Një dhomë si shtëpinë e saj të vetme/ lufta e një gruaje shqiptare për të drejtën e pronës

Foto: UN Women/Yllka Parllaku

Një dhomë me sipërfaqe 20 metra katror me një dritare është shtëpia e vetme për Semiha Xhani dhe djalin e saj 8 vjeçar. Ajo e ka ndërtuar këtë shtëpi së bashku me ish-bashkëshortin e saj kur ishin të martuar, në Paskuqan, një ndërtesë informale rreth 5 kilometra larg Tiranës.

Që prej divorcit 6 vite më parë, Xhani ndeshet vazhdimisht me pasigurinë ekonomike, duke u përpjekur për të gjetur një punë që e paguan mjaftueshëm për të rritur djalin e saj. Gjërat u përkeqësuan kur dy vite më parë vjehrri i saj e regjistroi shtëpinë në emrin e tij pa dijeninë e saj, duke u përpjekur për ta dëbuar Semihen nga shtëpia.

“Isha kaq e frikësuar dhe menjëherë telefonova Irisin, duke i kërkuar ndihmë. Nëse s’do ishte për të, unë dhe djali im do të ishim në mes të katër rrugëve” shprehet Xhani. Iris Aliaj është avokate që punon pranë qendrës “Centre for Legal and Civic Initiatives” (CLCI), partner me “UN Woman” ku ofrohet falas konsulencë ligjore dhe përfaqësimin në gjykatë të grave që iu cënohet e drejta e pronës. Aliaj është optimiste për çështjen e Xhanit: “Çështja do të merret në shqyrtim nga Gjykata Administrative dhe deri tani ky përbën lajm të mirë, pasi Semiha mund të qëndrojë në shtëpinë e saj dhe ka shumë gjasa që të fitojë gjyqin”.

E drejta e pronës për gratë mbetet një çështje e komplikuar në Shqipëri. Edhe pse në legjislacionin shqiptar njihet e drejta e barabartë e gruas për pronën, vetëm një përqindje e vogël diku tek 8% kanë pronësi, kjo pasi ligjet nuk janë të efektshme dhe gratë vijojnë të mbeten të margjinalizuara për shkak të çështjeve të trashëgimisë. Dhe kur vjen puna tek ndërtesat informale, prona regjistrohet nën emrin e “kryetarit të familjes” – një rol i rezervuar për burrat, duke i përjashtuar gratë.

Gjithashtu prevalon një mungesë e theksuar informimi tek gratë për të drejtën e pronës. Por edhe kur gratë kërkojnë këto të drejta, procedurat ligjore janë të gjata dhe të kushtueshme. “Një herë pagova 100 dollarë për një avokat vetëm për një seancë dëgjimore në gjykatë” rrëfen Xhani, e cila merr vetëm 30 dollarë si ndihmë ekonomike nga qeveria.

“Ndihma që iu ofrojmë këtyre grave duke i ofruar avokatë falas është e rëndësishme për gratë si Semiha, të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme” shprehet avokatja Aliaj./k.m/

Burimi: UN Women

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest