Elena Ferrante: ‘Edhe sot, pas një shekulli feminizëm, nuk mund të jemi plotësisht vetja’

2315

Në parim, refuzoj të flas keq për një grua tjetër, edhe nëse ajo më ka ofenduar keq. Është një qëndrim që ndihem e detyruar të mbaj pikërisht për shkak se jam e vetëdijshme për situatën e grave: është situata ime, e vëzhgoj atë tek të tjerët dhe e di se nuk ka grua që nuk bën përpjekje të mëdha dhe të egra për të përfunduar ditën. Të varfëra apo të pasura, injorante apo të arsimuara, të bukura apo të shëmtuara, të famshme apo të panjohura, të martuara apo beqare, të punësuara apo të papuna, me fëmijë apo pa, rebele apo të bindura, të gjitha jemi të prekura thellë nga një mënyrë e të qenit në botë, sa edhe kur themi që ajo është e jona, është e helmuar në rrënjë nga mijëvjeçarët e dominimit mashkullor.

Gratë jetojnë në kontradita të vazhdueshme dhe punë të paqëndrueshme. Gjithçka, me të vërtetë gjithçka, është kodifikuar sipas nevojave të meshkujve – madje edhe të brendshmet tona, praktikat seksuale, amësia. Duhet të jemi gra sipas roleve dhe modaliteteve që i bëjnë burrat e lumtur, por gjithashtu duhet të përballemi me burrat, të konkurojmë në vende publike dhe të kujdesemi që të mos i ofendojmë ata.

Një grua e re të cilën e kam shumë për zemër më ka thënë: është gjithmonë problem me burrat, më është dashur të mësoj që të mos e teproj. Donte të thoshte se kishte stërvitur veten që të mos ishte tepër e bukur, tepër inteligjente, tepër e vëmendshme, tepër e pavarur, tepër bujare, tepër agresive, tepër e këndshme. Ajo”tepër” e një gruaje prodhon reagime të dhunshme mashkullore dhe, përveç kësaj, armiqësinë e grave të tjera, të cilat çdo ditë janë të detyruara të luftojnë mes tyre për thërrimet që lënë burrat. “Tepër” e burrave prodhon admirim të përgjithshëm dhe pozita pushteti.

Pasoja është që jo vetëm që fuqisë femërore i merret fryma, por gjithashtu, për hir të paqes dhe qetësisë, ne i marrim frymën edhe vetes tonë. Edhe sot, pas një shekulli feminizëm, nuk mund të jemi plotësisht vetja, nuk i përkasim vetes. Difektet tona, mizoritë tona, krimet tona, virtytet tona, kënaqësia jonë, edhe vetë gjuha jonë, janë të gërshetuara me bindje në hierarkitë e meshkujve, dënohen ose vlerësohen sipas kodeve që nuk na përkasin neve dhe si pasojë na përdorin deri sa nuk u hyjmë më në punë. Është një kusht që e bën të lehtë të jemi të urryera për të tjerët dhe për veten tonë. Që të tregojmë se çfarë jemi duke bërë një përpjekje për autonomi, kërkon që të mbajmë një vigjilencë të pamëshirshme mbi veten tonë.

Kështu që ndihem e afërt me të gjitha gratë, dhe, ndonjëherë për një arsye, ndonjëherë për një tjetër, e njoh veten si në të mirën ashtu edhe në më të keqen. A është e mundur, më pyesin ndonjëherë njerëzit të mos njohësh asnjë kurvë? I njoh disa, sigurisht: literatura është plot me to dhe po kështu është edhe jeta e përditshme. Por, duke marrë në konsideratë të gjitha gjërat, unë jam në anën e tyre./A.A.

/theguardian.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest