Aktivisti Turk Murat Celikkan për Historia Ime: “Ajo që ju bëni në Shqipëri, ndikon tek puna jonë në Turqi”

murat celikkan
Foto: Aktivisti Murat Celikkan me çmimin “Mbrojtësi i të Drejtave Civile 2018”, Stokholm Suedi

Gazetari dhe aktivisti turk, Murat Celikkan mori ditën e enjte çmimin “Mbrojtësi i të Drejtave Civile 2018”. Ceremonia u zhvillua në Stokholm (Suedi), si pjesë e “Defenders Days” një prej konferencave më të mëdha botërore, e organizuar nga Civil Rights Defenders ku morën pjesë rreth 200 mbrojtës të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota.

IMG_2128

“Ishte një ceremoni e mrekullueshme, Murat Celikkan nga Turqia ishte një marrës vërtet i mirë i çmimit për Mbrojtësin e të Drejtave të Njeriut 2018. Ai është me të vërtetë një mbrojtës i shquar i të drejtave të njeriut në Turqi, ku po bën një punë të mrekullueshme”, tha për Historia Ime  John Stauffer ushtrues i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Civil Rights Defenders.

Në një intervistë për Historia Ime, Murat Celikkan tha se është i nderuar për çmimin që ka marrë, duke dhënë edhe një mesazh për aktivistët pjesëmarrës në këtë aktivitet: “Shumica e njerëzve në sallë mund ta kishin marrë çmimin, ata e meritojnë atë. Puna për të drejtat e njeriut është një punë kolektive. Ajo që ju bëni në Shqipëri ndikon në atë që unë bëj në Turqi dhe në mbarë botën për familjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut.”

Kush është Murat Celikkan:
Ky film i shkurtër tregon historinë Murat Celikkan, një gazetar dhe aktivist që pavarësisht rreziqeve të mëdha personale, punon për respektimin e të drejtave të njeriut në Turqi, në një kohë kur vendi po vuan nga tendenca të forta autoritare dhe ku kritikët e regjimit klasifikohen si terroristë, tradhtarë dhe dënohen me burg.

Murat Celikkan angazhohet për më shumë se 30 vite në lëvizjen për të drejtat e njeriut në Turqi si themelues i organizatës “Truth and Justice Memory Center”.

I pyetur nga Historia Ime mbi rëndësinë e këtij çmimi për të, Celikkan tha:

“Sigurisht që është e rëndësishme të marrësh një çmim, por gjëja më e rëndësishme është mirënjohja për punën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Turqi.  Në një vend ku nuk ka vetëm shkelje, por edhe njerëz që ende luftojnë për të drejtat e njeriut”.

Celikkan u dënua me 18 muaj burg me akuzat e mbështetjes së aktiviteteve terroriste për shkak se mori pjesë në një fushatë mbi fjalën e lirë. Ai është një prej zërave më të fuqishëm kundër politikave represive në Turqi.

I pyetur nga Historia Ime se sa e vështirë është të jesh gazetar dhe aktivist në të njëjtën kohë ai tha:

“Ne nuk jemi vetëm një gjë, mund të jesh gazetar, mund të jesh aktivist, mund të kesh mendimet e tua politike e të jesh aktiv për to deri në një farë mase apo mund të preferosh një tjetër identitet gjinor. Të gjitha këto janë pjesë e asaj që ne jemi. Gjëja më e rëndësishme është të mos i përziesh. Nëse mund ta mbrosh paanshmërinë si gazetar, po, mund të jesh aktivist, madje është më mirë të jesh aktivist. Sepse ka diçka që quhet gazetari për të drejtat e njeriut”.

Çfarë është çmimi “Mbrojtësi i vitit i të Drejtave Civile”?

Që nga viti 2013, Civil Rights Defenders jep çdo vit një çmim për një aktivist të shquar të të drejtave të njeriut që, pavarësisht rreziqeve për sigurinë personale, punon për të siguruar që të drejtat civile dhe politike të njerëzve të njihen dhe të mbrohen. Aktivistë si Natasa Kandic nga Serbia, Ales Bialiatski nga Bjellorusia,  Nguyễn Ngọc Như Quỳnh nga Vietnami, Intigam Aliyev nga Azerbaxhani dhe Edmund Yakani nga Sudani, kanë qenë marrësit e këtij çmimi më parë.

“Puna e mbrojtësve të të drejtave të njeriut është fantastike dhe e domosdoshme në shoqërinë e sotme. Për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë në, mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë vendimtarë dhe duhet të vazhdojnë punën vërtet të mirë që bëjnë” tha për Historia Ime John Stauffer nga Civil Rights Defenders.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest