Arrestohet i riu që planifikonte në Facebook sulmin ndaj komunitetit LGBT

Foto: Ethan Stables / Policia e Manchester-it

Një djalë 20 vjeçar me emrin Ethan Stables, i cili e ka cilësuar veten si neo-nazist, planifikonte të sulmonte me hanxhar në një aktivitet të Paradës gej. Ai i bënte publike këto plane në llogarinë e tij në rrjetin social të Facebook.

Ethan Stables u dënua ditën e martë nën akuzën e terrorizmit pasi publikoi online se planifikonte të therte secilin prej personave gej në aktivitetin që do të zhvillohet në New Empire, në Cumbria. Djali i postonte këto kërcënime në mënyrë të vazhdueshme në Facebook në një grup që ai kishte krijuar. Edhe pse profili i tij u raportu shumë herë për gjuhën e urrejtjes që ai përdorte, prap së prapi Facebook nuk e çaktivizoi llogarinë e 20 vjeçarit.

Stables shprehej i irrituar që “New Empire Pub” në qytetin e tij po organizonte një aktivitet për Paradën në bashkëpunim me grupin “Furness LGBT support group”. Ja si shprehet ai në një postim:

“Nuk dua të jetoj në një vend ku gejtë janë të lirë dhe ku fëmijët e mi mund të rriten me ta. Nuk më intereson nëse vdes, pasi po luftoj për atë çfarë besoj dhe kjo është e ardhmja që dëshiroj për vendin tim, për njerëzit e mi. Dëshiroj të theksoj se ata janë nën targetin tim. Sot do të jetë një natë për tu mbajtur mend…”

Një grua e cila ishte pjesë e grupit në Faceboook ku djali postonte këto kërcënime duket se e ka parë në kohë këtë postim dhe e ka denoncuar në polici e më pas dhe në Facebook.

Autoriteteve iu tregua një video e djalit i cili djeg flamurin shumëngjyrësh simbolik të komunitetit, si dhe simbolin e svastikës varur në murin e dhomës së tij. Stables, i cili është i diagnostikuar me sindromën e Asperger, u arrestua teksa ishte duke shkuar tek New Empire, ku do të zhvillohej dhe aktiviteti në fjalë. Edhe pse nuk poseidonte ndonjë armë me vete, policia gjeti një sëpatë dhe hanxhar në apartamentin e tij. Nga investigimet e bëra doli në pah se 20 vjeçari kishte kërkuar në Internet informacione mbi grupet ekstremiste dhe kishte shkarkuar një manual se si të ndërtonte një bombë.

Foto: Policia e Manchester-it

Ai u shpall fajtor për përgatitje të një akti terrorizmi, për kërcënimet për të vrarë si dhe për poseidimin e lëndëve eksplozive në rrethana të dyshimta. /k.m/

Burimi: The Telegraph

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest