Donald Lu paralajmëron politikanët

untitled

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zoti Donald Lu ka dhënë një fjalim në Forumin e Shoqërisë Civile për personat LGBTI në kuadër të programit te përbashkët të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Evropian “Struktura Horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë“, veprimi  parandalimit dhe mbrojtja nga diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor në Shqipëri, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Open Mind Spectrum Albania (OMSA), Instituti Victory në Washington D.C., dhe organizatat LGBTI në Shqipëri.

Ai ka thënë “Mbeta i shokuar kur tre vjet më parë, ngisja biçikletën në marshimin e krenarisë LGBTI. U shokova nga pandjeshmëria dhe padia e disa qytetarëve. Megjithëse atë ditë kishte mbrojtje të madhe nga policia, dikush hodhi një vezë që pothuasje goditi një djalë 4 vjeçar i cili ishte në marshim me babain e tij. Një nga koleget e mia të ambasadës u godit me një domate. Më thanë se kjo ishte shumë më mirë sesa kërcënimet e sharjet e viteteve të para. Është e vërtetë se kam parë përparim gjatë tre viteve të mia në Tiranë, por kam parë dhe diskriminim dhe homofobi të vazhdueshme. Kam parë fare pak politikanë të gatshëm të marrin pjesë në aktivitete, të mbështesin këtë komunitet, siç është marshimi i krenarisë apo mbrëmja gala për indeksin LGBTIQ. Vetëm pak prej tyre kishin vërtetë kurajo. Mund të përmend Igli Totozanin, Vasilika Hysin, Elona Gjebrean dhe Olta Xhaçkan. Përgëzojmë për kurajon politikanët shqiptarë që janë sot në këtë aktivitet. Ju keni kurajo të vërtetë politike.”

Ambasadori nuk ka lënë pa përmendur edhe ata politikanë të cilët janë shprehur kundër fushatës së organizatave LGBT për të minimizuar bullizmin nëpër shkolla për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Ai tha “Kemi ndjekur edhe debatin e nxitur nga Ylli Manjani, Tritan Shehu dhe Oriola Pampuri. Shpresoj që drejtuesit politikë ta kuptojnë se fjalët e tyre përfaqësojnë jo vetëm bindjet vetjake, por edhe të njerëzve që kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar.”

Ai e ka mbyllur fjalimin e tij me një mesazh si për qytetarëte Shqipërisë, ashtu edhe për politikanët e saj: “Shqiptarët janë një popull tolerant, shpresoj që edhe politikanët do të jenë tolerantë.”/A.A.

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest