Muaj pas incidentit transfobik, aktivistja transgjinore rrëfen për ferrin që përjeton çdo ditë në Gjeorgji

Miranda1
Foto:Miranda Pagava / FB

Miranda Pagava është transgjinorja 23 vjeçare nga Tbilisi i Gjeorgjisë, e cila dy muaj më parë i shokoi të gjithë pasi hodhi në llogarinë e saj personale në Facebook foto nga sulmi fizik që iu bë nga një i panjohur. Në një intervistë me “Historia Ime”, ajo rrëfen të gjitha detajet nga nata e incidentit si dhe kërcënimet që ka marrë pas tij.

 

Mund të na shpjegosh në detaje se çfarë ndodhi gjatë natës kur u sulmuat fizikisht?

Isha pranë parkut “Vake” ku ndalova me taksi për të shkëmbyer disa para në një pikë këmbimi valutor. Në momentin kur dola nga makina një person i panjohur nisi të më ngacmonte nga makina, ngjitur me taksinë. Nuk ua vura veshin fjalëve të tij por hyra brenda exchange-it. Agresori më ndoqi brenda. Ai nisi të më pyeste nëse isha vajzë apo djalë. Aty nisa të shqetësohem ndaj nxitova për në taksi por ai më ndoqi dhe nuk më la të hyja brenda.

Për ta lehtësuar situatën i thashë se thjesht do të paguaja taksinë e cila kishte ndaluar për mua dhe do të vazhdoja me të. Por në atë moment një grusht më erdhi në fytyrë dhe u plandosa në tokë. Aty nisi të më godiste duke hedhur sharje transfobike ndaj meje. Momenti më i dhimbshëm ishte kur agresori gjeti një shufër metalike dhe më goditi në fytyrë. Aty taksisti ndërhyri dhe unë munda të arratisesha…

 

Çfarë ndodhi pas incidentit? Si arrite të ktheheshe në shtëpi?

Fytyra ime ishte e gjakosur, kisha një plag të gjerë rreth 2-3 cm pranë syve. Dridhesha nga frika dhe rrobat i kisha të grisura. Arrita të gjej një dyqan të hapur pasi ishte ora 5 e mëngjesit dhe vetëm ai ishte hapur. Edhe pse në atë gjendje ata refuzuan të thërrisnin policinë. Më pas arrita të shoh një makinë policie prej së largëti. Vrapova drejt saj por edhe atje mu refuzua ndihma, pasi sipas këtyre të fundit nuk ishte obligimi i tyre për të mbrojtur mua.

Gjithsesi disa minuta më pas ata thirrën ambulancën dhe atje mora ndihmën e shpejtë. Refuzova të shtrohem në spital pasi e dija që më prisnin doktorë homofobikë të cilët refuzojnë pacientët transgjinor.

 

Po ditët në vazhdim arrite të marrësh një trajtim mjekësor?

Unë shpesherë detyrohem të thërras ambulancën për të më dërguar në spital për shkak të sulmeve fizike që marr. Gjithnjë në spitale doktorët kanë paragjykime karshi personave trans. Ata qeshin me ne dhe shpeshherë refuzojnë të japin ndihmë mjekësore për komunitetin trans. Ekziston vetëm një spital në Tbilisi ku ne trajtohemi si qenie njerëzore normale.

Miranda2

Ti the se ke përjetuar incidente transfobike dhe më parë, a kanë qenë ato po aq të rënda sa ky i fundit?

Fatkeqësisht kam qenë viktimë e dhunës fizike dhe më parë. Më kujtohet një rast që ka ndodhur rreth një vit më parë, kur një burrë më sulmoi brenda shtëpisë sime. Ai donte të më gërvishte fytyrën me copa xhami, por arrita ta mbuloj duke më dëmtuar vetëm gishtin tregues. Pas atij incidenti unë s’mund ta përdor më atë gisht. Edhe pse arrita të gjej identitetin e agresorit, çështja nuk u ndoq kurrë penalisht.

Një rast tjetër është akoma dhe më i rëndë. Unë dhe shoqja ime, po transgjinore, u morëm me dhunë jashtë qytetit në një zonë me varreza ku u përdhunuam. Agresorët na kërcënuan më pas se do të na vrisnin dhe morën të gjitha paratë prej nesh. Edhe kjo çështje mbeti e painvestiguar nga policia.

Fatmirësisht incidenti i fundit po hetohet sipas nenit 126 në Kodin Penal, pra e përfshin si krim urrejtjeje me bazë transfobinë. Kjo është arritje e shumë komponentëve si përshembull presioni nga organizatat e shoqërisë civile.

 

Më shumë se dy muaj kanë kaluar nga incidenti. Sa e kërcënuar ndihesh ti tani?

Pas këtij incidenti niveli i agresivitetit ndaj meje është rritur në shoqëri. Vetëm 4 ditë pas incidentit disa persona të panjohur depërtuan në shtëpinë time dhe donin të më vrisnin. Më pas unë kërkova urdhër mbrojtjeje nga policia, por sipas kushtetutës gjeorgjiane unë nuk mund të aplikoj për mbrojtje ligjore pasi më duhet të ndryshoj gjininë nga djalë në vajzë në kartën e identitetit.

Por që ta bëj këtë ndryshim duhet ti nënshtrohem kirurgjisë së ndryshimit të seksit. Më pas një strehë sociale për gratë e dhunuar më mori në kujdestari por unë u largova vetëm pas disa ditësh qëndrimi. Isha shumë e rënduar psikologjikisht dhe vendosa të kthehesha në shtëpinë time, edhe pse e rrethuar nga kërcënimet e komshinjve.

 

Për ta përmbledhur, sa e vështirë është të jetosh si transgjinore në një shtet si Gjeorgjia?

Problemi më i madh është se në Gjeorgji transgjinorët nuk trajtohen si qenie njerëzore…

Në çdo hap ne ndeshim diskriminim, dhunë psikologjike dhe fizike, ne nuk mund të ecim në rrugë gjatë ditës, nuk përdorim dot transportin publik, nuk punësohemi dot dhe mundësia e vetme që mbetet është të punosh si punonjëse seksi, që sjell më shumë probleme për ne.

Tani dua të largohem nga Gjeorgjia për një jetë më të mirë jashtë.

 

Gjeorgjia është një nga shtetet e pakta post-sovjetike ku diskriminimi ndaj komunitetit LGBT dënohet me ligj. Pavarësisht legjislacionit, komuniteti trans mbetet frikshmërisht i margjinalizuar dhe shpresa e fundit mbetet arratisja nga vendi.

/Kristina Millona

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest