Çfarë u themi nxënësve në shkolla dhe dy fjalë për Meron dhe Blendin

XheniShkolla

Çfarë u themi nxënësve në shkolla dhe dy fjalë për Meron dhe Blendin

Nga Kristi Pinderi

Disa media online si dhe ndonjë politikan periferik u dukën ditën e djeshme të shqetësuar për faktin se gjatë javëve dhe muajve të fundit aktivistë të komunitetit LGBT kanë marrë pjesë në disa leksione dhe orë të hapura të zhvilluara në shkolla të mesme në Tiranë dhe në qytete të tjera.

Duke qenë se flasim për një temë të rëndësishme që ka të bëjë, ose me emancipimin përfundimtar të shoqërisë sonë ose me lënien e saj përfundimisht në terrin dhe pisllëkun e izolimit shekullor, e ndjej të nevojshme të sqarojmë se ndihemi krenarë për punën që bëjmë si dhe për bashkëpunimin me këdo mësues, drejtor a drejtoreshë shkolle, apo këdo tjetër që gjen mënyrën për të na ftuar në ambientet shkollore. Muajt e fundit unë personalisht nuk kam qenë në Shqipëri, por bashkë me Xheni Karajn kam qenë në ta kaluarën shumë shpesh në shkolla.

Po çfarë u themi nxënësve?

Ne kemi folur në këto leksione të hapura në lidhje me dëmin që u shkaktohet të rinjve për shkak të bullizmit. Pjesëtarë të komunitetit LGBT janë viktimat kryesore të bullizmit, që është një përvojë traumatike që do t’i shoqërojë tërë jetën.

Ajo që vërejmë me keqardhje është fakti që në jo pak raste personat që nxisin sjellje të dhunshme mes bashkëmoshatarëve nëpër shkolla, janë mësuesit apo drejtuesit e shkollave.

I kemi denoncuar sa herë kemi mundur. Madje ndonjëherë, në rastet kur bëhej fjalë për drejtues të arsimit kemi kontaktuar direkt kryeministrin si të fundit mënyrë që kemi patur për të ngritur zërin në një vend ku të punësuarit në shtet dëgjojnë vetëm të parin dhe askënd tjetër.  Kryeministrit është marrë personalisht me këto raste por për ketë nuk i japim dot asnjë meritë, përkundrazi kjo formë e të bërit shtet vërteton atë që kemi vite që e themi se, shteti dhe politika ka përgjegjësi e nuk mjafton të mbajë qëndrime ambigue të tipit “ju mbështesim por nuk e themi dot publikisht që ju mbështesim”, se në fakt kjo nuk është mbështetje por dështim spektakolar.

Në raste të tjera kemi qenë vetë dëshmitarë se si drejtues të shkollave jo vetëm që nuk kanë formimin e duhur për të qenë mbrojtës dhe edukatorë të fëmijëve në shkolla, por ata janë vetë frymëzuesit e dhunës. Rasti i fundit ishte jo më larg se javën e kaluar në një shkollë të Vlorës. Po më tregonte Xheni si nxënësi që kishin shkuar ta vizitonin me punonjës social e psikolog me vete, ishte i terrorizuar aq sa e kishte pothuajse të pamundur të shkonte në shkollë. Ndërronte rrugë herë pas here se e dhunonin edhe rrugëve kur shkonte apo kur kthehej nga shkolla.

Drejtoresha, në vend që të shqetësohej për arsyen e mungesave vriste mendjen se a duhet ta përjashtonte nxënësin 17 vjeçar! Në pushimet mes lëndëve atij i duhej të fshihej për shkak të frikës prej ngacmimeve nga nxënësit e tjerë. “Rri në klasë, mos dil”, i thoshte drejtoresha, pa bërë asgjë për të adresuar problemin e vërtetë që është bulizmi. E lemë mënjanë faktin që është drejtoreshë, po nënë a është ajo grua e nderuar?!

Ajo çfarë ne u themi nxënësve gjatë këtyre orëve me diskutime e biseda të hapura është se askush nuk mund të torturojë psikologjikisht apo të dhunojë fizikisht dikë vetëm pse duket ndryshe nga të tjerët. Sot fëmijët bullohen se mund të jenë të shkurtër, të gjatë, me syzë, me quka, se mund të jenë të varfër, të shëndoshë, mëngjarashë, nga fshati, nga veriu, se mund të jenë me aftësi të kufizuara fizike, etj. Por mbi të gjitha dhunohen ata ose ato që mund të perceptohen se kanë një orientim të ndryshëm seksual, apo se identiteti i tyre gjinor nuk futet dot në binarët imponues të sjelljeve gjinore që na diktohen nga të tjerët dhe nga shoqëria.

Ne u tregojmë nxënësve sa e vështirë ka qenë për ne personalisht periudha e rëndësishme e shkollës dhe sa shumë mund dhe luftë e brendshme na është dashur për të tejkaluar frikën e bullizmit. Dhe u themi që askush nuk meriton të ndihet i dhunuar teksa shkon në shkollë për të mësuar.

Në Shqipëri, 3 në 4 persona LGBTI kanë përjetuar dhunë psikologjike gjatë kohës së kaluar në shkollë, pothuajse 70 përqind e të rinjve LGBTI kanë përjetuar të paktën njëherë dhunë fizike, ndërsa dy në tre vetë kanë pasur mendime për vetëvrasje. Këto janë shifra të rënda që tregojnë se kemi të bëjmë me një realitet të vështirë të cilin duhet ta adresojmë.

Shqipëria ka disa detyrime ligjore për të punuar më shumë në drejtim të shndërrimit të shkollave në ambiente të sigurta për të gjithë. Shkolla dhe shtëpia duhet të jenë ambientet më të sigurta për fëmijët, por për fat të keq, për të rinjtë LGBT ato janë në shumë raste ambientet më të dhunshme.

Në 2017 është realizuar për herë të parë një studim mbi të gjitha vendet europiane në lidhje me sa të afta janë këto vende për të punuar për respektimin e të drejtës për edukim kur vjen puna për çështjet LGBT si dhe sa akses në edukim kanë personat LGBT, (e drejta për edukim e përcaktuar si e tillë që në vitin 1995 nga OKB). Janë analizuar të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës, ku është përfshirë edhe Shqipëria. Dhe pas analizës me detaje të secilit vend janë renditur vendet nën tre kolona: vende mbështetëse, vende ambigue dhe vende mohuese.

Shqipëria ndodhet në fund të renditjes bashkë me vende si Rusia, Serbia, e shokë e shoqe të tjera të Europës lindore. Kur flitet për të drejtën e edukimit kihet parasysh: e drejta për të pasur mësues të zotë dhe profesionistë, e drejta për një kurrikulë të përditësuar dhe të mirë si dhe aksesi në shkollë. Koncepti i aksesit në shkollë do të thotë mbi të gjitha: sa miqësore është shkolla me nxënësit, sa mbështetëse dhe motivuese për veçoritë e secilit nxënës, aftësitë dhe talentet.

E mbi të gjitha a është shkolla një ambient i sigurt për fëmijët, përfshirë fëmijët që mund të kenë një identitet gjinor të ndryshëm nga seksi që kanë të shkruar në gjendjen civile apo një orientim seksual të ndryshëm nga heteronormativiteti. Na rezulton që shkollat në Shqipëri janë një ferr i vërtetë për nxënësit LGBT, bullizmi është në nivele të frikshme (dhe unë flas edhe si një person që kam vuajtur vetë për vite e vite të tëra bullizmin në shkollë).

Pyetja është a duam që shkollat tona të jenë një përvojë traumatike për fëmijët apo duam që shkollat të jenë një ambient ku frymëzohet toleranca, ku stimulohet pranimi dhe trajtimi i barabartë, pavarësisht nëse je një fëmijë rom, apo gej, apo fëmijë e prindërve të pasur apo e prindërve të varfër, fëmijë në fshat apo fëmijë nga zona urbane, fëmijë me aftësi të kufizuara apo jo, e kështu me radhë!

Eshtë pastaj e trishtueshme të marrësh leksione morali nga politikanë të cilët vetëm për moral nuk mundet të marrin flamurin. Sinqerisht, mendoni për pak minuta, se me çfarë guximi këta njerëz duan t’i imponohen shoqërisë, njerëzve dhe këtij vendi që kanë gati 30 vjet që e plaçkisin, e varfërojnë, e mbajnë të izoluar dhe i ndërsejnë komunitetet me njëri tjetrin. Nëse të rinjtë nuk u dashka të mësojnë për bullizmin dhe për të drejtat e njeriut, për çfarë tjetër duhet të mësojnë nëpër orë të hapura? Për FRESSH-in? Për LRI-në? Për FRPD-në? Për blloqet me laps në dorë, si të vidhen milionat e shtetit, apo si të bëhen militant?!

E sigurisht, moral për edukimin nuk mund të japin as disa nga mediat tona. Më bëri përshtypje sidomos TemA dhe opinion.al dje që flisnin të dyja sikur kjo që po bëjmë ne është skandal. Vërtet Mero dhe Blendi? Të edukosh nxënësit për vlerat e diversitetit dhe të tolerancës është skandal apo tu nxjerrësh atyre online orë e sekondë si u zhvesh filania, si u rrah filani, sa tanke të reja prodhoi Rusia, sa avionë bleu Serbia, e plot maskarallëqe të tjera që e kanë shndërruar median shqiptare në një platformë të mirëfilltë fëlliqësie?

E të mendosh se të gjithë këta moralistë presin nga momenti në moment ditën kur do ikin nga Shqipëria për të pasur një jetë më të mirë diku në perëndim, ku sigurisht as që konceptohet dot të ecësh dot përpara me të tilla mend e paragjykime! Po atje, janë krejt njerëz të tjerë…

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest
  • Reli Kurti

    Kam bindjen e plote qe puna juaj, me vet’dije apo si efekt ansor, do kete pasoja fantastike per popullin ne tersi.

    Me rrenqeth trupi nga “Ajo çfarë ne u themi nxënësve gjatë këtyre orëve me diskutime e biseda të hapura është se askush nuk mund të torturojë psikologjikisht apo të dhunojë fizikisht dikë vetëm pse duket ndryshe nga të tjerët” – E sa persona te vegjel por dhe te medhej nuk mund te indentifikohen me kete?

    Si nje popull ku akoma i madhi, i forti shtyp dhe abuson te voglin dhe te dobtin, habitm qe nuk hem pro LGBT thjeshte ne parim.