Organizatat për të drejtat e njeriut shprehin vërejtje për situatën e pasqyruar në Progres Raportin e KE

EU-890x395

Komisioni Evropian publikoi dje progres raportin për Shqipërinë. Në raport evidentohet progresi i arritur dhe rekomandohen hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Raporti i kushton një hapësirë të gjerë situatës së të drejtave të njeriut në Shqipëri e cila bën  pjesë në  pesë prioritetet kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në nënkapitullin 2.2 ku flitet për çështjet e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, raporti liston problematikat dhe hapat e ndërmarra nga Shqipëria për  sigurimin e të drejtave juridike dhe themelore, reformën në drejtësi, sigurimin e të drejtave të personave LGBTI, komunitetit Rom dhe Egjiptian, Personave me Aftësi të kufizuara, barazisë gjinore dhe fushave te tjera që lidhen me të drejtat e njeriut.

Historia Ime, pyeti aktivistë dhe përfaqësues të organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut në Shqipëri, rreth pasqyrimit të problematikave të tyre në këtë progres-raport. Të gjithë aktivistët dhe organizatat përshëndesin rekomandimin e KE për hapjen e negociatave por shumë prej tyre shprehen të pakënaqur me situatën e paraqitur në Progres Raport duke theksuar se janë lënë jashtë raportimit probleme të rëndësishme apo se pjesë të tij janë jo realiste.

Të drejtat LGBT: “Një pjesë e raportit është jo-realiste”

Ndër të tjera, në sesionin dedikuar të drejtave LGBTI, raporti liston 5 arritje kryesore, një pjesë e të cilave sipas aktivistëve nuk pasqyrojnë realitetin.

5 nga arritjet e përmendura në progres raporti e KE për të drejtat  LGBTI dhe komentet aktivistëve:

1. Raporti: Kushtetuta shqiptare nuk përfshin referenca mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor, por ligji anti-diskriminim e ndalon diskriminimin e personave LGBTI. Megjithatë përpjekje më të mëdha nevojiten për të mbrojtur personat LGBTI nga diskriminimi.

“Vërtetë ekziston ligji kundër diskriminimit prej 2010 por implementimi i këtij ligji gjatë këtyre viteve ka qenë i limituar. pjesa më e madhe e anëtarëve të komunitetit LGBT nuk kanë besim tek ky institucion pasi disa nga rastet e raportuara nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje konkrete”, tha për Historia Ime Xheni Karaj, drejtuese e Aleancës Kundër Diskriminimit LGBT.

2. Raporti: Një ekip ndër-ministror përgjegjës për monitorimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri 2016-2020 është funksional.

“Grupi ndër-ministror i punës për Planin e Veprimit, ndryshe nga sa thotë raporti, jo vetëm nuk funksionon por edhe kur është mbledhur dy herë në dy vite ka qenë gjysmak pasi kanë munguar gjysma e anëtareve”, tha për Historia Ime Kristi Pinderi.

Edhe aktivistja Xheni Karaj ka shprehur kritikat e saj sa i përket implementimit të këtij plani:
“Plani i veprimit është miratuar në 2016, tashmë dy vite pas miratimit të këtij plani një numër i kufizuar aktivitetesh janë implementuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Brendshme. Një pjesë e institucioneve dhe ministrive që janë përgjegjëse për implementimin e këtij plani kanë qenë inaktive gjatë këtyre dy viteve”. 

3. Raporti: Oficerët e policisë, prokurorët dhe nëpunësit gjinorë të ministrive të linjës janë trajnuar për parandalimin e diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Sipas organizatave LGBTI, sjellja dhe ndërgjegjësimi i policisë është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit.

“Trajnimet me policë dhe pse janë zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë nuk e zgjidhin përfundimisht problemin që komuniteti ka hasur me këtë institucion. një pjesë e madhe a anëtareve të komunitetit vazhdojnë të mos kenë besim në këtë institucion për të raportuar rastet e diskriminimit. Është e nevojshme një punë më sistematike dhe gjithëpërfshirëse me këtë institucion me qëllim që të ndryshohet sjellja e punonjësve të policisë ndaj komunitetit LGBTI”, tha Xheni Karaj.

Pinderi thotë se policia ka nevojë të ndryshojë realisht e jo vetëm të trajnohet:
“Nuk mund të thuash fjali absoultiste si, ka ndryshuar policia meqë është trajnuar. Policia ka ndryshuar nga koha kur e rrihte komunitetin LGBT. Por kërkon më tepër punë se ato rastet kur kemi qenë ne duke folur. Policia duhet të ndryshojë realisht dhe të jetë strukturë që ka aftësinë të vetë rregullohet dhe të bëhet më e mirë pa u ndikuar nga vullnetet politike.

4. Raporti: Streha LGBTI e financuar nga donatorët ka vazhduar së ofruari shërbim, mbështetje dhe ndërgjegjësim për individët e pastrehë LGBTI.

Marsida Çela, drejtuese e Strehës LGBT shton se do të ishte e rëndësishme që Progres-Raporti të rekomandonte në mënyrë eksplicite mbështetjen financiare nga qeveria për këtë institucion. “Shërbimet sociale duhet të mbështeten nga shteti sepse ai është përgjegjës për mirëqenien e qytetarëve të tij. Gjithashtu, trendet e donatorëve po orientohen drejt anti-korrupsionit dhe komponentëve të mirë-qeverisjes, ndaj nuk mund të presim që grupet vulnerabël të kërkojnë llogaridhënie nga qeveria nëse nuk mbështeten për nevojat e tyre themelore.”

5. Raporti: Gjuha e urrejtjes dhe gjuha diskriminuese në media vazhdon të jetë problematike, veçanërisht në mediat online. (Një zhvillim pozitiv është mbajtja e edicionit të gjashtë të “Tirana Gay Pride” pa incidente”)

Gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT mbetet problematike, kjo  u dëshmua gjatë debatit  të disa javëve më parë mbi takimet ndërgjegjësuese të aktivistëve LGBT në gjimnaze të Tiranës. Figura të rëndësishme të politikës reaguan publikisht duke përdorur nota të gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës diskriminuese. Këto reagime u ri-publikuan nga mediat, ku vërshuan një lumë komentesh me të gjitha format e gjuhës së urrejtjes. Gjuha e urrejtjes e përdorur në këtë situatë u dënua ashpër nga Bashkimi Evropian dhe Ambasadori Amerikan përmes deklaratave publike.

“Personat me aftësi të kufizuara, të pa cituar specifikisht në rekomandimet e Progres Raportit”

Në sesionin dedikuar të drejtave themelore, Progres-Raporti liston një sërë arritjesh dhe problematikash në lidhje me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

  1. Struktura ligjore në Shqipëri është pjesërisht në pajtim me Konventën e OKB për të drejtat e Personave me aftësi të kufizuar.
  2. Gjatë zgjedhjeve në 2017 më shumë se gjysma e qendrave të votimit nuk aksesoheshin dot nga personat me aftësi të kufizuar, për shkak të mungesës së faciliteteve.
  3. Personat me aftësi të kufizuar përballen me vështirësi në aksesin në edukim, punësim, shëndetësi dhe shërbimet sociale.
  4. Pavarësisht përpjekjeve për një edukim sa më gjithëpërfshirës, kualiteti i sistemit arsimor për fëmijët me aftësi të kufizuar, sidomos fëmijët që nuk dëgjojnë, mbetet një nga shqetësimet më madhore.
  5. Monitorimi i zbatimit të masave lidhur me aftësinë e kufizuar kufizohet nga mungesa e të dhënave.

Historia Ime kontaktoi përfaqësues të Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (ADRF), të cilët thonë se problematikat që lidhen me arsimin, punësimin, shërbimet shëndetësore, të drejtën e votës dhe legjislacionin janë përfshirë qartësisht në raport.

“Megjithatë, për aq kohë sa në rekomandimet për Shqipërinë për të ardhmen, aftësia e kufizuar nuk është cituar në mënyrë eksplicite sikurse janë cituar fëmijët, gratë e dhunuara apo komuniteti Rom dhe egjiptian, mbetemi skeptikë se qeveria do t’i vlerësojë dhe garantojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara mbi baza të barabarta si për gjithë qytetarët e tjerë”, thanë përfaqësues të ADRF për Historia Ime.

Komuniteti Rom dhe Egjiptian, probleme me Komitetin e Pakicave dhe buxhetin e Planit të Veprimit

Në po të njëjtin sesion Progres Raporti i Komisionit Evropian i kushton një hapësirë të gjerë mbrojtjes së minoriteteve kombëtare si edhe çështjeve të integrimit, arsimimit dhe strehimit për komunitetet Rom dhe Egjiptian.

Raporti thekson se Komiteti  i ristrukturuar Shtetëror i Pakicave ka nevojë të vihet në funksion dhe t’i sigurohet qëndrueshmëri financiare.  Besnik Bodurri nga Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER), tha për Historia Ime se ky komitet fillimisht ka nevojë t’i sigurohet pavarësia.

“Duhet të sigurohet që në zgjedhjet e Komitetit të Ri të ketë një përfaqësim të të gjitha pakicave të njohura në ligjin e vitit 2017. Ajo që po ndodh është se rregullat po i përcaktojnë anëtarët e komitetit të minoriteteve ku nuk gjejnë përfaqësim pakicat e njohura rishtazi” tha Bodurri.

Progres Raporti thekson se Plani Kombëtar për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2022 është duke u zbatuar dhe ka shënuar progres në çështje të edukimit, aksesit në shëndetësi dhe përfshirjes në tregun e punës.

Por, aktivisti Besnik Bodurri tha për Historia Ime se ky plan veprimi ka mungesa në buxhet.
“Ne si organizate që monitorojmë zbatimin e këtij plani konstatojmë se mungon buxheti nga ana e shtetit për shumicën e aktiviteteve të parashikuara në të. Ka sukses në aktivitete ku buxheti është siguruar nga donatorët”, vijon më tej ai.

Komiteti i Helsinkit: “Reforma në drejtësi ecën me ritme jo dinamike; Organet ndihmëse të ‘vetting-ut’ janë jo-transparente”

Në sesionin dedikuar Sundimit të Ligjit dhe të drejtave themelore, progres-raporti i KE vlerëson progresin e mirë të bërë në implementimin e vazhdueshëm të Reformës në Drejtësi “e cila po fillon të japë rezultate e para”.

Erida Skendaj, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) tha për Historia Ime se leximi që Progres Raporti i KE i bën progresit të reformës në drejtësi dhe respektimit të të drejtave të njeriut është në nivele makro.  “Një artikulim më i qartë i problematikave në këtë raport vlerësoj se do ta ndihmonte vendin për të identifikuar më mirë se ku duhet të fokusohet bilanci i asaj që duhet të adresohet dhe përmirësohet në të ardhmen”, tha Skendaj duke shtuar se leximi i problemeve në mikro është edhe detyrë e aktorëve vendas që monitorojnë situatën.

“Përveç progresit që ka shënuar vendi sa i takon reformës në drejtësi, në faza të caktuara të ngritjes dhe funksionimit të organeve të vettingut dhe organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ky proces u realizua në një ambient tepër të polarizuar politikisht, sidomos gjatë procedurave të përzgjedhjes apo shqyrtimit të kandidatëve të këtyre institucioneve, në komisionet e posaçme parlamentare”, tha Skendaj nga KShH.

Ajo shtoi se ky proces po zhvillohet në ritme “jo-dinamike”: “Mungesa e dinamizmit të këtij procesi ndikon tashmë në ngritjen e organeve të reja sikurse është Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë si dhe emërimet në pozicionet kyç të sistemit të drejtësisë që po bllokojnë dhënien e drejtësisë për qytetarët si Gykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, emërimet në Strukturat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar dhe gjykatën e posaçme, etj.”.

Teksa Progres Raporti ka vlerësuar punën e organeve ndihmëse të vettingut Erida Skendaj thotë këto organe kanë mungesë transparence: “KShH ka evidentuar mungesë të transparencës së këtyre organeve karshi publikut, ku edhe pse ka dy vendime nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit për dhënien e informacionit për dy nga këto organe, ato nuk po zbatohen”.

 /l.k/

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest