Pacientja fiton betejën ligjore me “QSUT”/ Gjykata: “mungoi trajtimi mjekësor”

aktivitet_dita-evropiane-e-te-drejtave-te-pacienteve5-e1493900977974
 Foto: Together for Life

Pacientja me iniciale E.R. ka ngritur padinë ndaj Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me pretendimin se ka munguar shërbimi i duhur në trajtimin e sëmundjes së saj. Me vendim të gjykatës pacientja duhet të dëmshpërblehet me dëm pasuror dhe jopasuror.

Ajo ka ngritur këtë padi, e ndihmuar prej shoqatës “Together for Life”, një organizatë jo-fitimprurëse që mbron prej vitesh të drejtat e pacientëve përmes advokimit, investigimeve, trajnimeve dhe ndjekjes ligjore për rastet konkrete të pacientëve.

Shoqata ka vënë në dispozicion ekspertë ligjorë që kanë realizuar një vlerësim të situatës si dhe ia ka komunikuar institucionit të Avokatit të Popullit, ku më pas është depozituar dhe kërkesa-padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Pas shqyrtimit të rastit, ka rezultuar se pala e paditur nuk ka shkelur protokollin duke mos i ofruar trajtimin mjekësor paditëses.

Në verdiktin e saj gjykata është shprehur: “QSUT ka detyrimin ligjor të bëjë përllogaritjen në kohë të të gjitha nevojave që ka për medikamente dhe t’i propozojë personit të tretë për të prokuruar blerjen e tyre me qëllim që të mos mbetet asnjë periudhë kohore pa ofruar shërbimin mjekësor me medikamente”.

 

Rasti në fjalë përbën një rast suksesi në ndërgjegjësimin dhe edukimin e qytetarëve me të drejtat e tyre si pacientë dhe rritjen e besimit në institucionet ligjvënëse.

Burimi: Together for Life

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest