Xheni Karaj: Autogolat e drejtoreshës së “Sami Frashërit”

teuta-dobi-karaj
*nga Xheni Karaj

Drejtoresha e Samiut sot i bëri dy autogola vetes.

I pari ishte momenti kur gënjeu dhe tha qe nuk do të lejonte LGBT në shkollën e saj. Ndërkohë në datë 11 Dhjetor, ne kemi qënë në shkollën “Sami Frashëri” dhe kemi diskutuar mbi çështjet e bullizmit me 25 nxënës të mrekullueshëm dhe një psikologe të painformuar dhe homofobe, së cilës i terhoqën vëmendjen disa herë nxënësit për injorancën që po shpaloste. Fakti që zonja drejtoreshë as e ka idenë, çfarë ndodh në shkollën e saj, na tregon se sa e interesuar është ajo për nxënësit.

Autogoli i dytë është vetë fakti që LGBT për herë të parë në shkollën e zonjës nuk hynë në momentin kur unë dhe koleget e mia shkelëm pragun e derës por që në themelim të Samiut në vitin 1963. Shumë prej tyre mund të jenë bërë dhe njerëz të artit siç e ka ëndërr drejtoresha ose politikanë (fotot e së cilëve i mban nëpër muret e shkollës) por atë s’do t’a dijmë kurrë pasi në ato vite nëse pranoje që ishe gay përfundoje me mbi 10 vjet burg.

Deklarata homofobike që bëri drejtoresha sot, nëse mbetet e padënuar do t’i detyrojë nxënësit që shkelin çdo ditë në atë shkollë, të mos guxojnë kurrë të jenë vetja se do vuajnë “burgun” e Znj.Dobi. I bëri nxënësit e kësaj shkolle të ndjehen të përjashtuar dhe stigmatizuar për të disatën herë në jetën e tyre.

Znj. Dobi nuk është heroinë por nje turp ndër turpet e tjera që po mbysin sistemin arsimor në Shqipëri.

Xheni Karaj është aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri si dhe drejtuese e organizatës “Aleanca kundër diskriminimit LGBT”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest