“Pa gra, s’ka rritje”: ligjet regresive ndalojnë barazinë ekonomike

3500

Barrierat ligjore që i pengojnë gratë të punojnë ose kufizojnë mundësitë e tyre për të zotëruar një biznes, po ndikojnë negativisht në rritjen globale dhe barazinë ekonomike, ka zbuluar një studim i Bankës Botërore.

Mungesa e ligjeve që ofrojnë mbrojtje nga dhuna në familje dhe nga ngacmimi seksual në vendin e punës, i ka lënë gratë në mbarë botën në një disavantazh, sipas një raporti të botuar të enjten.

Ndërsa lëvizja #MeToo fiton vizibilitet në vendet e varfëra, qeveritë mund të shtojnë reformat ligjore që po bëhen tashmë në disa rajone, thanë ekspertët.

Studimi, i cili vëzhgoi 189 ekonomi, zbuloi se gratë vazhdojnë të përballen me barriera të gjera që i mbajnë ato jashtë vendeve të punës dhe i pengojnë ato të zotërojnë një biznes duke kufizuar qasjen e tyre tek kreditë ose kontrollin mbi pasurinë martesore.

“Për fat të keq, ligjet janë një vijë e drejtë për burrat dhe një labirint për shumë gra anekënd botës dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha Sarah Iqbal, menaxhere e programit të projektit të grave, biznesit dhe ligjit në Bankën Botërore.

“Nuk ka asnjë arsye për ti mbajtur gratë larg nga vende të caktuara pune ose për ti penguar ato që të kenë një biznes. Mesazhi ynë është i thjeshtë: pa gra, s’ka rritje.”

Guinea ekuatoriale është një nga ato vende ku ligjet janë aq regresive sa që një grua ende ka nevojë për nënshkrimin e burrit të saj, ose bekimin e një të afërmi mashkull, për të siguruar një kontratë pune, për të marrë një hua apo për të blerë një shtëpi.

Në 104 ekonomi, gratë ndalohen të punojnë gjatë natës ose në punë që përfshin prodhimin, ndërtimin, energjinë ose bujqësinë, duke ndikuar negativisht në zgjedhjet e më shumë se 2.7 miliardë grave, sipas raportit të grave, biznesit dhe ligjit që botohet çdo dy vjet.

“Asnjë ekonomi nuk mund të rritet në potencialin e saj të plotë nëse gratë dhe burrat nuk marrin pjesë plotësisht”, tha shefja ekzekutive e Bankës Botërore Kristalina Georgieva.

“Megjithatë, në më shumë se gjysmën e botës gratë ende pengohen të punojnë në punë të caktuara thjesht për shkak të gjinisë së tyre. Raporti zbulon se ku ka barazi gjinore në ligjet e punës, shumë gra punojnë dhe fitojnë më shumë në raport me burrat.”

Gratë kanë më shumë gjasa të kenë bizneset e tyre në vendet ku ka mbrojtje ligjore kundër ngacmimeve dhe abuzimeve, megjithatë 45 nga 189 ekonomitë e shqyrtuara – përfshirë Afganistanin, Mianmarin dhe Rusinë – nuk kanë ligje mbi dhunën në familje, ndërsa 59 vende nuk kanë ligje mbi ngacmimin seksual në vendin e punës.

“Studimi llogariti të dhënat deri më 1 qershor 2017 por, meqë lëvizja #MeToo po merr vrull në botën e zhvilluar, mendojmë se do të ketë më shumë përparime dhe rritje të mbrojtjes ndaj ngacmimeve seksuale”, tha Shanta Devarajan, drejtori i lartë i Bankës Botërore për zhvillimin ekonomik.

“Dhënia e mundësive të barabarta për gratë është një imperativ moral dhe ekonomik dhe heqja e ligjeve diskriminuese është një hap i rëndësishëm”, shtoi ai.

Çdo ekonomie të vlerësuar për edicionin e pestë të raportit të Bankës Botërore iu dha një rezultat nga zero në 100 midis shtatë kategorive. Këto përfshijnë përfshirjen e institucioneve, përdorimin e pronës, fitimin e një pune, fitimin e besimit nga bankat dhe mbrojtjen e grave nga dhuna.

Ndërsa asnjërës ekonomi nuk iu dha një rezultat të përsosur, Britania, Zelanda e Re dhe Spanja ishin ndër performueset më të mira.

Në përgjithësi, 21 ekonomi – shumë prej tyre të vendosura në Afrikën Subsahariane, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut – morën një rezultat zero për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Studimi gjithashtu zbuloi se vetëm 76 vende kërkonin shpërblim të barabartë për punë me vlerë të barabartë, ndërsa 37 ekonomi nuk kanë ligje që mbrojnë gratë shtatzëna nga shkarkimi nga puna.

Raporti gjithashtu ka skicuar disa përmirësime që nga botimi i mëparshëm i të dhënave. Republika Demokratike e Kongos, Iraku, Kenia, Tanzania dhe Zambia ishin midis 65 vendeve që kanë bërë 87 reforma ligjore gjatë dy viteve të fundit.

“Republika Demokratike e Kongos është një vend ku ka pasur shumë dhunë seksuale, megjithatë ajo ka kaluar disa ligje të gjera që i bëjnë gratë dhe burrat të barabartë në pothuajse të gjitha aspektet e sipërmarrjes”, tha Devarajan.

Ndërkohë në Kenia, janë futur ligje për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje, si dhe abuzimi seksual, psikologjik dhe ekonomik nga partnerët aktualë apo ish partnerët.

“Nuk ka dyshim që këto ligje kanë një ndikim të rëndësishëm në mundësitë ekonomike të grave. Hapi tjetër i rëndësishëm në përmirësimin e jetës së grave është zbatimi i tyre, “tha Devarajan.

Raporti përmendi dhjetra studime të tjera që ilustrojnë se si zbatimi i ligjeve të tilla mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në fitimin e forcës dhe influencës nga gratë.

Gjithashtu, hulumtimi theksoi se boshllëqet gjinore shkaktojnë një humbje mesatare prej 15% në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim nga vendet anëtare, 40% e të cilave është për shkak të boshllëqeve të sipërmarrjes. Humbjet vlerësohen të jenë shumë më të larta në vendet në zhvillim./A.A.

/theguardian.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest