Protesta në Spanjë, pasi pesë burra nuk u dënuan për përdhunim në grup

4278

Protesta po zhvillohen nëpër gjithë Spanjën, pasi pesë burra të akuzuar për përdhunimin e një të reje gjatë festivalit të lëshimit të demave në Pamplona u shpallën fajtorë për një krim më të lehtë siç është abuzimi seksual.

Sulmi i ndodhur dy vjet më parë nxiti një protestë kombëtare, siç bëri edhe gjykimi i mëpasshëm, i cili u kritikua gjerësisht si një hetim agresiv ndaj gruas 18 vjeçare dhe jo burrave që e sulmuan atë.

Vendimet u dhanë në një gjykatë në Pamplona, ​​kryeqyteti i rajonit të Navarre të Spanjës veriore. José Ángel Prenda, Alfonso Cabezuelo, Antonio Manuel Guerrero, Jesús Escudero dhe Ángel Boza u dënuan me nëntë vjet burgim, pesë vjet lirim me kusht dhe u urdhëruan të paguajnë 10,000 € secili për gruan. Guerrero, një oficer policie i Guardia Civile, është gjobitur edhe 900 euro për vjedhjen e telefonit të saj pas sulmit.

Protestuesit në Pamplona pasi u lexua verdikti bërtisnin: “Kjo drejtësi është e keqe!”, “Nuk është abuzim, është përdhunim” dhe “Nëse ata prekin njërën prej nesh, ata na prekin të gjithave!”. Të enjten mbrëma, mijëra demonstrues u mblodhën jashtë ministrisë së drejtësisë në Madrid, në Plaça Sant Jaume në Barcelonë dhe në qytete të tjera anembanë vendit.

Burrat u shpallën fajtorë për “abuzim të vazhdueshëm seksual” ndaj gruas në hollin e një ndërtese në orët e para të mëngjesit të 7 korrikut 2016, por jo për përdhunim.

Sipas ligjit spanjoll, shkelja më e lehtë e abuzimit seksual ndryshon nga përdhunimi sepse nuk përfshin dhunë apo kërcënim. Një nga gjyqtarët argumentoi se për burrat duhet të kishin rënë të gjitha akuzat përveç vjedhjes së telefonit.

Burrat, të cilët e quanin veten la manada ose “kopeja e ujqërve” në grupin e tyre në WhatsApp, i kishin ofruar gruan së re që ta shoqëronin deri tek makina e saj, por në vend të kësaj e futën në hollin e një ndërtese, e sulmuan dhe e filmuan sulmin në telefonat e tyre.

Viktima u gjet më vonë duke qarë në një stol. Ajo ia përshkroi sulmuesit e saj policive, të cilët i arrestuan të pesë burrat ditën tjetër.

Avokatët e tyre mbrojtës thanë se gruaja kishte pranuar dhe kishte lejuar një nga burrat ta puthte. Ata gjithashtu argumentuan se ato 96 sekonda të pamjeve nga telefonat e burrave – që tregonin gruan e palëvizshme dhe me sy të mbyllur gjatë sulmit – ishin dëshmi e miratimit të saj.

Prokuroria megjithatë tha se viktima ishte shumë e tmerruar për të lëvizur.

“Të pandehurit duan që ne të besojmë se atë natë ata takuan një vajzë 18 vjeçare, që jetonte një jetë normale, e cila pas 20 minutash bisedime me burra që nuk i njihte, ra dakord të bënte seks në grup që përfshinte çdo lloj penetrimi, ndonjëherë në të njëjtën kohë, pa përdorur kondom,” tha prokurorja Elena Sarasate.

Nëse seksi ishte konsensual, pse ja morën telefonin, pyeti Sarasate. “Gjëja më normale do të ishte shkëmbimi i numrave të telefonit, jo vjedhja e telefonit të saj”.

Procedurat u kritikuan gjithashtu pasi gjykatësit pranuan në dëshmi një raport të përpiluar nga një detektiv privat i punësuar nga disa prej të pandehurve. Detektivi e kishte ndjekur gruan e re për disa ditë dhe kishte bërë fotografi kur ajo u buzëqeshte miqve të saj.

Kjo u paraqit si dëshmi, që tregonte se ajo nuk kishte vuajtur ndonjë traumë të përhershme, duke bërë që qindra gra të demonstronin jashtë oborrit duke mbajtur shenja që thoshin: “Ne të besojmë, motër”.

Aktgjykimi i së enjtes erdhi pas pesë muajsh diskutimi nga gjyqtarët. Prokurorët kërkuan 22 vjet burg për secilin.

Avokatja e gruas tha se ishte e zhgënjyer me dënimin dhe do të apelonte kundër tij. Një zëdhënëse e qeverisë rajonale të Navarrës tha se nuk ishte dakord me vendimin dhe gjithashtu do të apelonte.

Avokati i katër prej burrave tha se ata kishin planifikuar të apelonin kundër dënimeve të tyre, duke thënë se gjykata “nuk mund të dalë me veprën penale të abuzimit seksual kur nuk ka formuar kurrë bazën e akuzës dhe nuk ishte diçka për të cilën mbrojtja mund të përgatitej”.

Vendimet u kritikuan shumë shpejt dhe ashpër nga shumë politikanë të lartë dhe grupe të të drejtave të njeriut.

Susana Diaz, presidente e qeverisë rajonale të Andaluzisë, shkroi: “Gjithmonë i respektoj vendimet gjyqësore, por kjo është një gjë që unë nuk e kuptoj as nuk pajtohem. Ne duhet të kemi zero tolerancë për dhunën seksuale në të gjithë shoqërinë.”

Kolegu i saj, Pedro Sánchez, udhëheqësi i partisë socialiste spanjolle, shkruante: “Ajo tha JO. Ne të besojmë dhe do të vazhdojmë të të besojmë. Nëse ajo që bëri ‘kopeja e ujqërve’ nuk ishte dhunë në grup kundër një gruaje të pambrojtur, atëherë çfarë kuptojmë me përdhunim?”

Ndërsa demonstratat u njoftuan në të gjithë Spanjën, Amnesty International tha: “Mungesa e njohjes ligjore që marrëdhëniet seksuale pa miratim përbëjnë përdhunim, çon në idenë se është në dorën tonë si gra, që të mbrojmë veten nga përdhunimi.

Ndërkohë, grupi ndërkombëtar i të drejtave të njeriut Women’s Link tha se rasti i kishte ofruar gjyqtarëve një “mundësi unike” për të vendosur një precedent që do të ndihmonte në mbrojtjen e viktimave të sulmeve seksuale. Por “gjykata nuk e përdori atë. Sërish. Edhe një herë, çfarë zhgënjimi.”

Zëvendëskryeministria e Spanjës, Soraya Sáenz de Santamaría, tha se ndërkohë që vendimet e gjyqtarëve duhet të respektohen, autoritetet tani duhej të analizonin çfarë kishte ndodhur “për të shmangur një sjellje të tillë në këtë vend”.

Në një postim në Twitter pak pas leximit të aktgjykimeve, forca policore kombëtare e Spanjës shkroi “Jo do të thotë jo”, së bashku me numrin e telefonit emergjent dhe mesazhin: “Ne jemi me ju”./A.A.

/theguardian.com

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest