Kriza në Çeçeni- një vit pas zbulimit të kampit të përqëndrimit situata mbetet e njëjtë

a22096f6dae162827d31c9797c7d15f2-800x
Foto: Bjorn van Roozendaal    

Ishte një fundjavë pranvere rreth 12 muaj përpara, kur lëvizja LGBT u trondit nga lajmi se në republikën e Çeçenisë në Rusi djem të perceptuar si gej ose biseksualë u rrëmbyen, u burgosën dhe u torturuan për shkak të orientimit të tyre seksual. Një vit pas zbulimit shokues, njohuritë tona për këtë krizë të të drejtave njerëzore janë zgjeruar duke ndeshur realitetin e hidhur: atë të një kampi përqëndrimi.

Një vit pas zbulimit të tij janë mbledhur me dhjetëra dëshmi nga të mbijetuarit dhe të arratisurit e këtij kampi përqëndrimi, evidencë për dhjetëra vdekje si rezultat i torturës së ushtruar mbi viktimat në qeli, si dhe dhuna nga familjarët e personave LGBT për shkak të cënimit të të ashtuquajturit “nder familjar”.

Numri i personave të rrëmbyer dhe të burgosur në qeli mbetet ende i paqartë, teksa telefonata të shumta vërshojnë në linjat telefonike të organizatave lokale, ku kërkohet ndihmë. Ndaj nevoja që presioni i ndërkombëtarëve si qeveritë dhe agjensitë ndërkombëtare mbi homologët rusë duhet të vazhdojë.

Historia nis e gjitha në 1 Prill 2017 kur e përditshmja ruse “Novaya Gazeta” raporton se një numër djemsh të grupmoshës 16-50 vjeç u zhdukën në shumë qytete të republikës çeçene. Sipas burimeve nga investigimi këta djem u rrëmbyen dhe u mbajtën në qeli për shkak të orientimit të tyre seksual dhe përkatësisë ndaj komunitetit LGBT, që bie ndesh me vlerat tradicionale dhe myslimane që prevalojnë në një republikë si Çeçenia. Fillimisht faktet dhe dëshmitë ishin të pakta, si dhe verifikimi i këtyre historive në një federatë si ajo e Rusisë ishte sfiduese për të gjithë, e specifikisht për gazetarët vendalinj.

Shoqata ndërkombëtare “ILGA-Europe” e cila mbledh në rrjetin e saj më shumë se 500 organizata në Europë dhe Azi, menjëherë pas lajmit nisi mobilizimin së bashku me aktivistë për të drejtat njerëzore. Investigimet e mëtejshme nga aktorë të ndryshëm nxorrën në pah se më shumë se 100 djem e burra gej ishin rrëmbyer e mbajtur në izolim, këta të fundit ishin spiunuar dhe marrë të dhënat personale përmes rrjeteve sociale ose nga spiunimi i vetë familjarëve të tyre që i shohin individët LGBT si njollë të “nderit familjar”.

Pavarësisht reagimeve të forta dhe të ashpra nga ndërkombëtarët, duke përfshirë këtu BE, Këshillin e Europës dhe OKB, një investigim zyrtar për situatën ende nuk është vënë në jetë (pavarësisht se një komitet investigues u krijua pranverën e kaluar). Agresorët dhe personat përgjegjës për krimet çnjerëzore ende nuk janë vënë përpara drejtësisë, ndërsa për viktimat në Çeçeni zgjidhja e vetme mbetet të arratisurit nga republika çeçene./k.m/

Burimi: EU Observer

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest