Amelia, jeta e një transgjinoreje në një qytet të vogël të Shqipërisë

river
*Foto Ilustruese

*Amelia është një transgjinore 17 vjeçare dhe jeton në një qytet të vogël të Shqipërisë.  Në një intervistë me “Historia ime” adoleshentja ka rrëfyer  për momentet e para kur ajo ka kuptuar për identitetin e saj si transgjinore, episodet e bullizmit që ka ndeshur në shkollë si dhe frikën nga paragjykimet që ajo përjeton çdo ditë për shkak të identitetit gjinor.

Intervista e plotë:

Kur e ke kuptuar për identitetin tënd gjinor, pra që do të jesh vajzë?

Kur isha e vogël mbështillja rroba në kokë që të ngjaja sikur kisha flokë të gjatë si vajzë. Vishja rrobat e mamit, më pëlqente të isha femër. Meshkujt e kisha të vështirë t’i shihja vetëm si shokë. Në klasë të parë… të dytë, diku nga mosha 7-8 vjeçare nisa të pëlqeja djemtë si dhe të ndihesha vajzë pa e ditur se çfarë ishte kjo ndjesi, pasi nuk e dija termin trans.

Me kalimin e kohës ndihesha shumë e trazuar dhe nuk kisha me kë të flisja për këtë problem. Pasi pata disa probleme me familjarët e mi për këtë gjë, në klasë të 7 mamaja më drejtoi tek psikologia e shkollës për tu konsultuar. Psikologia më tha se e shikonte që isha e paragjykuar në shkollë, por unë nuk e pohova këtë gjë ditën e parë pasi kisha shumë frikë dhe nuk dija t’i besoja apo jo. Vendosa ditën e dytë të flisja për atë çfarë më trazonte brenda meje dhe t’ia pohoja.

Psikologia nuk më mbështeti për identitetin tim si vajzë, duke thënë: “Mbështes gejtë por nuk më duket e drejtë të ndryshosh gjininë që të ka dhënë Zoti”. Më pas psikologia më drejtoi tek “Aleanca LGBT” me qendër në Tiranë pasi në qytetin ku jetoj unë nuk ekziston një qendër për komunitetin. Atje unë fola me Xheni Karaj.

Pak më parë përmende periudhën e vështirë në familje. Çfarë ndodhi gjatë asaj periudhe?

Në atë periudhë mësova se isha një fëmijë i birësuar dhe kjo iu shtua problemeve që kisha me veten. Unë u ndjeva shumë keq gjatë asaj periudhe.

A ke bërë “coming out” në familje?

Në fakt nuk ia kam thënë asnjëherë drejtpërdrejt, por tërthorazi. Kur po shihnim një natë një emision për transgjinoren me nofkën “lepurushe”, ndodhi një episod i frikshëm. Unë po e shihja emisionin me shumë kureshtje sepse asnjëherë më parë nuk kisha parë transgjinore dhe e gjeja veten. Ndërkohë mamaja dhe daja po më vëzhgonin dhe atje nisën dyshimet. Në syrin tim daja u përbetua se “nëse djali ynë bëhet kështu, atëhere unë e vras”. Në ato momente përjetova frikë por më pas i thashë mamasë që edhe unë ndihesha vajzë. Mami nuk e priti mirë dhe unë u detyrova t’i thoja që thjesht e kisha provokuar dhe nuk ishte e vërtetë ajo që kisha thënë.

Po tek rrethi shoqëror a ke bërë “coming out”?

I kam treguar shoqes sime kur kam qenë në klasë të tetë, dhe këtë shoqe e njihja prej vitesh. Ajo e kishte kuptuar për identitetin tim gjinor prej vitesh por nuk më kishte thënë gjë pasi priti që t’i tregoja unë. Në fakt ashtu ndodhi. I tregova që jam transgjinore dhe ajo më mbështeti. Ende e ruajmë miqësinë me njëra tjetrën. Edhe vetë shoqja ime është pjesë e komunitetit LGBT.

A njeh persona të tjerë transgjinorë në qytetin tënd?

Po, njoh disa. Përshembull një shoqja ime transgjinore është më e vogël, dike tek 14 vjeçare. Unë e mbështes shumë atë duke qenë se jam dhe më e madhe. Por në qytetin ku unë jetoj nuk ekziston një komunitet trans, kjo për shkak të paragjykimeve.

A je përballur ndonjëherë me bullizëm gjatë jetës tënde?

Në shkollë me mësuesit nuk kam pasur asnjëherë probleme. Kur vjen puna tek nxënësit, aty ndryshon puna. Bashkëmoshatarët më shohin me inat, shfryhen ndaj meje. Mbaj mend një rast konkret gjatë klasës së 9 kur isha duke qëndruar me shokun tim gej dhe disa nxënës u afruan dhe e goditën. Për fat të mirë unë nuk pësova dhunë fizike.

Komuniteti trans në Tiranë ka më shumë vizibilitet. A i ndjek aktivitetet që zhvillohen në Tiranë?

Faktikisht i ndjek sa herë zhvillohet një aktivitet për komunitetin, gjej mundësinë për të ardhur. Shoh që shumë transgjinore në Tiranë po flasin hapur për identitetin gjinor si trans. Do doja që në të ardhmen të bëhem dhe unë më aktive për të mbrojtur të drejtat e personave trans dhe kjo gjë mund të arrihet vetëm duke dalur hapur dhe duke ngritur zërin.

Po planet për të ardhmen cilat janë?

Fillimisht dëshiroj të përfundoj gjimnazin e të shpërngulem në Tiranë për një jetë më të mirë. E shoh mentalitetin në Tiranë më ndryshe, më i hapur si qytet. Atje besoj se mund të nis punë diku pasi unë vij nga një shkollë profesionale dhe dua të socializohem më shumë me komunitetin trans.

*Emri i personit të intervistuar është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj.

/k.m/

/a.a/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest