Javën e kaluar humbën jetën dy minatorë në minierat e Kromit dhe Bulqizës

Minierae-Bulqizes-Sami-Curri-600x400
 Foto:”Miniera e Bulqizës”,Foto:Sami Curri/ BIRN

Dy minatorë me inicialet P.M. dhe A.SH. kanë humbur jetën në zonën e minierave të kromit në Bulqizë dhe Klos duke e çuar në gjashtë bilancin e minatorëve që kanë humbur jetën në gjashtë muajt e fundit.

Sipas burimeve policore, aksidenti i parë ndodhi të premten e kaluar në një galeri kromi pranë Klosit në zonën e njohur ndryshe si “Lugu i madh”. Minatori ishte 57 vjeçar dhe humbi jetën si pasojë e një incidenti me lëndë shpërthyese.

Kurse aksidenti i dytë ku mbeti i vrarë minatori 37 vjeçar,Angjelosh Shahini ndodhi në galerinë 41 në Bulqizë. Ai ushtronte detyrën e zjarrmëtarit në galerinë e Bulqizës, pra personit që instalon lëndë plasëse në galeri.

Emrat e kompanisë ku ndodhën incidentet me pasojë vdekjen e dy minatorëve nuk janë bërë të ditura nga policia. Sipas pretendimeve të autoriteteve në shumicën e aksidenteve vetë minatorët kanë pasur faj për shkak të të punuarit pa autorizim në pjesë të ndaluara.

Nuk ka vonuar dhe deklarata solidarizuese prej “Organizata Politike”, e cila është marrë me studime dhe punë kërkimore për të drejtat e punëtorëve në Shqipëri. Më poshtë gjendet deklarata e plotë në postimin në Facebook:

Dy ditë, dy vdekje.

Dje, në galerinë nr 4 të kompanisë “DEMA – PATIN” në minierat e Klosit ka gjetur vdekjen nga shpërthimi i lëndëve eksplozive, punëtori P.M, 57 vjeç.

Sot, po nga shpërthimi i minave, në galerinë D të minierës së Bulqizës humbi jetën minatori Angjelin Shahini 52 vjeç.

Në këto kushte, ku vdekja e minatorëve është bërë vrasje, e përsëritur dhe pothuajse e përditshme, fjalët e ngushëllimit duhen zëvëndësuar me fjalët e revoltës dhe organizimit.

Minatorët po i vret privatizimi pa investime dhe për fitime të shpejta të pronarëve dhe shtetarëve. Ne kemi shpresë dhe besim se minatorët, ashtu si dje, do të dinë të ngrihen edhe sot.

Solidarizohemi me minatorët dhe vendosemi kurdoherë në mbështetje të plotë me jetën, djersën dhe kauzat e tyre.

/k.m/

Burimi: BIRN; Organizata Politike

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest