Gjykata në Strasburg emëron gjykatësen transfobike, reagojnë aktivistët dhe shoqatat

Maria-Elosegui_EDIIMA20180125_0097_4
Foto: Twitter

“Ekzistojnë vetëm dy gjini: djemtë dhe vajzat;

homoseksualët vuajnë nga sëmundje të ndryshme;

nuk është e vërtetë që nëse e bëjmë abortimin ilegal, do të vdesin më shumë gra gjatë abortimit në rrugë klandestine;

gratë në ditët e sotme nuk dëshirojnë të emancipohen nga askush...”

Këto deklarata kontroverse janë citime të bëra përgjatë viteve nga gjyqtarja spanjolle e cila sapo është emëruar pranë trupit gjykues në Gjykatën e Strasburgut.

Emri i gjyqtares është Maria Elosegui dhe emërimi i saj ka shkaktuar diskutime, duke e cilësuar si vendim kontradiktor. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është Gjykata e nivelit më të lartë në Evropë që mbron të drejtat civile dhe fundamentale njerëzore dhe në trupin e saj gjykues është bërë pjesë një figurë si ajo e gjykatëses spanjolle. Reagimet lindën menjëherë pas bërjes publike të emrave të trupit gjykues. Zëvendës presidentet e Grupimit Politik Evropian të Socialistëve dhe Demokratëve, zonja Elena Valenciano si dhe Tanja Fajon u shprehën në një deklaratë për shtyp:

“Ne i respektojmë kompetencat dhe procedurat e vendimmarrjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të emëruar gjyqtarët e këtij trupi gjykues, por gjithsesi shprehim rezerva dhe shqetësim serioz ndaj emërimit të Maria Elosegui duke marrë në konsideratë deklaratat e saj kontroverse në lidhje me homoseksualitetin, të cilin gjykatësja spanjolle e asosacionon me një sërë patologjish. Mos të harrojmë se gjykatësja Elosegui favorizon trajtimin psikiatrik për personat transgjinor, që bie ndesh me qëllimet dhe vlerat fundamentale të Gjykatës së Strasburgut”.

Një reagim tjetër ka ardhur dhe nga shoqata ndërkombëtare “ILGA” (International Lesbians Gay Association), një ndër shoqatat më të mëdha lobuese për të drejtat LGBTQ+ në Evropë. Në një deklaratë shoqata artikulon: “ILGA-Europe është e shqetësuar nga publikimet e kaluara që dëshmojnë për komente transfobike dhe homofobike të bëra nga gjykatësja e sapo-emëruar e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Këto komente erdhën në dritë direkt pas emërimit të saj javën e kaluar”. Përfaqësues nga ILGA u zotuan se do të vijojnë monitorimin dhe investigimin e informacionit të mëtejshëm si dhe komunikimit të vazhdueshëm me pjesëtar nga Asambleja e Parlamentit të Këshillit të Evropës, trupit të përgjegjshëm për emërimin e gjykatësve në Gjykatën e Strasburgut.

Sipas rregullores, në direktivën 28 thuhet se gjykatësve mund t’ju privohet e drejta për të marrë pjesë në çështje të caktuara nëse kanë shprehur më parë publikisht opinione që cënojnë paanshmërinë në gjykim./k.m/

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest