Mungesa e informacionit lëndon

Young woman suffering from a severe depression (very harsh light

*Letër anonime*

Po e shkruaj këtë letër, sepse dua që të gjithë ta kuptojnë sa e rëndësishme është ajo që LGBTI po bën nëpër gjimnaze. Në periudhën e adoleshencës time kam qenë mjaftueshëm e çuditshme për tu tallur dhe ofenduar nga bashkëmoshatarët, dhe nëse do thosha hapur dhe atë që ndjeja kur arrita ta kuptoja realisht çfarë ishte, gjërat do shkonin edhe më keq. Kisha shume vështirësi të krijoja shoqëri me vajzat, dhe ndërkohë kisha vetëm shokë. Në ato kohë mendoja se isha thjesht asociale, vetëm shumë më vonë arrita të kuptoj që kur afroheshin vajzat, unë isha njësoj si çunat, që për të rënë në sy viheshin aq shumë ne siklet, sa e menderosnin punën fare. Nëse kur unë isha adoleshente do të kisha patur informacionin, mbështetjen dhe lirinë e duhur, me shumë mundësi sot do kisha një partnere femër në krah. Atëherë fjalët lezbike dhe gej përdoreshin si ofendime, dhe 90% prej nesh nuk e dinim as kuptimin e tyre dhe për më tepër ishte akoma shumë tabu që dikush ta pranonte hapur orientimin e tij seksual. Shumica e ndrydhnin brenda vetes, siç bëra dhe po bëj dhe unë sot e kësaj dite. Nëse kur unë isha adoleshente do të kisha mjaftueshëm informacion dhe mbështetje, nuk do më duhej të ndërroja partnerët duke menduar se ka diçka që nuk shkon me ata, pa e kuptuar që thjesht nuk ishte ajo që unë doja. Moshataret e mia flisnin per eksperiencat seksuale duke i përshkruar si shumë të bukura, kurse për mua ishte thjesht diçka mekanike. Është shumë e rëndësishme që çdokush, qoftë gej apo hetero, ta dijë që do ketë mbështetje, që mund të jetë i lirë të bëjë ç’të dojë në jetë pa u gjykuar nga askush. Prandaj është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme ajo që komuniteti LGBTI po bën nëpër shkolla. Duke i dhënë mundësinë çdokujt të jetë vetvetja e duke informuar të tjerët që secili mund të bëjë ç’të dojë me jetën e vet. Në fund të fundit është jeta e tij. Kush janë të tjerët për ta gjykuar, për ta tallur e për ta poshtëruar?

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest