Skeçi LGBT në Vizion Plus dhe reagimi i Olti Currit

Untitled

Pas skeçit të datës 7 Prill në emisionin “Al Pazar” të televizionit Vizion Plus për komunitetin LGBT,blogeri i njohur shqiptar, Olti Curri ka reaguar me një status në facebook-un e tij duke thënë:

“Sa idiot apo injorant duhet të jetë një skenarist të bëjë nje skeç të tillë…!!!
Skeç komunist, pervers dhe krijuar nga njerëz me probleme seksuale alarmante…

Në shkolla mund të mos ketë nevojë për delegatë nga LGBT-ja por të rinjtë duhet të dinë edhe të flasin për diversitetin seksual, rracor, gjinor, karhinor…
Më mirë tu flasësh hapur për një gjë që shoqëria e ka tabu, sesa të shohësh të rinj gjimnazesh që luajnë në kazino dhe për të larë borxhet bëjnë prostitucion duke shkuar me meshkuj femra pleq plaka…”

Videon e skeçit në emisionin “Al Pazar”:

Ky ishte një skeç shumë dizinformues me shumë mangësi informative dhe një frymë negative në lidhje me fushatën informuese kundër bullizmit ndaj personave LGBTI të ndërmarrë nga Aleanca LGBT. Në këtë fushatë, aktivistë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBT, kanë zhvilluar takime me nxënës dhe mësues të shkollave të mesme të Tiranës, në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri, strategji e miratuar nga qeveria shqiptare në qershor 2016.

Lind pyetja se pse duhet ndërmarrë një fushatë e tillë?

“Është një nismë që kemi ndërmarrë se bashku me Bashkinë dhe Ministrinë e Arsimit. Janë takime informuese ku ne flasim me të rinjtë rreth bullizmit, i cili është një problem i madh për këdo jo vetëm për personat e komunitetit. Ka fëmijë që mund të jenë pak më të shëndoshë, fëmijë me syze, fëmijë rom që janë çdo ditë viktima të bullizmit. Ndërkohë ka edhe persona të komunitetit LGBT që po braktisin shkollat për shkak të bullizmit”, tha për Historia Ime Xheni Karaj.

Bazuar në studimin e Këshillit të Evropës i realizuar në Shqipëri nga Edmond Dragoti dhe Emanuela Ismaili, 60% e mësuesve në sistemin arsimor shqiptar shprehen që bullizmi në shkolla ekziston dhe 77.2% e tyre thonë se kanë nevojë të trajnohen.

A është bërë propagandë në këto takime?

“Këto takime kanë qenë thjesht seanca informuese mbi pasojat dëmtuese që sjell bullizmi tek të rinjtë në përgjithësi dhe të rinjtë LGBT në veçanti. Nëse dhënia e informacionit mund të quhet propagandë, atëherë disa aktorë të politikës dhe të skenës nuk e shohin domethënien e fjalës propagandë në të njëjtin fjalor me të tjerët. Pas shumë reagimeve negative dhe pozitive që pati, u mendua se u hoq kureshtja se për çfarë është folur në ato takime. Ky skeç na vërtetoi të kundërtën” tha një tjetër aktiviste .

Ndoshta rinia shqiptare me të vërtetë ka shumë probleme të tjera, por kjo nuk do të thotë që nëse dikush do të punojë me një problem të caktuar, në këtë rast bullizmin e të rinjve LGBT, duhet bërë kaq shumë zhurmë sa të heqim vëmendjen nga problemi i vërtetë, dhe të pengojmë ata që duan me të vërtetë të punojnë. Fenomeni i bullizmit është shumë shqetësues për të tërë të rinjtë, por kjo nuk i jep të drejtën askujt të thotë që bullizmi ndaj të rinjve LGBT është dytësor./A.A.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest