Askush s’e beson realisht që homoseksualiteti është sëmundje

Russian-Scientists-Discover-Cure-to-Homosexuality

* Nga Sofia Limani

Në vazhdën e histerisë kolektive të ditëve të fundit, në televizione kombëtare u rihodh teza e homoseksualitetit si sëmundje ca herë nën zë dhe ca herë më drejtpërdrejt. Në një lum fjalësh si axhendë, lob, propagandë, promovim etj u përdoren dhe teorira të përhapjes, kurimit, shndërrimit etj. Duke qenë se diskutimet në mediat tona kombëtare janë më shumë zhurmë togfjalëshash që nuk sqarohen deri në fund, dhe që mbeten vit mbas viti në të njëjtën pikë, duhet që të rikthehemi hapa mbrapa dhe të ridiskutojmë temën nga A-ja për ta sqaruar.

Homoseksualizmi si sëmundje hidhet si tezë gjithnjë dhe kur përflitet promovimi ose propaganda, dhe shumë më direkt kur flitet kurimi apo deviacioni. E këndshme është që po të analizosh vetë teoritë e lartpërmendura më me detaj, kupton se vetë ato ngecin në logjikën e arsyetimit të tyre. Ndaj ja vlen të rimarrim pikë më pikë çdo teori si të mirëqenë për të parë a vlen logjika e arsyetimit të tyre deri në fund apo jo.

Ok, presupozojmë që homoseksualiteti është sëmundje.

Së pari, presupozojmë se homoseksualiteti është forma më konkrete e një sëmundje: deformim fizik, gjenetik ose hormonal. Nqs homoseksualiteti është sëmundje gjenetike, atëherë as kurohet, as promovohet dot, as ngjitet dot, pasi asnjë sëmundje gjenetike nuk përhapet në rrugë tjetër përveç ADN-së. Nqs dikush beson këtë teori, atëherë duhet automatikisht të tërhiqet nga ideja e përhapjes. Nqs homoseksualiteti është çrregullim hormonal ose deformim fizik, atëherë duhet të jetë lehtësisht e matshme në kushte laboratorike, që s’është. Dhe në këtë rast, homoseksualiteti nuk do të arrinte të promovohej apo propagandohej apo të përhapej. Paradoksalisht, të gjithë ata që përhapin këtë mendim, flasin gjithashtu për promovim dhe axhendë.

Së dyti, forma më tipike e një sëmundjeje është ajo patologjike. Si e vetmja formë sëmundjeje lehtësisht e trasmetueshme nga një person tek tjetri, vetëm në këtë rast promovimi do të kishte sens, ama deri diku. Një sëmundje patologjike nuk përhapet me fjalë por me anë të kalimit fizik të patogjenit nga një njeri tek tjetri. Në këtë rast mund të flisnim për përhapje të homoseksualitetit por jo për propagandim të tij. Nqs homoseksualiteti është sëmundje patologjike, shumë lehtësisht do të zbulohej patogjeni përkatës, dhe kura ndaj tij. Shkencërisht kjo nuk qëndron: s’ka as patogjen, as ngjitje fizike. Kështu që ata që e shohin homoseksualitetin si sëmundje ngjitëse, duhet gjithashtu të besojnë se nuk përhapet dot me fjalë, dhe se patogjeni i homoseksualitetit është mister i dimensionit të 5.

Së treti, teoria më e përhapur nga të gjitha është ajo e sëmundjes mendore, ndaj këtu po ndalemi pak më gjatë. Një individ quhet i sëmurë mendor kur has probleme në mbarvajtjen e ritmit normal të jetës: kur nuk arrin më të punojë, të arsimohet, të jetë social etj, pa ju dëmtuar dita e tij nga ngarkesa psiqike. Në rastin e LGBT, shumica e personave të komunitetit nuk shfaqin kësisoj sjelljesh. Nqs homoseksualiteti është sëmundje mendore, atëherë është ose gjenetik ose i krijuar nga mjedisi. Në këtë rast i kurueshëm. Nqs është sëmundje mendore e krijuar nga mjedisi, me mjedis nuk kuptohet propagandimi apo vizita në shkolla, por precedentë dhune në të shkuarën, trauma, incidente etj.

Ekzistenca e këtyre eventeve në të shkuarën e LGBT nuk është provuar ndonjëherë (nisur dhe nga Frojdi që e hodhi vetë si ide dhe e tërhoqi vetë si ide këtu një shekull para). Një sëmundje mendore nuk vjen asnjëherë vetë, por shoqërohet me të paktën simptoma të një sëmundjeje tjetër: bipolariteti me depresionin, depresioni me ankthin, ankthi me paranojën etj, etj. Në rastin e homoseksualevë mungojnë simptomat e një sëmundjeje të dytë. Në fakt në shumë studime është pohuar se LGBT vuajnë nga depresioni më shumë se pjesa tjetër, siç është vërejtur se kjo disbalancë fillon e zhbëhet në vendet më pak homofobe dhe më pranuese ndaj LGBT, ndaj lidhja LGBT-depresion bazohet në faktorë të jashtëm si dhuna dhe diskriminimi.

Përtej mungesës së një logjike të shëndoshë për të justifikuar teorinë e sëmundjes mendore, haset dhe një problem tjetër. Asnjë sëmundje mendore nuk trasmetohet ose propagandohet dot. Emocionet mund të influencohen por sëmundja apo çrregullimi mendor në vetvetë nuk mundet, në asnjë rrethanë, të kalojë nga një individ tek tjetri. Nqs dikush mendon që LGBT janë të sëmurë mendorë që arrijnë të trasmetojnë sëmundjen e tyre, jo vetëm paragjykon LGBT, por të gjithë të sëmurët mendorë, të cilët stigmatizohen në shoqëri edhe më shumë se LGBT vetë. Homoseksualiteti si sëmundje mendore e promovueshme çalon që në togfjalish e përcaktuar, dhe çalon në çdo definicion të mundshëm të çrregullimeve mendore.

Kur homoseksualizmi s’është as patologji, as deformim as çrregullim mendor, dhe edhe sikur të qe, s’do të shpërndahej dot, si ka mundësi që flitet kaq shumë?

Teoria e homoseksualitetit si sëmundje ngjitëse nuk hidhet ne diskutime asnjëherë si një mendim serioz, të cilit i gjendet fundi, por në fakt diskutohet në vazhdën e qindra fjalëve që kanë si synim stigmatizimin dhe lyerjen me bojë të zezë të LGBT. Homoseksualiteti s’mund të jetë dhe patologjik dhe mendor dhe ngjitës dhe i përhapshëm, dhe axhendë dhe lobi, dhe i sëmurë dhe i pushtetshëm, në të njëjtën kohë. Ndaj ata që e përflasin lart e poshtë, thellë thellë s’e besojnë as vetë.

Dhe për ta kuptuar më mirë pse as homofobët s’e besojnë vetë teorinë e tyre për LGBT, mbase s’është nevoja as të analizojmë ç’thamë më sipër: mjafton të analizojmë gjuhën e tyre. Si në çdo fe dhe çdo normë sociale kaq shumë të mbështetura nga kundërshtuesit e kauzës LGBT, i sëmuri trajtohet me dhembshuri, dashuri dhe përkujdesjeje. I sëmuri nuk urrehet nga Zoti, Zoti nuk e vret të sëmurin mendor, atij s’i mbyllet dera, i ofrohet shërbim shëndetësor, i ofrohet përkrahje nga shoqëria (ose të paktën supozohet të jetë kështu). Në rastin e LGBT nuk di një rast që shoqëria të ketë pasur këtë qëndrim, përkundrazi. Sa e moralshme është për të gjithë ata persona që në ditët e fundit sulmuan komunitetin, ta bëjnë këtë gjë ndërkohë që besojnë se është sëmundje? Sa e moralshme është t’i thuash një të sëmuri që ti s’bën dot fëmijë dhe s’je kësisoj e mirë publike: a i thuhet kjo gjë një të verbri, një sterili, një personi me kancer, një personi me grip, apo një personi që vuan nga depresioni?

A do t’i sulej shoqëria po njësoj një personi me aftësi të kufizuara që shkon në shkollë të flasë për jetën e tij? A do t’i thuhej që po promovon karrocën dhe do t’i bëjë të rinjtë të sharrojnë këmbët se do të fillojë t’i duket karroca cool? Sepse në shkollat tona kanë ardhur dhe invalidë, na janë mbajtur takime dhe për personat me HIV AIDS, dhe për ish të droguarit, dhe prindërit as kanë dënjuar të kërkojnë për çfarë iu flitet fëmijëve të tyre, as media s’ka dënjuar të paktën të shpërndajë lajmin. Nqs një individ publik do të kritikonte ato kategori të sipërpërmendura, do të ishte një mik shumë i mirë i Hitlerit dhe një punonjës ideal i kampeve të përqëndrimit.

Kur sulmohet vetëm LGBT dhe me teori që çalojnë në logjikën e vetë atyre, nuk promovohet LGBT, por një fakt një frymë dhune e paprecedentë, dhe më tej akoma një keqinformim, i cili i tejkalon kufijtë e komunitetit. Përhapja e teorive konspirative për kurimin e sëmundjes së papërcaktuar që kalon kuptimin e çdo sëmundjeje krijon një precedent tjetër të rrezikshëm, që mund të bëjë të besueshme dhe teori të pafundme të kundërshtuara nga shkenca, si psh: teoria që kanceri s’ekziston, që toka është e sheshtë, mjekësia popullore etj etj. Dizinformimi mbi LGBT fatkeqësisht dëmton shumë më gjerë se LGBT, dëmton çdo grup tjetër të margjinalizuar dhe legjimiton teori konspirative të çdo lloj natyre, përsa kohe unanimiteti i shkencës nuk pranohet si i mirëqënë, por pasqyrohet si i blerë, dhe mendimi popullor vlen më shumë sesa vetë mendimi shkencor. Ndaj media kombëtare duhet të distancohet dhe të heshtë këto teori konspirative po njësoj si vepron me mjekë popullore, magjistarë dhe mbështetës të teorive konspirative./s.l/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest