Klos, 5 minatorë plagosen nga shpërthimi; OP: “Minierat, ferrnaja që ushqehen me jetë njerëzish”.

20160118235615317646
*Foto ilustruese

Pesë minatorë në minierën e Shën Gjunit në Klos kanë mbetur të plagosur. Shkak për këtë ngjarje të rëndë është shpërthimi me vonesë i një mine të vendosur në frontin e galerisë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate, në galerinë e minierës me hyrje në fshatin Shëngjun, Klos, me drejtim nga qyteti i Bulqizës.

“Në tranverbangun e minierës, gjatë punës dy prej tyre kanë rënë në kontakt me një minë të pa plasur, e cila ka shpërthyer dhe për pasojë janë dëmtuar edhe tre punëtorët e tjerë që ndodheshin në këtë front”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tuneli ku ka ndodhur shpërthimi është një projekt i kohës së komunizmit që mbeti në mes dhe që është riaktivizuar së fundmi për të rritur rendimentin e minierës.

Të plagosur nga kjo ngjarje kanë mbetur Q.L, 49 vjeç, SH.L, 32 vjeç, R.S, 57 vjeç, të cilët janë dërguar për ndihmë më të specializuar drejt Tiranës, si dhe K.M, 31 vjeç, B.H, 28 vjeç. Këta të fundit po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Raste të përsëritura të aksidenteve në miniere, reagimi i Organizatës Politike: 

Duke marrë shkas nga aksidentet e shpeshta në minierat në veri të Shqipërisë, aktivistët e Organizatës Politike kanë publikuar një reagim ku i quajnë minierat “Ferrnaja Danteske që ushqehen me jetë njerëzish”.

Reagimi i plotw:

“Sot, 5 minatorë kanë mbetur të plagosur rëndë në thellësitë e minierës së Klosit. Këto ngjarje dramatike vijojnë të shpërfaqin faktin se minierat e veriut të vendit janë kthyer në ferrnajë danteske që ushqehet me jetë njerëzish dhe ku askush nuk mban përgjegjësi për askënd.

Madje të akuzuarit gjithnjë si fajtorë janë vetë viktimat dhe jo xhelatët e tyre, padronët e etur për fitime dhe shtetarët e zhytur gjer në fyt, që vazhdojnë të mbyllin sytë karshi gropave të zeza që po marrin përmasën e vrasjes dhe varrit masiv social.

Punëtorët anembanë vendit ndodhen në gjendje mjaft të vështirë, ku përveç bukës, nuk janë të sigurtë as për jetën e tyre, paçka se shtojnë me shpejtësi zerot e bosave në llogaritë bankare. Punëtorët, sot, më shumë se kurrë kanë nevojë të bashkohen për veprim. Për jetë, bukë dhe dinjitet.
PUNËTORË TË TË GJITHË VENDIT, BASHKOHUNI!”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në faqen “Organizata Politike” në Facebook.

/l.k/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest