Intervistë me aktivistin serb “Aktivizmi për LGBT në Kanada ndryshon nga ai në Ballkan”

boban
*Ky artikull është pjesë e një cikli intervishtash me aktivistë që kanë dhënë kontribut për kauzën LGBT në rajonin e Ballkanit.

Boban Stojanović është një prej aktivistëve të parë në Serbi për të drejtat LGBT. Në këtë intervistë për “Historia Ime” aktivisti serb kthehet mbrapa në kohë dhe rrëfen iniciativat e para për LGBT në një shtet si Serbia, kontributin në organizimin e Paradës së Parë në Beograd pa asnjë incident, puthja e parë homoseksuale në parlamentin serb si dhe pjesëmarrjen në “Big Brother” si personi i parë LGBT.

Një përmbledhje të shkurtër të arritjeve që ju keni bërë në aktivizmin për çështjet LGBTI në Serbi.

Rreth 20 vite më parë unë isha i përfshirë në aktivizmin në Serbi. Fillimisht nisa si vullnetar në kampet e refugjatëve ku punova me fëmijët. Shumica e tyre i përkisnin komunitetit rom. Kjo eksperiencë më motivoi për tu marrë me grupet e margjinalizuara. Në qytetin ku jetoja (një qytet i vogël në lindje të Serbisë) nuk kishte organizata për LGBT, ndaj mendova se duhet të bëja diçka për këtë. Kërkoja mbështetje vazhdimisht dhe gjatë asaj kohe takova gra me ngjyrë si dhe rashë në kontakt me lëvizje feministe nga Beogradi. Atje gjeta një vend të sigurtë për veten si dhe arrita të organizoj brenda kokës sime qëndrimet e mia politike. Pas një farë kohe vendosa të lëviz nga Zajecar (qytetin ku unë linda dhe ku jam rritur) për në Beograd. Qëndrova pak kohë në zyrën “Women in Black” dhe e kuptova se aktivizmi ishte jeta ime tashmë.

Kur iu bashkova lëvizjeve feministe dhe LGBT, kishte shumë pak iniciativa për të drejtat LGBT në Serbi. Në 15 vitet e ardhshme unë luftova për këto të drejta: zhvillova punëtori në qytete të vogla për një grup të vogël njerëzish. Për shkak të lobimit tim të theksuar u shpalla një ndër pesë aktivistët LGBT më të njohur në botë. Aktivizmi im përfshiu dhe diskutimet me politikanët, duke qenë i ftuar dhe në debate politike, gjithashtu mora pjesë dhe në emisionin“Big Brother”.

Gjithashtu dhashë një fjalim në TEDx, shkruajta një libër dhe u përpoqa të organizoj paradën në një vend të vogël, post-komunist dhe pas lufte ku shumë vlera njerëzore janë zhdukur. Me sukses e organizuam Paradën. Por nuk ishte një punë e lehtë. Dy herë rrugët ishin të mbushura me gjak dhe katër herë qeveria e ndaloi zhvillimin e paradës.

 

 Cilat kanë qenë arsyet që ju kanë detyruar të largoheni nga vendi juaj?

Në gusht 2016, disa javë përpara Paradës në Beograd unë u sulmova në mes të ditës në qendër të Beogradit. Përpost sulmit fizik, u ndjeva i provokuar kur nisën të më thonin “Njerëz shiheni atë, ai është një pederast i njohur. A e njihni këtë fëlliqsirë?” Në të njëjtën kohë nisa të ndihem i lodhur. Kur unë dhe partneri im Adam, zgjodhëm Kanadanë, nuk dinim se në cilën derë të trokisnim. Por një i njohuri ynë prej Calgary na tha se mund të qëndronim tek ai. Nuk e dinim se ku do të shkonim, ama ishim të sigurtë që ishte një vend më i mirë se Serbia.

Gjithashtu isha shumë i mërzitur nga mungesa e mbrojtjes. Unë kisha një apartament të vogël në Beograd në katin përdhes. Kur u bëra aktivist i njohur dhe nisa të jetoj me Adamin, apartametni ynë u bë target i sulmeve të vazhdueshme. Askush nuk u arrestua për këto sulme, ndaj mendova se vendimi për tu larguar ishte më i miri që mund të kishim marrë.

 

A do të jepnit sërisht te njëjtin kontribut nëse do ju jepej mundësia? 

Besoj se kam bërë më të mirën e mundshme si aktivist, duke i hapur rrugën gjeneratave të reja të aktivistëve.

 

Po në shtetin e ri ku jeni shpërngulur, a vijoni të merreni me aktivizëm? 

Momentalisht punoj për qendrën “Centre for Newcomers”, një ndër agjensitë lider në Calgary. Puna ime konsiston në mbështetjen e refugjatëve LGBT duke i ndihmuar që ata të nisin një jetë të re. Puna ka shumë sfida pasi këta persona kanë trauma shumë të mëdha. Aktivizmi këtu ndryshon rrënjësisht prej atij në Ballkan, pasi këtu komuniteti LGBT nuk duhet të luftojë për të drejta fundamentale.

/k.m/ /l.k/

 

 

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest