Intervistë me aktivisten Rajmonda Sylbije “Ndihem krenare që kontribova për një ndryshim në shoqëri”

Rajmonda
Foto: Media Center Belgrade

*Ky artikull është pjesë e një cikli intervistash me aktivistë që kanë dhënë kontribut për kauzën LGBT në rajonin e Ballkanit.

Rajmonda Sylbije ka kontribuar për kauzën LGBT në Kosovë që prej fillimeve të lëvizjes për të drejtat e këtij komuniteti.Në vitin 2013 Rajmonda vendos së bashku me disa kolegë të tjerë të themelojë organizatën CEL (Center for Equality and Liberty), një organizatë me një përqasje tjetër ndaj komunitetit LGBT në Kosovë. Në këtë intervistë ajo rrëfen për sfidat e të qenurit aktiviste për një ndër komunitetet më të margjinalizuar në vend.

 

Një përmbledhje të shkurtër të arritjeve që ju keni bërë në aktivizmin për çështjet LGBTI në Kosovë.

Unë kam qenë e angazhuar si aktiviste LGBT dhe si vullnetare që prej 2006 deri në 2013. Kur jam angazhuar në aktivizmin LGBT, asokohe në Kosovë kanë ekzistuar vetëm dy organizata për të drejtat e këtij komuniteti: QESH dhe CSGD. Në atë kohë kam qenë fillimisht aktive në QESH mirëpo kontribuoja dhe në aktivitetet e CSGD për shkak të interesimit që kisha për gjendjen e të drejtave LGBT në Kosovë. Organiazat asokohe operonin në një mënyrë tjetër nga ajo e ditëve të sotme, pasi ishin shumë të mbyllura, përbënte sfidë organizimi dhe ndërgjegjësimi i komunitetit. Fillimisht lindte nevoja që të krijohej një hapësirë ku komuniteti të ndihej komod, duke marrë parasysh dhe shkallën e lartë të homofobisë gjatë asaj periudhe.

Viti 2012 ka qenë një kthesë shumë e rëndësishem për lëvizjen LGBT, për shkak se jemi sulmuar nga 7 persona të paidentifikuar në organizatën “Libertas” dy ditë pas lançimit të serisë “Sex Magazine” të revistës “Kosovo 2.0″. Këtu kemi arritu në pikën ekzistencialiste nëse duam të vazhdojmë fuqimisht apo do të ndalemi. Por aktivizmi mori dinamik tjetër, duke u fuqizuar.

Në vitin 2013 unë vendosa së bashku me disa kolegë të tjerë të themeloj organizatën CEL (Center for Equality and Liberty), një organizatë me një përqasje tjetër duke sjellur një program më të detajur dhe të organizuar dhe kemi nisur të kërkojmë më shumë llogaridhënie nga institucionet qeveritare kryesore duke përfshirë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Gjyqësorin dhe Policinë.  Kemi filluar me formulimin e aktiviteteve, duke dizenjuar aktivitete që synonin fuqizmin e komunitetit LGBT, duke nisur me edukimin jo-formal të anëtarëve të komunitetit LGBT(trajnime, punëtori, vizita studimore etj).

Kjo ka qenë pikënisja pasi duke reflektuar dhe nga periudha ime si aktiviste, informimi midis të rinjve LGBT ka qenë i ulët, nisur dhe nga mungesa e edukimit në shkolla për këto çështje. Problematikat janë të shumta për një anëtar të komunitetit LGBT duke përfshirë dhunën në familje, stigmatizimin nëpër shkolla, bullizmin. Shumica asokohe të anëtarëve LGBT bënin jetë të dyfishtë, disa prej tyre të martuar në martesa heteroseksuale. Ndaj qëllimi im ka qenë të punuarit me gjeneratat e reja.

Më pas në CEL nisëm dizenjimin e aktiviteteve bashkëpunuese me shkollat e mesme kryesisht në 7 komuna në Kosovë. Këto kanë qenë aktivitetet e para jashtë komunitetit LGBT. Ato ishin trajnime edukuese. Më pas puna ka vijuar me rritjen e kapaciteteve të psikologëve, sociologëve dhe gazetarëve. Nga rrethanat e atëhershme, kam qenë vetëm unë dhe disa persona të tjerë vizibël si aktivistë LGBT, duke folur në media për këto çështje. Mendoj se ky vizibilitet është një tregues tjetër ku kam kontribuar për ti dhënë zë një lëvizjeje më vokale dhe të zëshme në ditët e sotme. 

Gjithashtu kam qenë bashkë-organizatore e tri marshimeve të para publike të organizuara në Prishtinë, të cilat kulmuan me organizimin e Paradës së suksesshme në Kosovë vitin e kaluar.

Cilat kanë qenë arsyet qe ju kanë detyruar të largoheni nga vendi juaj?

Unë tashmë jam larguar nga vendlindja ime që prej një viti. Largimi im nga Kosova drejt Francës ka qenë një nga vendimet më të vështira të jetës sime, por në asnjë moment nuk do ta cilësoja një vendim të detyruar nga rrethanat. Arsyet janë të ndryshme. E ka një kosto kur vendos të jesh një person publik për çështjet LGBT në një vend si Kosova. Vullneti për të lobuar për të drejtat LGBT ka qenë më i madh se frika nga ajo se çfarë mund të na ndodhë. Si aktiviste LGBT kam qenë shumë herë e kërcënuar dhe shumë raste i kam raportuar në polici, por fatkeqësisht institucionet kanë dështuar në trajtimin e këtyre krimeve të urrejtjes. Pavarësisht kësaj nuk ka qenë frika ajo që më ka shtyrë të zhvendosem prej Kosove, por përkundrazi ka qenë një shtysë që më ka mbajtur në punë.

Puna e aktivistit sigurisht ka ndikim psiqik në jetën tonë, sidomos kur je një ndër personat e paktë që flet hapur për komunitetin LGBT.  Kishte ardhur koha që lidershipi i aktivizmit tiu lihet personave fatmirësisht shumë të përgatitur. Këta aktivistë të rinj më bindën që kauza LGBT do të çohej përpara në Kosovë, ndaj mund ta lija e qetë Kosovën. Këtë largim e shoh si një moment reflektimi për veten dhe për atë çfarë duhet bërë më mirë në Kosovë.

A do të jepnit sërisht te njëjtin kontribut nëse do ju jepej mundësia?

Nuk do të ndryshoja asgjë në kontributin që kam dhënë. Rinia është e bukur kur e kupton se je pjesë e një ndryshimi shoqëror, sidomos në pjesë që janë shumë të brishta. Ndihem krenare që kam kontribuar gjatë rinisë sime për një ndryshim në shoqëri. Tani që reflektoj mendoj se shumë gjëra mund të ishin bërë edhe më mirë, mirëpo duke marë parasysh rrethanat ku kemi qenë mendoj se ishte më e mira që mund të jepnim. Rezultati më i mirë shihet dhe sot, pasi më parë lëvizja ka qenë e vdekur kurse tani është ringjallur fuqishëm.

 

Po në shtetin e ri ku jeni shpërngulur, a vijoni të merreni me aktivizëm?

Fillimisht kur kam ardhur këtu në Francë kam pasur nevojë ti jap pak kohë vetes, sidmos pas jetës dinamike si aktiviste shumëvjeçare. Tanimë jam interesuar për organizatat në Strasburg. Aktivizmi këtu operon ndryshe nga aktivizmi në Ballkan. Evropa momentalisht po përballet me një valë emigrantësh nga vende me klimë më shtypëse se vendet e Ballkanit. Momentalisht kam disa strategji dhe plane për të kontribuar në veprimtarinë time si aktiviste në Evropë duke parë për organizata për të drejtat LGBT ose më gjerë, të drejtat e njeriut.

 Edhe pse jam larg fizikisht, vijoj të kontribuoj në lëvizjen LGBT në ndërtimin e projekteve dhe të programeve në aktivizmin LGBT në Kosovë. Jam shumë e lidhur me kauzën dhe mendoj se e kam të vështirë të ndahem prej saj. 

 /k.m/
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest