Shqipëria i bashkohet fushatës Wikigap

IMG_1561

Në 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, rreth 30 të rinj dhe të reja u bënë pjesë e maratonës së shkrimeve dhe redaktimeve në Wikipedia. Iniciativa #WikiGap e Ambasadës së Suedisë në Shqipëri dhe Historia Ime, bënë që prej disa ditësh, në Wikipedian në gjuhën shqipe të ketë 73 biografi më shumë të grave shqiptare të suksesshme në art, shkencë, biznes dhe aktivizëm.

Ky ishte viti i parë që Shqipëria u bë pjesë e nismës globale WikiGap, me 3 editathon të zhvilluar paralelisht në Tiranë, Fier dhe Shkodër. Maratona e shkrimeve #WikiGap zhvillohet në më shumë se 50 vende të botës duke nisur që nga Suedia deri në Vietnam, Egjipt, Kolumbi etj, dhe  ka për qëllimin ngushtimin e hendekut gjinor në internet.

Në fjalën e tij përshëndetëse Ambasadori i Suedisë në Shqipëri Z. Johan Ndisi tha se puna me Wikipedian është mjaft e rëndësishme jo vetëm se mund të bëjë diferencë në përmbajtjen online por edhe për të rritur ndërgjegjësimin.

“Wikipedia është një burim i rëndësishëm i dijes. Çfarë është në internet ka shumë rëndësi, por edhe çfarë nuk është ka rëndësi sepse kështu jemi duke privuar njerëzit nga dija.

Kur vjen puna tek Wikipedia shqiptare ne dimë se 86% e artikujve janë për burrat. Vetëm mendojeni për një moment teksa ecni rrugëve të Tiranës, Fierit dhe Shkodrës, a shihni vërtet 86% të popullsisë burra? Jo, nuk është kjo mënyra sesi duket vërtet shoqëria”.

Të ftuar në çdo qytet ishin edhe aktiviste për të drejtat e grave ndër vite – Znj. Zenepe Dibra, Znj. Mirela Arqimandriti dhe Znj. Nevila Jahaj – të cilat dhanë mesazhe pse është e rëndësishme që gratë dhe vajzat të vazhdojnë betejën për barazi gjinore në Shqipëri.

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me user grupin shqiptar të Wikipedianëve dhe organizatat rinore “Epoka e Re” në Fier dhe “Intelektualët e Rinj, Shpresë” në Shkodër.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest