Artistët kundër “teatrit me kullë”

Artisteteeeee_2018_02_08_20

Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit kundërshtoi dje publikisht dy nisma të Ministrisë së Kulturës. 77 artistë firmosën një peticion drejtuar ministres së kulturës Mirela Kumbaro ku paraqiten këto kërkesa:

“1. Ne kërkojmë të anulohet vendimi për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe të bëhet një transparencë e plotë në lidhje me projektin e ndërtimit të teatrit të ri.

2.Të pezullohet projektligji dhe të hapet dialogu me përfaqësues të komunitetit të artistëve për një projektligj tjetër”

Artistët e skenës u shprehën të shqetësuar nga mungesa e transparencës për projektin e një Teatri të ri Kombëtar, i cili i detyron artistët të zhvendosën në godinën multifunksionale Turbina.

Artisti Robert Ndrenika, në fjalën e tij përpara mediave dhe kolegëve paralajmëroi se projekti për teatrin po i hap rrugë ndërtimit të kullave dhe bizneseve, të cilat ndër vite kanë zaptuar hapësirat e këtij institucioni kulturor:

“Para shumë viteve të kësaj demokracie, Teatri është vjedhur pjesërisht. Ajo Torre Drini, që është ngritur atje ka ardhur deri në rrëzë të skenës, siç e dini. Ajo duhet të mbante distancë 10 metra, a 7 metra a 12 metra. Pra kur të ndërtohet i ashtuquajturi Teatër, ne duhet të tërhiqemi sepse do t’i lëmë vend asaj, një vjedhje kjo. Ose dyqanet që janë mbrapa ato “Gjergji” kanë qenë pronë e teatrit. Gjatë këtyre viteve ata janë privatizuar.
Dhe tani kërkohet që këta privatë të bëjnë një kullë, apo kulla dhe në këto kulla pastaj, aneks të jetë edhe Teatri. Pra vazhdon një vjedhje sheshit, e hapur”.

Fjala e plotë e artistit Robert Ndrenika

 

Godina e teatrit “Turbina”, mbyllet për artistin Derhemi:

Aktori Arben Derhemi tentoi sot të vizitonte godinën  “Turbina” që propozohet nga Ministria e Kulturës të jetë shtëpia e re e aktorëve. I shoqëruar nga kamera e televizionit Top Channel ai tregon si nuk u lejua të futej:

“E kuptuat se çfarë ndodh. Mbyllet dera për motive që s’merren vesh se kush janë. Çfarë është kjo? Mbyllin derën në fytyrë ç ‘njerëz që nuk e kuptojnë pse e mbyllin derën, se kanë marrë një urdhër që mbylljani derën kujtdo që vjen shikon këtë godinë. Sepse të shikosh këtë godinë është njëlloj sikur të shikosh një han, të cilin dëshirojnë ta bëjnë teatër me dhunë”, tha Derhemi.

Arben Derhemi tha për Top Channel, se pas zhvendosjes së teatrit fshihen arsye të tjera nga ato që paraqet ministria: “Çfarë është kjo logjikë? Hajde i nxjerrim këta njerëz. Kush është motivi?! Motivi është që nuk tregojnë sepse atë duan ta bëjnë pallat”

Artistët pritën me kundërshtime edhe ndryshimet në ligjin 25/2014 “Për artin dhe Kulturën”

Publikimi i një projektligji në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, ku parashikohet ndryshimi i ligjit ekzistues për Artin dhe Kulturën, ka ngjallur reagime në grupet e interesit, veçanërisht në komunitetin e kinematografisë.

Deri më tani, Qendra Kombëtare e Kinematografisë funksionon si një institucion i pavarur, ku miratimi i projekteve kryhet përmes Këshillit të Miratimit të Projekteve. Ndërsa me ndryshimet e propozuara ajo pritet të bëhet pjesë e institucioneve në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Rrjedhimisht projektet kinematografike do të shqyrtohen nga Bordi Artistik, një organ kolegjial vendimmarrës pranë Ministrisë së Kulturës.

“Do t’ju duket pak paradoksale, por është shumë e vërtetë, që ky ligj që ne kemi, është më autokratik se në kohën e Ramiz Alisë”, tha aktori Mirush Kabashi.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest