“Ndal tregtisë së librave në Universitete”

29258449_1610890988948879_3577929362095188110_n

Lëvizja Për Universitetin ka organizuar dje një aksion pranë Fakultetit të Shkencave Sociale kundër fenomenit të tregtisë së librave në universitete.

“Pedagogët nuk mund të sillen brenda universitetit si shitës ambulantë librash. Studentët nuk mund të detyrohen të jenë klientela e sigurt e mallit të tyre”, thuhet në njoftimin e “Për Universitetin”.

Aktivistët kanë shpalosur një baner kur shkruhej “Ndal tregtisë së librave” dhe kanë ngjitur postera ku listohen këto katër kërkesa ndaj autoriteteve:

  1.  Të ndalojnë rreptësisht përfshirjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të pedagogëve në procesin e shit-blerjes së teksteve akademike. Çdo konstatim i këtij fenomeni nga aktivistët tanë do denoncohet publikisht.
  2. Të parandalojnë çdo tentativë nga pedagogët për shantazhimin apo detyrimin me çfarëdolloj mënyre të studentëve për blerjen e cilitdo teksti akademik. Çdo konstatim i këtij fenomeni nga aktivistët tanë do denoncohet publikisht.
  3. Të ndërmarrin masa që çdo tekst i publikuar të kalojë nga një proces shqyrtimi, vlerësimi dhe miratimi nga një komision i posaçëm brenda universitetit, para se të rekomandohet si tekst akademik. Ai duhet të plotësojë kriteret minimale të autorësisë, shtëpisë botuese, kontrollit ndaj plagjiaturës etj.
  4. Të ndërmarrin masa që çdo tekst që rekomandohet si literaturë brenda universitetit të ekzistojë të paktën në gjashtë kopje nëpër bibliotekat e fakulteteve përkatëse.

“Këto kërkesa ne i konsiderojmë si të domosdoshme për të mbrojtur studentët nga abuzimi nga ana e pedagogëve dhe për të siguruar një nivel minimal cilësie në tekstet që ndriçojnë mendjet e brezave ndër vite. Lëvizja Për Universitetin zotohet se do ndërmarrë veprime në vazhdim për përmbushjen e këtyre kërkesave”, mbyllet njoftimi i lëvizjes “Për Universitetin”.

/l.k./

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest