i Farmacistit dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

“Hyrja në farmaci e kësaj liste në mënyrë të paparalajmëruar ka shkaktuar tek farmacitë humbje të konsiderueshme financiare për shkak të gjendjes së barnave të blera me çmimin e listës së mëparshme. Farmacistët gjenden sot para një situate kaotike, e cila do të sjellë përballje me qytetarët për shkak të çmimeve të ndryshme për të njëjtin bar. Farmacistët gjenden para faktit të mungesave të shumta të barnave qofshin këto alternativa të para apo të vetme”, tha Diana Toma, presidente e UFSH.

Duke qëndruar tek kontratat e vitit 2018, farmacistët shprehen se janë të njëanshme dhe se nuk janë konsultuar më parë me asnjë farmacist. Për më tepër, Urdhri i Farmacistit i konsideron disa kritere të kontratës diskriminuese.

“Vendosja e kritereve diskriminon një pjesë të subjekteve, lë vend për abuzime dhe i shërben ruajtjes së monopoleve të krijuara nga pronarë të farmacive të lidhura drejtëpërdrejtë me drejtues të FSDKSh”, u shpreh Toma.

Përmes këtij reagimi, Urdhri i Farmacistit kërkon zgjidhje të menjëhershme të situatës së krijuar, për shkak të futjes së barnave të rimbursueshme në një mënyrë të pazakontë dhe detyrimit për të nënshkruar një kontratë që shkel ligjin./M.B

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest